Ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, ka urdhëruar dëbimin e dy zyrtarëve të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë, duke u dhënë 48 orë kohë për t'u larguar nga vendi. Vendimi vjen mes përplasjes së fortë diplomatike mes Sarajevës dhe Beogradit pas funeralit të Ratko Mlladiçit në Serbi dhe pjesëmarrjes së zyrtarëve serbë në ceremoninë e nderimit të ish-komandantit të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.

Konakoviç njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat se persona të padëshiruar janë shpallur Milan Dulanoviç, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë, dhe Darko Maksimoviç, këshilltar i përfaqësuesit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, BIA.

“Kanë 48 orë, duke nisur nga ora 14:00, për t'u larguar nga Bosnjë-Hercegovina. Do t'u anulohen kartat diplomatike në Bosnjë-Hercegovinë dhe i bëjmë thirrje trupit diplomatik që të mos bashkëpunojë më me ta. Ata i kaluan të gjitha vijat e kuqe dje, pardje dhe në ditët e mëparshme”, tha ai.

Por dëbimi i dy zyrtarëve të ambasadës nuk është masa e vetme e njoftuar nga Sarajeva. Konakoviç bëri të ditur se Bosnjë-Hercegovina ka tërhequr gjithashtu pëlqimin për deklaratën e përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, e cila ishte parashikuar të nënshkruhej më 1 tetor në Mal të Zi.

“Deklarata të tilla, letra boshe, nuk do t'i nënshkruajmë për sa kohë kemi përballë Serbinë që po shohim këto ditë, Serbinë e viteve '90, e cila na paralajmëron se gjërat nuk janë normale. Me një Serbi të tillë nuk do të nënshkruajmë letra dhe fraza për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë derisa të ndryshojë gjendja në Serbi”, tha ministri boshnjak.

Konakoviç kritikoi edhe reagimin e institucioneve të Bashkimit Evropian. Duke iu referuar deklaratave të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian António Costa për funeralin e Mlladiçit, ai kërkoi që përgjegjësia politike të mos kufizohej vetëm te disa zyrtarë serbë.

Sipas tij, institucionet evropiane po shmangin të përmendin drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si personin që ai e konsideron kryesisht përgjegjës për klimën politike të krijuar në Serbi.

Një ditë më parë, Konakoviç njoftoi edhe tërheqjen e pothuajse të gjithë personelit të Ambasadës së Bosnjë-Hercegovinës në Beograd. Ambasadori dhe konsulli do të mbeten në detyrë, pasi emërimi dhe shkarkimi i tyre është kompetencë e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të tërhiqet. Shërbimet konsullore pritet të kalojnë te ambasadat boshnjake në Zagreb dhe Podgoricë.

Konakoviç e lidhi edhe këtë masë me funeralin, ceremonitë përkujtimore dhe mesazhet publike në Serbi pas vdekjes së Mlladiçit.

Përplasja mund të ndikojë edhe në zgjedhjet e përgjithshme të Bosnjë-Hercegovinës të 4 tetorit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 2.425 shtetas të Bosnjë-Hercegovinës janë regjistruar për të votuar në Serbi. Konakoviq tha se autoritetet do të përpiqen të sigurojnë zhvillimin e votimit, por shtoi se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë edhe nëse votimi në ambasadën në Beograd nuk mund të organizohet.


Lajmi kryesor:

BE dënon Serbinë për varrimin e Ratko Mlladiçit, Von der Leyen dhe Costa: Pamjet ishin tronditëse! Bosnja dëbon 2 diplomatë serbë, u jep 48 orë të largohen