Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, mbrëmjen e sotme Sali Berisha ka mbledhur Kryesinë dhe sekretariatet e Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Berisha foli edhe për hetimet e SPAK ndaj drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet për bashkëpunim me Ergys Agasin, i arrestuar më herët për dosjen e AKSHI-t.
Teksa akuzoi zv.kryeministren Belinda Balluku për vjedhjen e miliona eurove, Berisha tha gjithashtu se drejtoresha e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni ka vjedhur sigurinë kombëtare të vendit.
“Ne mblidhemi në një kohë kur regjimi i Ramës ka marrë goditjet më të rënda në tërë ekzistencën e tij, diskreditimin më të madh. Ka humbur çdo legjitimitet që të qeverisë këtë vend. Qeveria më e damkosur në Europë dhe më gjerë. Shteti ligjor është zëvendësuar me shtetin e mafies. Zinxhiri i skandaleve nuk ka fund. Nëse Lubia ka vjedhur qindra miliona euro, lubia tjetër e SHISH-it ka vjedhur më të çmuarën e një kombi, që është siguria kombëtare. Me ligje personi më përgjegjës direkt i sigurisë kombëtare rezulton një anëtare e shëmtuar e një grupi të strukturuar kriminal, që e kemi quajtur grupi mafioz më i rrezikshëm në Europë”, tha mes të tjerash Berisha.
Më tej Berisha deklaroi se ‘grupi mafioz i AKSHI-t është grupi mafioz më i rrezikshëm në Europë’, pasi sipas tij, me urdhër të kryeministrit Edi Rama ky grup vendosi në kontroll të plotë dhe total internetin dhe komunikimin me internet për shqiptarët dhe të huajt në Shqipëri.
Berisha akuzoi gjithashtu Vlora Hysenin se vendosi në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, të dhëna me rëndësi të siguruara nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
“Grupi mafioz i AKSHI-t është grupi mafioz më i rrezikshëm në Evropë sepse ai vendosi me urdhër të Edi Ramës, në kontroll të plotë dhe total, internetin dhe komunikimin me internet për shqiptarët dhe të huajt në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një akt i pashembullt. Vendosi të gjitha këto të dhëna në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, armiqve të Shqipërisë dhe armiqve të partnerëve tanë”, shtoi Berisha.
Në përfundim Berisha tha se njeriu që përfaqësonte Shqipërinë në partneritetin më të rëndësishëm, atë me shërbimet e vendeve mike, drejtoresha e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni, rezulton sipas tij të jetë një anëtare e krimit të organizuar.
“Njeriu, që përfaqësonte Shqipërinë në partneritetin më të rëndësishëm, më delikat, më serioz, partneritetin me shërbimet e vendeve mike, rezulton se ishte një anëtare e grupeve më të rrezikshme mafioze kriminale. Rezulton se ajo ishte e padenjë për asnjë lloj besimi”, përfundoi Berisha.











Komente
Komento