Me angazhimin tek Forcat e Armatosura të atletëve elitarë, nga tetori nis diskutimi në Kuvend i ndryshimeve ligjore, për gradat ushtarake. Sipas projektligjit të hedhur për konsultim nga Ministria e Mbrojtjes parashikohet që gradën kolonel ta marrin sportistët të cilët thyejnë rekord olimpik, botëror, evropian. Po ashtu, këtë gradë do ta marrin dhe sportistët që marrin vendin e parë deri në vendin e tretë në Lojërat Olimpike/kampionat botëror, si dhe ata që marrin vendin e parë në kampionatin evropian.
Gradën nënkolonel do ta përfitojnë fituesit e vendit të dytë deri në vendin e tretë në kampionatin evropian dhe vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike. Kurse gradën major, do ta përfitojnë sportistët që arrijnë vendin e shtatë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike, vendin e katërt deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore dhe vendin e parë në Lojërat Mesdhetare.
Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, synojnë të mundësojnë përfshirjen e sportistëve elitarë në radhët e Forcave të Armatosura dhe krijimin e një strukture ku ata do të angazhohen. Në projektligj sqarohet se dhënia e këtyre gradave është honorifike që njësohen me gradën e ushtarakut aktiv vetëm për efekt trajtimi me pagë. Në projektligj është e mirëpërcaktuar se këto grada honorifike do të barazohen me gradën ekuivalente vetëm për efekt page dhe jo për benefite të tjera, siç mund të ketë ushtaraku aktiv i po të njëjtës gradë.
Komuniteti i sportistëve mirëpret këto ndryshime ligjore. Luiza Gega, Kampione e Europës në 3 000 metra me pengesa me kohën 9:11.31, e kontaktuar nga “Report TV” , e pyetur për ndryshimet ligjore u shpreh se:
"Është një lajm shumë i mirë për komunitetin e sportistëve dhe të gjithë sakrificave që kemi bërë për sportin. Ende nuk është zbardhur ligji final dhe nga informacionet që kemi, pranë Forcave të Armatosura do krijohet një grup me sportistë elitar, që do përfaqësojnë FA-të në aktivitete të ndryshme, ndërsa do kemi dhe pagë. Normalisht ne s’mund të jemi pjesë FA në kuptimin e mirëfilltë të angazhimit, pasi kemi aktivitetin tonë sportivë dhe axhendën e stërvitjes sonë sipas disiplinave përkatëse. Por, na është thënë që do marrim pjesë në aktivitete dhe në iniciativa të shumta që lidhen me FA. Unë kam marrë pjesë dhe në disa aktivite, si e punësuar në FA, pasi këtë ta lejon kuadri ligjor, por tashmë do ligjërohet pjesa e gradave."
Më tej, Gega, mbajtëse e rekordit të ri Europian, duke thyer me 6 sekonda atë të vendosur në vitin 2010 nga rusja Zaripova, tha se komuniteti sportiv ka rezerva lidhur jetëgjatësinë e gradave.
"Ne kemi patur tryeza diskutimi, ku na është marrë mendimi nga Ministri i Mbrojtjes. Po presim të zbardhet dhe vendimi final, pasi jemi në pritje të kuptojmë sesi është menduar të caktohet jetëgjatësia e gradës. Urojmë që të mos jetë e vlefshme vetëm për sa kohë ne kemi titullin kampion, por edhe përtej këtij afati, pasi ne sportistët që i kemi dedikuar jetën sportit dhe mbështetja na duhet kur të mos jemi më sportistë aktivë."
Lidhur me mbështetjen e qeverisë karshi sportistëve elitar duhet theksuar se tshmë pjesë e Forcave të Armatosura veç Luiza Gegës janë edhe Briken Calja. Indrit Cullhaj, Erkand Qerimaj, Nikol Merizaj, si dhe dy sportistët nga Kosova, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, që është në proçes aplikimi për tu bërë pjesë e FA.
Ndërkohë, Minitria e Arsimti dhe Sportit ka shpërblyer sipas përcaktimeve të VKM-së sportistët elitarë në bazë të arritjeve sportive. Në vitin 2021 nga shpërmblyen 14 sportistë dhe trajnerët prëkatës. Në vitin 2022, u trefishuan shpërblimet, duke i dhënë ato për 44 sportistë dhe trajnerët përkatës.