E kanë sabotuar, e kanë zvarritur, e kanë pezulluar. Madje e kanë shpallur dhe më pas e kanë anuluar, në Islamabad, vetëm pak javë më parë. Megjithatë, në atë tryezë tashmë të konsumuar mes amerikanëve dhe iranianëve, negociatat vazhdojnë dhe këtë herë duket se po zhvillohen seriozisht. Firmat – të paktën ato digjitale – tashmë janë vendosur.
Gjashtëdhjetë ditë. Kaq pritet të zgjasin negociatat që ndajnë Republikën Islamike të Iranit dhe Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje paqeje. Procesi pritet të nisë të premten, pasi delegacionet të nënshkruajnë fizikisht memorandumin e mirëkuptimit në Zvicër.
Nuk bëhet fjalë ende për një marrëveshje përfundimtare, por për një hyrje në fazën e dytë të negociatave, ku përcaktohen pikat minimale të përbashkëta mes palëve: rihapja e Ngushticës së Hormuzit, heqja e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe zgjatja me 60 ditë e armëpushimit të nënshkruar në prill. Nga e premtja nis pjesa më e vështirë e rrugës.
Plani për këto 60 ditë është tashmë i përcaktuar. Në qendër të diskutimeve do të jetë programi bërthamor iranian, pothuajse ekskluzivisht. Nuk do të diskutohen raketat balistike, Hezbollah-u apo Hamasi.
Presidenti amerikan Donald Trump siguroi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet plotësisht të premten. Trump duket se ka vendosur tashmë në tryezë lëshimet e tij. Sipas burimeve, ai është i gatshëm të njohë të drejtën e Iranit për një program civil bërthamor, në linjë me marrëveshjen e vitit 2015, JCPOA-në e administratës së Barack Obamës, të cilën vetë Trump e anuloi gjatë mandatit të tij të parë.
Në këmbim, Uashingtoni kërkon garanci që Teherani të mos ketë mundësi të prodhojë armë bërthamore. SHBA-ja ka propozuar një ndalim 20-vjeçar të pasurimit të uraniumit, ndërsa Irani ka ofruar pesë vjet. Pika e kompromisit mund të jetë rreth 10 vite.
Sipas draftit, Irani do të angazhohej të mos kalonte nivelin e nevojshëm për përdorim civil të uraniumit dhe të dorëzonte rreth 450 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%, material që do të hollohej dhe do të monitorohej nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Opsioni më i mundshëm mbetet eksportimi i këtij materiali, ashtu si në vitin 2015 kur Irani dërgoi në Rusi 98% të rezervave të tij.
Nga ana tjetër, regjimi iranian ka nevojë urgjente për përfitime ekonomike. Njerëzit pranë Mojtaba Khameneit kërkojnë zhbllokimin e 24 miliardë dollarëve të ngrirë jashtë vendit, dhe sipas burimeve, gjysma e kësaj shume mund të lirohet menjëherë.
Megjithatë, amerikanët kanë vendosur një kusht të qartë: përfitimet do të varen nga veprimet konkrete. Fillimisht duhet të dorëzohet materiali bërthamor, të rihapet Ngushtica e Hormuzit dhe të ndërpritet mbështetja për grupet e armatosura. Vetëm më pas do të vijnë përfitimet ekonomike.
Në letër, marrëveshja ekziston tashmë. Por në praktikë mjafton shumë pak që ajo të dështojë.
Rreziku i parë quhet Liban. Për Teheranin, armëpushimi duhet të përfshijë edhe aleatin e tij Hezbollah. Nëse Izraeli vazhdon sulmet ndaj Bejrutit, Irani mund ta konsiderojë marrëveshjen të shkelur dhe të reagojë. Për këtë arsye, Teherani kërkon prova se Trump është në gjendje të frenojë aleatin e tij izraelit.
Rreziku i dytë është koha. Irani ka një histori negociatash të gjata dhe të lodhshme, ku çdo detaj diskutohet deri në fund. Por këtë herë përballë ka Trump-in, i njohur për mungesën e durimit. Zgjidhja e një mosbesimi që zgjat prej dy dekadash brenda vetëm dy muajsh duket shumë e vështirë. Nuk përjashtohet mundësia që afatet të shtyhen.
Rreziku i tretë, më i heshturi, janë vetë popujt. Kundërshtarët politikë në të dy vendet mund ta konsiderojnë çdo kompromis si tradhti. Sapo marrëveshja të marrë formë, pritet që presioni ndaj negociatorëve të rritet ndjeshëm. Kjo ka ndodhur edhe më parë në Iran.
Megjithatë, përtej të gjitha pengesave, një fakt mbetet i qartë: as Irani dhe as Shtetet e Bashkuara nuk duan më luftë. Të dyja palët kanë nevojë ta paraqesin fundin e konfliktit si një fitore.
Por një e vërtetë po bëhet gjithnjë e më e dukshme në Teheran dhe Uashington: askush nuk mund të fitojë vërtet. Për sa kohë që secila palë pretendon se mund ta shkatërrojë tjetrën, krizat do të vazhdojnë. Rruga e vërtetë drejt zgjidhjes nis vetëm atëherë kur të dyja palët të ndalojnë së pretenduari të kundërtën.
Ndërkohë sot, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur se përmes luftës kundër Iranit gjatë kësaj kohe, është arritur të shmanget rreziku i shfarosjes së vendit të tij. Ai tha gjithashtu se lufta e Izraelit ende nuk ka përfunduar, duke lënë të nënkuptohej pavarësi në veprimet e Izraelit, pavarësisht marrëveshjes SHBA-Iran.
Duke folur këtë pasdite pas takimit të tij dypalësh me Presidentin francez Emmanuel Macron në samitin e G7 në Evian, Presidenti i SHBA-së Donald Trump siguroi se "Ngushtica e Hormuzit do të jetë plotësisht e hapur të premten".
Deklarata e Trump vjen pas lajmërimit të arritjes së një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit, për t’i dhënë fund konfliktit.
![]()
Një zyrtar i lartë amerikan tha të hënën në një telefonatë me gazetarët se detajet e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar nga SHBA-të dhe Irani do të publikohen publikisht brenda "24 deri në 48 orësh".
Zyrtarë të lartë të administratës thanë se Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua elektronikisht nga Presidenti Donald Trump dhe Zëvendëspresidenti JD Vance, si dhe nga Kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf.
Një ceremoni zyrtare nënshkrimi do të zhvillohet më vonë këtë javë në Gjenevë, duke nisur një periudhë 60-ditore për të dyja vendet për të arritur një marrëveshje përfundimtare paqeje.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian është shprehur se marrëveshja e arritur me SHBA-në është e rëndësishme, por jo një marrëveshje përfundimtare.
"Ajo që është rënë dakord përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndalimit të luftës dhe fillimit të negociatave, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare", shkroi Presidenti iranian Masoud Pezeshkian në X.
Më tej Presidenti iranian tha se përparësia e qeverisë së vendit mbetet shërbimi me sinqeritet ndaj popullit, i cili sipas tij nuk i nënshtrohet kurrë poshtërimit.
"Republika Islamike e Iranit është e gatshme për të gjitha opsionet, dhe me ose pa një marrëveshje, përparësia e qeverisë mbetet t'i shërbejë popullit me sinqeritet. Populli iranian ka mësuar nga Imami i tyre martir të mos i nënshtrohet kurrë poshtërimit", shtoi ai.
Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se "pas diskutimeve intensive, shumica dërrmuese e anëtarëve të Këshillit të Lartë mbështetën tekstin e memorandumit të mirëkuptimit në mënyrë që të testojë konkretisht vullnetin e vërtetë të Shteteve të Bashkuara për të respektuar të drejtat e popullit iranian".
"Memorandumi i hartuar është rezultat i muajve të negociatave dhe përpjekjeve të vazhdueshme në këtë drejtim, dhe nëse të gjitha dispozitat e tij zbatohen siç duhet, ai mund të konsiderohet një dokument krenarie për vendin", theksoi Pezeshkian.

Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se sëbashku me SHBA-në, ata e shpëtuan Izraelin nga kërcënimi i shfarosjes.
"Njerëzit pyesin se çfarë kemi arritur dhe përgjigjja është: ne kemi hequr kërcënimin e menjëhershëm të asgjësimit", tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një konferencë për shtyp.
Më tej Netanyahu deklaroi se lufta e Izraelit ende nuk ka mbaruar, pavarësisht arritjes së një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit.
"Lufta jonë nuk ka mbaruar ende", deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një konferencë për shtyp mbi marrëveshjen SHBA-Iran.

Irani ka deklaruar se ndërprerja e sulmeve të Izraelit ndaj Libanit është një "pjesë integrale" dhe "pjesë e pandashme" e memorandumit të mirëkuptimit të arritur me Shtetet e Bashkuara, i cili pritet të nënshkruhet në ditët në vijim.
"Libani dhe fundi i luftës në Liban janë një pjesë integrale e marrëveshjes (me SHBA-në) për t'i dhënë fund konfliktit", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, sipas Mehr.
"Sipas këtij memorandumi mirëkuptimi, pala amerikane është e detyruar të heqë të gjitha sanksionet", tha zyrtari, duke shtuar se Uashingtoni do të angazhohet gjithashtu për të marrë masa për të shkrirë asetet e ngrira iraniane dhe për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga konflikti.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se anijet po fillojnë të largohen nga Ngushtica e Hormuzit.
Komentet Trump i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, në një kohë që është lajmëruar arritja e një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftimeve.
"Anijet kanë filluar të lëvizin, shumë prej tyre të ngarkuara me naftë, nga Ngushtica e Hormuzit. Ato po përdorin kalimin jugor, që është absolutisht i sigurt dhe i pastër. Ka edhe korsi të tjera detare!", shkroi Presidenti Trump në rrjetet sociale.
Komente






