Pas OFL-së, qeveria strukturë speciale për goditjen e njerëzve të korrupsionit, zbulohet plani për gjurmimin e pasurive

TIRANË- Pas goditjes së njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, izolimit fizik dhe sanksioneve ekonomike, bazuar në aktin normativ anti-krim që po zbatohet nga OFL-ja, qeveria ‘Rama’ po planifikon të godasë njerëzit e korrupsionit. Një sektor i posaçëm, i ngjashëm me Operacionin Forca e Ligjit, do të ngihet për të zbuluar dhe hetuar pasuritë që rrjedhin nga veprimtaria e korrupsionit. Njësia e re speciale parashikohet në dokumentin qeverisë për strategjinë kundër korrupsionit për periudhën 2020-2023. Njësia parashikohet të funksionojë gjatë vitit 2021, ndërsa rezultatet e hetimit rreth pasurive të korrupsionit do t’i referojë në SPAK.

Plani i qeverisë parashikon gjithashtu ngritjen e një njësie tjetër qendrore vetëm për hetimin e krimit ekonomik financiar. Struktura e dytë do të përbëhet nga 20 oficerë të përzgjedhur nga studentët e ekselencës, të cilët do trajnohen në Akademinë e Sigurisë. Strategjia parashikon edhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore për hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit. Skuadrat e përbashkëta hetimore parashikohen edhe në ligjin për SPAK. Në dokument parashikohet gjithashtu një monitorim proaktiv dhe i vazhdueshëm i medias së shkruar dhe elektronike, rrjeteve sociale, për denoncimin e korrupsionit.

Strategjia anti -korrupsion parashikon edhe monitorimin e institucioneve si dhe rezultatet për goditjen e korrupsionit në nivele të larta si dhe konfiskimin e pasurive të zyrtarëve. “Rritja e efektivitetit të hetimeve (që ndër të tjera, përfshinin hetime financiare dhe procedura të gjurmimit të pasurive) pritet që, ndër të tjera, të rrisë numrin e kërkesave për sekuestrim të paraqitura nga Prokuroria në Gjykatë”, thuhet në dokument.

Lufta kundër korrupsionit është një nga pesë kushtet kyçe të vendosura nga BE për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Brukseli ka disa vite që kërkon krijimin e një historiku me hetime, akuza penale dhe dënime përfundimtare të zyrtarëve të lartë për korrupsionin. Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka konsideruar korrupsionin si një rrezik për sigurinë kombëtare.

( Kliko këtu për të lexuar planin e ri të qeverisë për të ndaluar korrupsionin)

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Astrit: 07/08/2020 17:32

    Filloje me rilindasit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës