Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, propozoi të hënën rishikimin e imunitetit ligjor të ministrave dhe statusit të punësimit të përjetshëm për punonjësit e shtetit, duke thënë se vendi ka nevojë për ndryshime të guximshme për të rifituar besimin e votuesve.

Lëvizja e Mitsotakis vjen pas skandalit të korrupsionit që prek disa fermerë, të cilët me ndihmën e punonjësve shtetërorë, dyshohet se kanë mashtruar për pronësinë e tokës për të përfituar subvencione. Çështja u zbulua nga prokurorët e Bashkimit Europian në vitin 2025 dhe aktualisht po shqyrtohet nga parlamenti grek.

Zemërimi publik është shtuar edhe nga reagimi i qeverisë pas aksidentit tragjik të trenit në vitin 2023, ku humbën jetën 57 persona. Ngjarja nxiti protesta masive në të gjithë vendin dhe një proces gjyqësor pritet të nisë muajin e ardhshëm, me kërkesa për përgjegjësi politike.

Në një letër drejtuar deputetëve të tij dhe në një fjalim televiziv, Mitsotakis tha se “bota e vitit 2026 është ndryshe” dhe se ka ardhur koha për rishikim kushtetues, duke vënë në pikëpyetje edhe sigurinë e përjetshme të punës në administratën publike, një praktikë që ekziston prej më shumë se një shekulli.

Sipas Kushtetutës greke të vitit 1975, që është amenduar katër herë deri tani, vetëm parlamenti mund të hetojë ministra ose të heqë imunitetin e deputetëve. Për të hyrë në fuqi, ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen nga dy parlamente radhazi dhe të sigurojnë një shumicë të cilësuar prej 180 deputetësh në të paktën një votim.

Mitsotakis dhe partia e tij erdhën në pushtet në vitin 2019 dhe morën një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit 2023.