“Ne do ta qeverisim vendin derisa të ketë një tranzicion të sigurt dhe të drejtë për popullin venezuelas, derisa të mund të realizojmë një tranzicion të sigurt”. Pak orë pas kësaj deklarate të presidentit Donald Trump dhe arrestimit të Maduros, Gjykata e Lartë në Karakas, vendos që në ditët më të vështira, Venezuela të drejtohet nga një grua. Ajo nuk është fituesja e çmimit Nobel, opozitarja Maria Corina Machado, por zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez. Sipas kushtetutës së vendit, Gjykata i transferoi asaj të gjitha fuqitë dhe kompetencat e Presidentit me qëllim garantimin e vazhdimësisë administrative dhe mbrojtjes së plotë të kombit.
56-vjeçarja, vajza e një udhëheqësi marksist të vrarë në burg, është dalluar për shkak të aftësisë së saj për të dialoguar me elitat ekonomike dhe aktorët e huaj. Me origjinë nga Karakasi Rodriguez, studioi drejtësi dhe për më shumë se 20 vjet, ajo ishte një figurë kryesore e Chavismo, lëvizjes politike të themeluar nga Hugo Chávez dhe e drejtuar më pas nga Maduro.
Së bashku me vëllain e saj, Jorge Rodríguez, aktualisht kryetar i Asamblesë Kombëtare, ajo ka mbajtur poste kyçe që prej epokës Chávez. Si ministre e Informacionit, ministre e Jashtme dhe më pas presidente e Asamblesë Kushtetuese.
Në vitin 2018, Maduro e emëroi zv/presidente, post që ajo e mbajti edhe gjatë mandatit të tretë presidencial të nisur në janar 2025. Paralelisht, Rodríguez ka qenë autoriteti kryesor ekonomik i vendit dhe ministre e Naftës. Dhe është pikërisht ky rol i fundit që e vendos atë në një pozicion të privilegjuar negociues. Pas komenteve të Trump, Rodriguez u shfaq publikisht pranë besnikëve të Maduros, duke kërkuar lirimin e presidentit dhe dënoi operacionin amerikan, duke e cilësuar shkelje flagrante të sovranitetit dhe së drejtës ndërkombëtare.
Orët e ardhshme do të jenë vendimtare në përcaktimin nëse zëvendëspresidenti apo anëtarë të tjerë të lëvizjes Chaviste do të qëndrojnë në pushtet në marrëveshje me Uashingtonin. Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se ka zhvilluar një bisedë me Rodríguez, duke lënë të kuptohet se ajo mund të jetë e hapur për bashkëpunim me Uashingtonin në një fazë të re për Venezuelën. Por në daljen e saj publike, Rodriguez tha se “Ka vetëm një president në këtë vend dhe emri i tij është Nicolás Maduro Moros”.
Komente










