Pas takimit me Macron, Mickoski shprehet optimist për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Pas takimit me Macron, Mickoski shprehet optimist për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Takimi mes Emanuel Macron dhe Hristijan Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk zhvilloi takim me presidentin bullgar, Rumen Radev, gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Hungari më 7 nëntor.

Megjithatë, ai të premten është kthyer optimist nga Budapesti për integrimin evropian të vendit, sidomos pas takimit dypalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

“Takimi që kryeministri Hristijan Mickoski pati dje [e enjte, 7 nëntor] në Budapest me presidentin francez është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se Emmanuel Macron është padyshim lideri i Evropës në këtë moment”, tha të premten zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski.

Nikoloski vuri në dukje se situata politike në Gjermani e bën “Macronin lider të padiskutueshëm të Evropës në këtë periudhë”.

“Ai [Emmanuel Macron] është politikani që ka mbështetjen më të lartë dhe mandatin më të qëndrueshëm brenda Bashkimit Evropian nga të gjitha vendet e mëdha anëtare. Fakti që në një konferencë njëditore [Macron] gjen kohë për t’u takuar me kryeministrin e Maqedonisë [së Veriut], mendoj se flet shumë për autoritetin personal që ka kryeministri Mickoski dhe për reputacionin që gëzon Maqedonia[e Veriut]”, shtoi Nikoloski.

Për takimin me Macron kryeministri Mickoski informoi të enjten, duke nënvizuar se kanë diskutuar për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Kurse të premten, gjatë ditës, përmes një video-mesazhi, Mickoski bëri të ditur se në Budapest ka zhvilluar edhe takime tjera dypalëshe, duke mos përmendur emra.

“Do të vazhdojmë të luftojmë për Maqedoninë [e Veriut], në javët, muajt dhe vitet që vijnë. Duhet të kemi sukses. Duhet të jemi aty ku meritojmë dhe kjo është një histori e suksesshme evropiane, dhe vendi ynë është brenda Bashkimit Evropian. Jam edhe më optimist se duhet të jemi dhe do të jemi”, ka thënë Mickoski.

Fillimisht, në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Hungari pritej që nikoqiri, kryeministri hungarez Viktor Orban, të ftonte Mickoskin dhe Radevin në një tryezë të përbashkët për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane, por zëvendëskryeministri Nikoloski deklaroi se nuk ka informacion për një takim të tillë.

Ndërkohë, në fjalimin e tij në samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidenti bullgar, Rumen Radev, theksoi se BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje procesit të zgjerimit. Ai nënvizoi se ky proces do të garantojë sigurinë e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se çdo vend kandidat duhet “të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe të përmbushë detyrimet ndërkombëtare dhe vendimet e bllokut.”

Ndërsa autoritetet në Maqedoninë e Veriut janë optimistë për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kandidatja për komisionare për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, mendon ndryshe. Të enjten, gjatë seancës për konfirmimin e kandidaturës së saj, ajo iu përgjigj pyetjeve të eurodeputetëve bullgarë lidhur me ndryshimet kushtetuese - me zbatim të prolonguar - duke thënë se Shkupi duhet të ndryshojë Kushtetutën, siç është premtuar.

“Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, theksoi Kos.

Edhe Komisioni Evropian në raportin e këtij viti, iu referua miratimit të ndryshimeve kushtetuese si një element kyç për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Me gjithë përpjekjet, deri më tani nuk është bërë përparim në miratimin e amendamenteve kushtetuese, për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe janë pjesë e kombeve të tjera, si bullgarët, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të Evropës nga 18 korriku 2022, të cilat vendi është zotuar t’i zbatojë”, thuhet në raport.

Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Qeveria në Shkup ka propozuar që edhe nëse i bënë ato, të jenë me zbatim të prolonguar, një ide kjo që është përjashtuar nga Bashkimi Evropian.

Kreu i Delegacionit të BE-së në Shkup, Mikalis Rokas, gjatë prezantimit të këtij raporti në Shkup, javën e kaluar, tha se forcat politike në Maqedoninë e Veriut duhet të bashkohen për të zbatuar këto ndryshime. /REL/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore