Seanca plenare e së enjtes nisi dhe përfundoi me rrëmujë.
Mes kaosit e rrëmujës, 7 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar u votëbesuan të enjten në Kuvend. Ndërsa nisi votimi për secilin prej ndryshimeve, Berisha dhe deputetë të tjerë të PD zaptuan foltoren.
Për Albana Koçiun zv.kryeministre, Toni Gogun Ministër të Drejtësisë, Besfort Lamallarin të Brendshëm, Erjona Ismailin Ministre Shteti për Parlamentin, Ferit Hoxhën kryediplomatin e ri, Ermal Nufi te Mbrojtja si dhe për Enea Karakaçin, që zëvendëson Belinda Ballukun te Infrastruktura dhe Energjia, votës së socialistëve iu bashkuan edhe kartonët jeshilë të deputetëve të Partisë Social-Demokratike.
Hoxha, Karakaçi dhe Nufi, që vijnë rishtazi në qeveri, votëbesimin e ndoqën nga lozhat e Kuvendit.
Ministrat e rinj do të betohen te Presidenti në orën 10:00, në një ceremoni që do të mbahet në Pallatin e Brigadave.
Kuvendi votoi edhe shkarkimet e tashmë ish ministrave, me dekretin për Belinda Ballukun që më shumë se të tjerët mori shumicë të cilësuar, 85 vota pro shkarkimit.
Për votimin e ndryshimeve të propozuara prej tij, në seancë nuk mori pjesë kryeministri Edi Rama. Mungoi edhe vetë Balluku, që me shkarkimin nga 2 detyrat në qeveri, tashmë do të duhet të zërë një karrige mes deputetëve socialistë.
Debate pati edhe për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Opozita kërkoi të futet në rend dite raporti i saj pro heqjes së imunitetit të Ballukut. Gazment Bardhi tha se mazhoranca po zgjat shqyrtimin dhe ka mbetur vetëm një javë që kërkesa të konsiderohet e rrëzuar. Ndërsa kreu i grupit të PS, Taulant Balla iu përgjigj se janë brenda afatit 2 javor për të hartuar raportin e tyre, të cilin do ta sjellin në Kuvend seancën e 12 marsit bashkë me raportin e opozitës.
Drejt përfundimit të seancës, e cila u mbyll në orën 20:55, shpërtheu një sherr fizik mes kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës dhe deputetit të PD, Klevis Balliut. Ndërsa fliste për integrimin, Balla tha: “Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’u merrnim në telefon dhe t'ju pyesnim si duhet bërë. Për ty Albana kemi numrin 0900”.
Deklarata e tij u prit me kundërpërgjigje me fyerje nga Gazment Bardhi që tha: “Ndyrësirë, i pafytyrë, burrë legen, je mësuar me *urvat që ke në partinë tënde ti. Kujt i tregon 0900. 0900 e ka jot motër numrin”.
Seanca u ndërpre, ndërsa jashtë Kuvendit, Jorida Tabaku tha se PD do të dërgojë kërkesë për përjashtimin e Ballës.
Gjatë ditës, u zhvilluan gjithashtu dy seanca pyetje-përgjigje, të kërkuara nga Erion Braçe me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron për përfundimin dhe hapjen e shkollës “Edith Durham” në kryeqytet, si dhe me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, për tokën publike pranë lumit Seman ku ka pretendime për t’u kthyer në pronë private.
Në seancë u miratuan 4 projektligje dhe u rrëzuan 2.
Projektligji për trajtimin e barabartë të mësuesve u miratua me 81 vota pro, ndërsa deputetja e PD, Ina Zhupa, u shpreh se mazhoranca e vodhi këtë projektligj dhe e la ‘gjysmak’.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave (huamarrësi), dhe KfË Frankfurt am Main (KfË), për programin “Infrastruktura bashkiake V – faza II”” u miratua me 81 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.
Projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, u miratua me 81 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar”, u miratua me 81 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.
Projektvendimi "Për miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr.97, datë 4.3.2026, për shkarkimin e znj.Belinda Ballukut nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë u miratua me 85 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.
Projektvendimi "Për miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr.98, datë 4.3.2026, për shkarkimin e znj. Elisa Spiropalit nga posti i ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, u miratua me 83 vota pro, 2 kundër dhe 0 abstenim
Projektvendimi "Për miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr.99, datë 4.3.2026 për shkarkimin e z.Pirro Vengu nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Projektligjet që u rrëzuan:
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar” u rrëzua me 79 vota kundër, 0 kundër, 0 abstenim
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, u rrëzua me 78 vota kundër, 0 kundër, 0 abstenim.
Komente












