TIRANË- Nuk kishte ndodhur kurrë në historinë 30-vjeçare të parlamentarizmit shqiptar që në një hapje të një Legjislature të Kuvendit, shtëpisë së debatit politik, e gjithë vëmendja të drejtohej jo më nga godina e Parlamentit por në një seli partie politike.

Gjithçka bëri lajm sot ndodhi në Partinë Demokratike,  ku 'lufta' mes liderit historik dhe kreut aktual hapi siparin. Pasi u përjashtua nga Lulzim Basha si anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, ish-Kryeministri Sali Berisha e sfidon hapur vendimin e kryetarit, duke e quajtur atë si 'nul' dhe se ai vazhdon të jetë jetë anëtar i grupit dhe se në selinë blu mund të futet kur të dojë.

'Kryengritjes' së Sali Berishës iu bashkuan disa dhjetëra ithtarë të tij të revoltuar që lëshonin edhe lumë sharjesh ndaj Bashës, por jo vetëm! Berishën e pritën poshtë shtëpisë së tij por edhe e shoqëruar në hyrje të Kuvendit 3 prej deputetëve më të vjetër të Partisë Demokratike, që thyen urdhrin e Bashës. Flamur Noka, Tritan Shehu dhe Edi Paloka, nënkryetari e PD-së kanë dalë hapur kundër vendimit të Lulzim Bashës, për ta përjashtuar ish-kryeministrin nga grupi parlamentar i PD-së.

Berisha doli nga makina dhe me dy gishtat lart, para simpatizantëve tha se përjashtimi i tij është një pazar i turpshëm i Lulzim Bashës dhe  Edi Ramës, por shprehet i bindur se nga kjo betejë do të dalë më fortë. Simpatizantët e pritën me lule dhe brohoritje në grup “Lulzim Basha, tradhtar” dhe “Poshtë Amerika”.

Ndërkohë, Lulzim Basha pas 2 viteve e gjysmë jashtë u rikthye sot në Kuvend, por rruga që ndoqi, ishte e ndryshme nga ajo që ka bërë në legjislaturat e kaluara. Ai zgjodhi rrugën nga Kalaja e Tiranës dhe jo nga xhamia, kjo për të shmangur simpatizantët e Sali Berishës që ishin pozicionuar në hyrje të Kuvendit.  

Pas përfundimit të seancës Basha, i cili gjatë gjithë kohës e tregonte në mimikat e tij situatën e vështirë në të cilën ndodhet, kishte vetëm një mesazh: Ka vetëm një armik dhe ai është Edi Rama”.  Ai refuzoi që të tregojë nëse ka pasur presione për të përjashtuar nga grupi i PD-së Sali Berishën.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:09
FOTOLAJM/ Besnikë të Berishës që nga mëngjesi deri në darkë, Paloka dhe Ndoka shkojnë e marrin në shtëpi, Shehu e pret i vetëm te dera e Kuvendit

1631286560_shehuu.jpg

Tritan Shehu, Edi Paloka dhe Flamur Ndoka po qëndrojnë besnikë të Sali Berishës nga mëngjesi deri në darkë. Teksa ka nisur seanca e dytë plenare ish-kryeministrin e kanë pritur në derë të shtëpisë për ta shoqëruar deri në Kuvend, Edi Paloka nënkryetari i PD dhe Flamur Noka. Kurse i vetëm në derë të Kuvendit po i pret Tritan Shehu.

Ora 16:24
'Bëri shumë keq!' qytetarët kundër Bashës për përjashtimin e Berishës: Zgjodhi rrugën e Ramës, që flaku Fatos Nanon

Qytetarët në Tiranë nuk janë dakord me vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e ish-kreut të PD-së Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së. Në një prononcim të shkurtër për Report Tv një qytetarë thotë se ai zgjodhi rrugën e Edi Ramës, të cilin e mori Fatos Nano nga Franca dhe e ky më pas e hoqi, me të njëjtën mënyrë sipas saj veproi edhe Basha që hoqi Berishën.

'Bëri shumë keq të isha unë do flakja Bashën. Basha zgjodhi rrugën e Ed Ramës. E mori Fatos Nano nga Franca e solli këtu i dha krah e hoqi ky Fatos Nanon. dhe ky emri Sala nga student e bëri, a mbajti në gji Sala dhe tashi fshatari dhe gjarpri!'- tha një qytetarë.

Ndërkohë të tjerë vunë theksin tek zgjedhja Bashës në krye të PD-së, ku thanë se ai ishte një person që e ka vënë Berisha aty.

'Shumë keq bëri Basha!

Shumë gabim ka bërë sepse Berisha e vuri Bashën aty ku është!

Jo, Basha është është një gur që vuri Berisha në murin e PD-së. Më mirë të thoshtë me jepni provat, është një person që ka negativitete dhe pozitivitete, por nuk mund ta fajësojë Berishën nga 8 vite e këtej

Berisha e bëri Bashën deputet dhe kryetar partie. Rama e bëri, qëq të përjashtosh Berishën ka disa kushte. Basha ka marrë ca njerëz servila që i mban aty. Berisha është lidër historik!- thanë disa qytetar.

'Duhet të ishte përjashtuar më kohë!'- tha një tjetër.

Ora 12:28
Ish-deputeti i PD për Berishën: Doktor je ulur në karrigen time që dikur nuk e llogarisje! Unë nuk e turpërova atë, po ti do ta nderosh dot?!

Ish-deputeti i PD, Fatos Hoxha ka ironizuar Sali Berishën për mënyrën e turpshme të ikjes së tij nga Partia Demokratike. Me tone sarkastike, ai shkruan se u gëzua kur e pa Berishën të ulur në rreshtin e parafundit të Kuvendit, pasi ai është pikërisht vendi ku ulej edhe ai. Duke i zgjuar kujtime nga e shkuara, ai shprehet se dikur ai dhe kolegët e tij që uleshin në atë pozicion ishin vetëm “Back Bencher”, ndërsa sot është AI, Sali Berisha një “Back Bencher”.

Çfarë është Beck Bencher? Një person i cili është mbështetës i një partie por nuk mban poste drejtuese. Hoxha i ka kujtuar përmes rreshtave që ka shkruar Berishës, kohën kur ai thoshte “Votat e tyre kundër nuk do të mbahen shënim!”.

Ish-deputeti i PD, nuk la papërmendur edhe momentin kur pikërisht këtë grup “të radhës së parafundit” ai e përzuri nga partia. Hoxha me tonë nostalgjike, kujton se në kohën kur ulej në atë karrige populli respektonte. Ndërsa në fund i ka drejtuarat Berishës edhe një pyetje retorike “Po ti, do ta nderosh dot?”.

Ora 12:19
Pasi përjashtoi Berishën, Basha deputetëve me dyer të mbyllura: Philip Reeker  me erdhi në zyrë vetë me këtë kërkesë, s’pranonte asnjë negociatë

Lulzim Basha duket se ka qenë me shpatulla pas murit kur ka marrë vendimin për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së. Në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura të Grupit të PD, Basha i ka shpjeguar deputetëve se ka qenë nën një presion të jashtëzakonshëm amerikan.  Gazeta “Panorama.al” ka zbardhur debatin  e mbledhjes përmes burimeve të besueshme në sallë.

"Vendimi ndaj Berishës ka qenë vendimi më i vështirë për mua. Ju e dini shumë mirë marrëdhënien time ndër vite me Berishën. Kemi bërë disa arritje bashkë. Vendimi është marrë vetëm në të mirë të Partisë Demokratike. Unë nuk doja që të përçaja Partinë Demokratike, ndaj mora një vendim personal. Në këto dy muaj e gjysmë unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në SHBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjidhëm dot problemin. Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë.

Na është bërë i qartë vendimi i DASH për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, edhe të Sali Berishës. Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht përpjekjes sime për të arritur një dakordësi. Nëse nuk do ta merrja këtë vendim, nuk do të kishim asnjë interlokutor dhe nuk do të kishim ku kërkonim transparencë", shkruan Panorama se ka thënë Basha.

Ora 11:16
VIDEOLAJM/ Simpatizantët e Berishës te selia e PD, 'ndjekin' nga pas Bashën, shpërthejnë në kor kundër tij: Turp, mos e bëfsh pikën e hajrit! O i degjeneruar

Vendimi i Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së ka nxitur jo pak zemërimin e simpatizantëve të ish-kryeministrin.

Në selinë e PD-së u mblodhën sot një numër simpatiznatësh të Berishës, të cilët 'ndoqën' nga pas Bashës pasi doli nga ndërtesa për të shkuar në Kuvend, duke shpërthyer në kore kundër tij.

"'Po pse mo Lul pse", 'mos e bëfsh pikën e hajrit', 'turp', o i degjeneruar'", i drejtohen ata Bashës.

Ora 10:48
VIDEOLAJM/ Basha i drejtohet Kuvendit, simpatizantët e PD i hakërrehen te Selia: Ku e keni Berishën mor plehra! Turp, turp

 

Acarimi i mbështetësve të Sali Berishës për përjashtimin e ish-liderit të PD nga grupi parlamentar ka arritur kulmin mëngjesin e sotëm. Disa prej tyre janë mbledhur në hyrje të Selisë Blu dhe kanë hedhur akuza ndaj kryetarit të PD. 

"Pse nuk është këtu Sali Berisha o plehra", dëgjohet njëri të thotë.

"Turp, turp", thotë një tjetër.

Ora 10:35
Sot në Kuvend i ndarë nga Sali Berisha, Basha: Ka vetëm një armik dhe ai është Edi Rama

 

“Ka vetëm një armik dhe ai është Edi Rama”, kështu ka deklaruar Lulzim Basha për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku. Ai ka refuzuar që të tregojë nëse ka pasur presione për të përjashtuar nga grupi i PD-së Sali Berishën.

Ora 10:34
Berisha sfidon Bashën: Jam anëtar i Grupit të PD, në parti mund të futem kur të dua! Filloj aksionin statusor dhe ligjor

Sali Berisha nuk e pranon vendimin e Lulzim Bashës për ta përjashtur nga Grupi Parlamentar i PD. 

"Në Kuvendi më i motivuart se kurrë në jetën time për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë, interesin kombëtar të kombit shqiptar, për të dënuar të gjitha aferat e këtij regjimit të kakistokracisë, regjim i cili ka zgjedhur shpifjet, trillimin, kurthet, pazaret për eliminimin e opozitarizmit shqiptar. Së çfarë date është pakti do t'ia lë historianëve, ajo që ndodhi është strikt një marrëveshje Rama Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë

Jam i bindur se demokratët shqiptarë do të vendosin PD në piedestalin që i takon.  do të marrë çdo nismë ligjore, statusore brenda PD, për ta kthyer aty ku i takon. Unë jam kryetar i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike. Vendimi është 'un en voi'. Në çdo kohë mund të hyjë në Seli dhe të jeni të sigurt ju që do të jetë shumë e afërt dita kur PD do të rifitojnë forcën", tha Berisha.

Ora 10:24
FOTOLAJM/ Kryemadhi dhe Berisha në rresht të parafundit në Kuvend, i ndan Tritan Shehu

Në Kuvend, Sali Berisha nuk ishte më në rreshtat e dytë në karrigen e katërt. Ulësen në sallën plenare e gjeti pranë kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në rreshtin e parafundit, larg grupit parlamentar të PD-së. Në të majtë të tij qëndronte Tritan Shehu, i cili i doli kundër vendimit të kryetarit të tij, Lulzim Basha.

Ora 10:01
VIDEO-LAJM / Simpatizantët e Berishës e presin me lule dhe 2 gishta lart! Mesazh, Bashës: Tradhtar, poshtë Amerika dhe Edi Rama

 

Simpatizantë të Sali Berishës, të mbledhur në hyrjen kryesore të Kuvendit të Shqipërisë, kanë lëshuar thirrje kundër Lulzim Bashës pas përjashtimit të ish-Kryeministrit nga grupi parlamentar i PD.

"Tradhtar, poshtë Amerika, poshtë Edi Rama", kanë qenë disa prej thirrjeve të tyre.

 

Ora 10:01
FOTO-LAJM/ Berisha ndez turmën para parlamentit, simpatizantët i hedhin lule mbi makinë: Përjashtimi im pazar i turpshëm i Bashës dhe Ramës

 

Sali Berisha i ka treguar sot Lulzim Bashës për influencën që ka në partinë Demokratike. Ai është przitur nga simpatizantët, teksa i hodhën karafila ngjyrë vjollcë. Në fjalën e tij, ai tha se përjashtimi i tij është një pazar mes Bashës dhe Ramës. 

"Pazar i turpshëm i Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, do dal nga kjo betejë më e fortë, rroftë PD, rroftë Shqipëria", tha Berisha. 

Ora 09:50
Seanca e parë, mbërrijnë deputetët e parë! Simpatizantë të Berishës mblidhen para Kuvendit

 

Teksa deputetët po vijnë një nga një në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, para godinës janë mbledhur disa dhjetëra simpatizantë të ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili u përjashtua dje nga grupi parlamentar i PD.

Ata janë mbledhur për të shprehur mbështetjen e tyre, madje disa edhe janë përplasur verbalisht me policinë aty.

Ora 09:48
Mbyllet mbledhja në PD, Basha dhe deputetët i drejtohen parlamentit pas 30 muajsh mungesë

 

Mbyllet mbledhja në PD, Basha dhe deputetët i drejtohen parlamentit pas 30 muajsh mungesë.