Qeveria japoneze ka publikuar një video të kryeministrit Fumio Kishida duke ngrënë peshk të papërpunuar të kapur në zonën e Fukushimës, ku pak ditë më parë u lëshuan ujërat ftohëse të termocentralit bërthamor të goditur nga fatkeqësia e vitit 2011 (tërmeti dhe më pas cunami).

Kishida, në tryezë me disa ministra, e përkufizon ushqimin e detit "shumë të mirë" dhe bën thirrje për mbështetje për produktet e peshkut "të sigurta dhe të shijshme" nga Japonia, veçanërisht nga Sanriku Joban (zona bregdetare e vendit duke përfshirë prefekturën e Fukushimës).

Ky veprim i kryeministrit japonez vjen si një shenjë sigurie për prodhimin e tyre. Kina pezulloi eksportin e peshkut dhe prodhimeve të detit nga Japonia pas lajmit se në oqean derdheshin ujrat ftohëse të termocentralit bërthamor.