Pasojat e bojkotit/ PD dhe aleatët humbasin financimin nga shteti, por jo selitë

Vendimi i Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe disa partive të tjera opozitare për të dalë jashtë sistemit politik, përmes djegies së mandateve të përfaqësimit në Parlament, pasuar me bojkotimin e zgjedhjeve lokale, po sjell pasoja të rënda për fatin tyre politik. Aksioni politik i ndërmarrë  në shkurt të këtij vitit për të rrëzuar Edi Ramën dhe për të ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve të parakohshme, sot ka përfunduar me një opozitë me jashtë sistemit, me zero përfaqësim në njësitë vendore dhe parlament, e izoluar dhe në konflikt me SHBA-BE, e përçarë në dysh për 13 tetorin, pa strategji, pa privilegje dhe në kuotat më të ulëta të besueshmërisë sipas sondazheve.

Por, këto janë vetëm pasojat e para. PD, LSI, PR, PAD, LZHK, PDK dhe PBDNJ, me bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, kanë humbur automatikisht të drejtën për të marrë para nga buxheti i shtetit për zgjedhjet lokale të 2023. Kodi Zgjedhor në nenin 87/3, pika 3 përcakton se, për zgjedhjet e për qeverisjen vendore si kriter për ndarjen e fondeve përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet paraardhëse për qeverisjen vendore. Në 2023, KQZ-ja do t’i referohet rezultatit që partitë opozitare kanë marrë në 30 qershor 2019, që është zero, për shkak të bojkotit. Por, partitë opozitare, të cilat bojkotuan zgjedhjet lokale, do të financohen nga buxheti i shtetit në zgjedhjet parlamentare të 2021, pasi kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Vitet jozgjedhore
Partitë politike marrin para nga buxheti i shtetit edhe gjatë viteve jozgjedhore. Ligji nr. 8580, datë 17.2.2000 për partitë politike, i ndryshuar në vitin 2014, parashikon që çdo vit në buxhetin e shtetit përcaktohet një fond që shërben si ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive politike gjatë viteve jozgjedhore. Nëse partitë opozitare do të aplikojnë strategjinë e bojkotit edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021, si formë presioni për plotësimin e kushtit të largimit të Edi Ramës, ato do të humbasin automatikisht financimin nga buxheti i shtetit. 70 për qind e këtij fondi ndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pra, pavarësisht bojkotit të zgjedhjeve lokale, partitë opozitare do të vijojnë të marrin para nga buxheti i shtetit për vitet jozgjedhore, për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të 2017. PD, LSI, PR, PAD, LZHK, PDK dhe PBDNJ do të humbasin financimin nga buxheti i shtetit për vitet jozgjedhore vetëm nëse nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 2021.

PD dhe aleatët do të mbajnë selitë
Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk do të dorëzojnë selitë pavarësisht bojkotimit të zgjedhjeve lokale. Partitë opozitare nuk do t’i humbasin selitë edhe nëse bojkotojnë zgjedhjet parlamentare të 2021. Partitë opozitare do të përdorin ndërtesat shtetërore edhe pse nuk përfaqësohen më as në pushtetin lokal dhe as në Parlament. Kështu parashikon ligji nr. 8580, datë 17.2.2000 për partitë politike i ndryshuar në vitin 2014.

Pika ‘b’ i nenit 22 të këtij ligji parashikon që partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Por, paragrafi i dytë i kësaj ika parashikon që ‘këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi’. Është pikërisht ky paragraf që bën të mundur që Partia Demokratike dhe aleatët e saj të mos dorëzojnë ndërtesat shtetërore që përdorin si seli.  

Si e mori PD-ja SHQUP-in 
Pak javë para se të dorëzonte pushtetin, në verën e vitit 2013, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër në detyrë, tjetërsoi Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, të quajtur SHQUP, duke e bërë seli të Partisë Demokratike. Në datën 20 gusht, qeveria Berisha në detyrë, vendosi: “Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr 515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda datës 20.8.2013, të përfundojë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës.

Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””. Në atë kohë, opozita socialiste që kishte fituar zgjedhjet dhe që do të merrte pushtetin në shtator, u përbetua se do ta shfuqizonte këtë vendim dhe se godinën do t’ia kthente ushtrisë. Por, PD u zhvendos me shpejtësi në SHQUP, ndërsa qeveria Rama u tërhoq, ndoshta për të mos acaruar raportet me opozitën.

Ligji për partitë politike, neni 22
-Shteti lehtëson veprimtarinë e partive politike. Lehtësimi nga shteti i veprimtarisë së partive politike përfshin fushat si vijon:

a) Partitë kanë të drejtë të përdorin pa shpërblim mjetet e informimit masiv publik në rast fushatash elektorale dhe referendumesh.

b) partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi.

c) nëse partia politike është pajisur me ndërtesë me kontratë huapërdorjeje, sipas këtij ligji, por nuk plotëson kushtet e parashikuara në shkronjën "b" të këtij neni, atëherë ka të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë për ndërtesën, për ta përdorur vetëm për selinë apo zyrat e saj vendore.

Kodi Zgjedhor, neni 87/3
Mënyra e përllogaritjes së fondit paradhënie

1. Fondi i përcaktuar sipas shkronjës “a” të nenit 87/2 llogaritet duke pjesëtuar këtë fond me totalin e votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike, që përfitojnë sipas shkronjës “a” të nenit 87/2 të këtij Kodi. Herësi i dalë nga ky pjesëtim shumëzohet me numrin e votave të vlefshme që ka marrë partia politike përkatëse në zgjedhjet paraardhëse.

2. Fondi i përcaktuar sipas shkronjës “b” të nenit 87/2 ndahet duke pjesëtuar këtë fond me numrin e partive politike që përfitojnë, por në asnjë rast kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se shuma më e vogël e përfituar nga një parti, sipas pikës 1 të këtij neni.

3. Për zgjedhjet e përgjithshme si kriter përdoret rezultati në shkallë vendi, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet e përgjithshme paraardhëse. Për zgjedhjet për qeverisjen vendore

si kriter përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet paraardhëse për qeverisjen vendore.

4. Fondi i përcaktuar për t’u shpërndarë, sipas nenit 87/2, i jepet secilës parti jo më vonë se 5 ditë nga regjistrimi i listave shumemërore, apo kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes vendore të partisë përkatëse.   

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Cuk cik caku: 04/08/2019 17:25

    Partite te financohen nga kuotat e antarsise cjane kto fonde shteti nga taksat e popullit nga antarsia shoku ajo parti qe ska antarsi me kuota seshte parti

    Përgjigju
  • Cubi: 04/08/2019 13:41

    Edhe selin duhet ta humbas ,pasi e ka te vjedhur. Gjeja e vjdhur duhet ti kthehet te zotit. Edhe presim ne te drejtojn shtet keta????!???????!????????????????

    Përgjigju
  • Abdyli: 04/08/2019 12:49

    SHENJAT E PARA TE INSTALIMIT TE DIKTATURES SE RILINDJES RAMA IK

    Përgjigju
  • lexusi: 04/08/2019 10:00

    Partive pa parti t'u jepen dhe te tjera fonde dhe objekte pak i kane, keto nuk ju dalin , ka populli !

    Përgjigju
  • asl: 04/08/2019 09:57

    Cjane keto ligje komuniste selite e "partive"te financohen nga shteti dhe me e keqja qe paguhen dhe"deputete"qe kane grisur mandatet.

    Përgjigju
  • Ilo: 04/08/2019 07:56

    Ligjet i kane bere qe shushunja politike edhe ti vene zjarrin vendit, edhe ta lejne jashte Europes, edhe te vazhdojne te hane pace pilaf dhe pine raki me gjize, dhe te paguajme deficencen e Nardh Nokes me taksat tona na rrofte Erjon Brace qe del per te mbledhur taksat e Shtetit per te majmur shushunja politike, te dhj...ha mu ne shtet o Erjon qe po' grabsni buken e gojes per te ju mbajtur me luks ju plehra politike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje