Largimi i deputetes Marjana Koçeku nga radhët e Partisë Socialiste, vetëm 9 muaj pas marrjes së mandatit të përfaqësimit, përbën rastin e parë që nga rikthimi i Partisë Socialiste në pushtet në vitin 2013.

Moralisht ajo duhet të dorëzojë mandatin që nuk e ka fituar me votë të drejtpërdrejtë, mandat që u takon socialistëve, por gjithsesi kjo mbetet në ndërgjegjen e saj.

Problemi më i madh që ky largim sjell për PS-në lidhet me mënyrën se si do të perceptohen në të ardhmen prurjet nga shoqëria civile, një qasje që PS-ja dhe veçanërisht Edi Rama e kishin kthyer në një lloj “trendi”, duke i vlerësuar shpesh më shumë sesa figurat me kontribute të gjata në parti.

Këto prurje nga shoqëria civile, një frymë që kryesocialisti Rama e futi dalëngadalë në PS, u bënë pjesë normale e mënyrës së funksionimit gjatë gjithë mandateve të saj në legjislativ.

Në këtë kuptim, gjesti i zonjës Koçeku mund të përbëjë shkak të mjaftueshëm që këto prurje të reduktohen në minimum, duke i mbyllur kështu rrugën asaj shtrese të angazhuar në fusha të ndryshme, por që ka qëndruar jashtë anëtarësimit në parti politike.

Me gjithë vullnetin e mirë të Edi Ramës, ai nuk do ta ketë më kaq të lehtë të afrojë individë të pafiltruar për qëndrueshmërinë që duhet të kenë ndaj partisë që u beson përfaqësim./TemA