Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hapur Thirrjen për Financim Projektesh.

Kjo mundësi ështëpër organizatat jofitimprurëse që synojnë të shndërrojnë pasurinë e konfiskuar të krimit në projekte me impakt real shoqëror.

Fondi total në dispozicion është 15 milionë lekë, krijuar jo nga buxheti i qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara të krimit, që do të rikthehen në dobi të shoqërisë.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu deklaroi se pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të kthehen në shërbim të interesit publik.

“Para e prona, që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie apo privilegji, por do të rikthehen aty ku u përkasin, tek fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës.”, theksoi ministrja ndër të tjera.

Fushat prioritare të ndërhyrjes përfshijnë, ndër të tjera:

-rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë;

-parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;

-rehabilitimin dhe trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike;

-mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 9 mars 2026.