Qytetarët nuk do të përballen më me procedura të tejzgjatura për pajisjen me patenta dhe leje qarkullimi. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi një vizitë pune në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor ku pa nga afër cilësinë e shërbimeve që i ofrohen qytetarëve.

"Ky inspektim zhvillohet për të parë të gjithë sistemin e regjistrimit të automjeteve dhe të detyrave të tjera me të cilat merret Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në rastin konkret Drejtoria e Tiranës, por veçanërisht për të parë se si është cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve që vijnë këtu për të marrë shërbimet e ndryshme", tha Ministri Haxhinasto.

Ka një përmirësim të dukshëm të punës në këtë institucion, por ka vend edhe për ndërhyrje të mëtejshme. Këto ndërhyrje kanë filluar të bëhen që me ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, janë disa masa të cilat ndodhen aktualisht në Parlament për t'u miratuar në kuadër të ndryshimeve të Kodit Rrugor, tha ai.  Gjithashtu, u shpreh ministri, disa hallka të tjera në proçesin e shërbimeve që ofrohen këtu mund të thjeshtohen, madje edhe të eliminohen fare pasi ka vend, për t'a përmirësuar shumë shërbimin si cilësi, për të shkurtuar kohën e këtij shërbimi.

"Në fakt kjo është një domosdoshmëri, si dhe është pjesë e rëndësishme e reformave që jemi duke realizuar, për një shërbim më të mirë në shërbimet e transportit, ku qytetari, drejtuesi i automjetit, është në qendër të tij. Ai është kontributor i drejtpërdrejt i përpjekjeve tona për të rritur sigurinë rrugore, pasi këtu flasim për lejet e drejtimit, testimet apo edhe për cilësinë e automjeteve. Është një tërësi e faktorëve dhe shërbimeve të cilat synojnë drejt rritjes së sigurisë në rrugët e Shqipërisë dhe sigurisht rritje e sigurisë për qytetarët shqiptar që i përdorin këto rrugë", theksoi Haxhinasto.

Sipas Haxhinastos, një nga qëllimet e rëndësishme të këtij inspektimi është edhe transparenca e shërbimit ndaj qytetarëve. "Këtu ka patur një progres të madh edhe për transparencën e shërbimit, megjithatë unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që marrin shërbime, në raste të papërgjegjshmërisë nga individë të caktuar për korrupsion apo për kërkesa të paligjshme për shërbimet që ofrohen, ata janë të lutur që të bëjnë apelimet sipas proçedurave ligjore apo duke paraqitur shqetësimin e tyre në numrin që kemi paraqitur në web sit-in e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës". deklaroi Haxhinasto. /ATSH/