SPANJE-Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy ka thirrur sot një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit për të formalizuar një apel kundër pavarësisë së kërkuar nga Presidenti i Katalonjës, Artur Mas. Ky dokument do të dorëzohet më pas në Gjykatën Kushtetuese duke pezulluar votimin deri në një votim përfundimtar mbi ligjshmërinë e saj, e cila mund të marrë disa vite.

Presidenti i Katalonjës nënshkroi dy ditë më parë një dekret ku kërkonte një referendum mbi pavarësinë që do të mbahej, sipas tij, më 9 nëntor, duke e vënë përballë qeverisë qëndrore, e cila pretendon se një votim i tillë është i paligjshëm. Rajoni i pasur verilindor, i cili është përgjegjës për rreth 1/5 e ekonomisë së Spanjës, gëzon aktualisht gjuhën e saj dhe kulturën e dallueshme si dhe ka luftuar për një kohë të gjatë për vetëqeverisje.

Sondazhet flasin për një shumicë të madhe katalanasish, të cilët janë pro mbajtjes së një referendumi për pavarësi, të cilët thuhet se janë inkurajuar shumë nga rezultati i ngushtë i referendumit të këtij muaji në Skoci. Ndërsa, qeveria spanjolle thotë se një referendum për pavarësinë e Katalonjës do të shkelte Kushtetutën e vitit 1978, hartuar në kohën kur Spanja po kalonte tranzicionin e saj drejt demokracisë.

Ndërkaq, analistët politikë presin që lideri katalan të thërrasë zgjedhje të parakohëshme pas bllokimit të votimit nga Madridi. Ai do të përdorë zgjedhjet si një mënyrë për t’iu dhënë katalanasve një shans për të votuar për pavarësi nga Spanja. Mas është nën presion nga partnerët separatistë të koalicionit për të shkuar në një referendum, edhe pse është deklaruar i paligjshëm. Refuzimi i Madridit për të lejuar një votim ka zemëruar shumë katalanasit, edhe ata që janë në favor të bashkimit me Spanjën.

Redaksia Online