Xhamajka njeh pavarësinë e Kosovës! Kjo e rëndit këtë shtet ishullor në Detin e Karaibeve në vendin e 117 që njeh pavarësinë e Kosovës. Njohja e Kosovës nga Xhamajka duket se është rezultat i drejtpërdrejtë i punës dhe lobimit të kongresmenit Eliot Engel, i cili njihet për miqësinë dhe afeksionin që ai ka ndaj shqiptarëve. Ky lajm është konfirmuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili përshëndeti njohjen e shteti të tij dhe shprehu vlerësimet për kongresmenin Engel.
Edhe ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj tha se njohja e Kosovës nga një tjetër shteti forcon rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Më 17 shkurt Kosova festoi 12 vjetorin e pavarësisë dhe njohja e saj nga Xhamajka vetëm pak ditë më pas, vjen si një dhuratë e bukur për të.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Xhamajka, Thaçi falenderon kongresmenin amerikan
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Xhamajka, ndërsa ka vlerësuar punën e palodhur të kongresmenit Eliot Engel që loboi për arritjen e kësaj.
“Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. Ky është rezultat i punës së vështirë dhe lobimit për vite të tëra nga kongresisti Eliot Engel. Punë e mirë. Faleminderit miqve tanë nga Kingstoni”, shkruan Thaçi në twitter.
Njohja e Kosovës nga Xhamajka, Cakaj: Forcon rolin e saj në arenën ndërkombëtare
Njohja e Kosovës nga Xhamajka është përshëndetur dhe nga Ministri në detyre për Punët e Jashtme, Gent Cakaj duke e cilësuar një lajm të mirë dhe se një njohje nga një tjetër shteti forcon rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
'Ky veprim shënon jo vetëm një moment të ri në kapitullin e marrëdhënieve mes Kosovës e Xhamajkës por edhe rikonfirmon se kauza e drejtë e shtetit të Kosovës vazhdon të jetë shumë e fuqishme në arenën ndërkombëtare', shkruan Cakaj.