Grupimet
Një prej anëtarëve në forumet drejtuese të PD dega Durrës rrëfen të gjitha zhvillimet në PD e këtij qyteti. Sipas tij, dy vazhdojnë të jenë grupimet e krijuara të cilët u evidentuan mirë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Grupi i parë drejtohet nga treshja Igli Cara, Armand Teliti dhe Eduart Ndreu të cilët rrethohen nga onturazhi i tyre. Këta konsiderohen edhe si trashëgimia e viteve kur PD ishte në pushtet.
Nga ky grup është larguar ish-ministri Eduart Halimi i cili ka kohë që nuk ka marrë përsipër detyra në partinë e Durrësit. Ndërsa grupi tjetër i cili konsiderohet edhe si grupi i "reaksionit" nuk ka emra të përveçëm në krye të tij por përbëhet nga një numër anëtarësh të PD që janë kundër treshes së grupit të parë e që e bëjnë fajtore për humbjen në zgjedhjet e fundit. Që të dy këto grupime po përpiqen që të caktojnë njeriun që do të drejtojë PD në Durrës. E për këtë shkak priten edhe përplasje për të cilat qendra është vënë në dijeni prej kohësh.
Emrat
Grupi i parë tashmë ka hedhur në tregun politik emrin e njeriut që mund të zgjidhet në krye të degës së Durrësit. Ai është ish-drejtori i Ujësjellësit Doklead Ademi. E gjithë puna e këtij grupimi është lobimi për Ademin si figura numër një për kreun e PD së Durrësit. Ndërsa grupimi i dytë pretendon ta përzgjedhë kreun e PD mes disa emrave. Të tillë janë Sokol Kapedani i cili po lakohet fort gjatë 2 javëve të fundit, Ardian Muka dhe Genc Juka.
Strategjitë
Tashmë lufta e ftohtë mes dy grupimeve në PD e Durrësit është evidente. Që të dy grupimet po përpiqen me të gjitha mënyrat për të vënë në krye të PD njeriun e tyre. Për këtë përplasje qendra në Tiranë ka dijeni të plotë. Sipas njeriut të kryesisë së PD në Durrës qendra ka udhëzuar gjetjen e një figure konsensuale e cili mund të bashkojë të dyja grupimet. Por nëse kjo figurë nuk do të gjendet dhe grupimet do të qendrojnë në llogoret e tyre, qendra do të ndërhyjë me figurën e vet që për Durrësin është Oerd Bylykbashi.
Shkrimi u publikua sot (12.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)