Partia Demokratike i kërkon SPAK dhe ILDKPI të hetojnë pasurinë e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro. Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD tha se Kumbaro dhe bashkëshorti kanë 7 banesa, duke ngritur edhe dyshime për origjinën e të ardhurave.

Sipas të dhënave të publikuara nga PD, mes pasurive renditen apartamente në bashkëpronësi me bashkëshortin, dy apartamente të dhuruara fëmijëve në vitin 2023, si dhe prona të tjera të deklaruara me burim të ardhurat apo kursimet. PD veçon një apartament prej 92 metrash katrorë, me vlerë 200 mijë euro, që sipas Vangjelit është deklaruar në vitin 2024 në pronësi të bashkëshortit.

Demokratët ngrenë pikëpyetje edhe për dy garazhe me sipërfaqe të njëjtë, 18 metra katrorë, por të deklaruar me vlera të ndryshme.

“Detaje të përsëritura, por çmime të ndryshme, si p.sh. garazhi, të cilin Kumbaro e ka deklaruar të blerë në v. 2021, garazhi 18 m², çmimi 12.800 euro; ndërsa bashkëshorti deklaron në v. 2025 garazh me të njëjtën sip. 18 m², çmimi 2.000 euro”, tha Vangjeli.

PD ngre gjithashtu pikëpyetje për të ardhurat e bashkëshortit të Kumbaros gjatë periudhës kur ajo drejtonte Ministrinë e Kulturës. Sipas Vangjelit, në vitin 2015 ai ka deklaruar pagesa në formë honorarësh nga AADF, fondacion që bashkëpunonte me Ministrinë e Kulturës.

Deklarata e plotë e Genta Vangjelit

Nga verifikimi i pasurisë së deklaruar, ministrja Kumbaro rezulton familjarisht me 7 apartamente; konkretisht:

Ap. 119.16 m², bashkëpronare me bashkëshortin, burimi: të ardhura.

Ap. 128 m² në Tiranë, bashkëpronare me bashkëshortin, burimi: të ardhura.

Ap. 92 m², vlera 200.000 EURO, deklaruar në v. 2024, pronar bashkëshorti, burimi: të ardhura, i parregjistruar, nuk është aplikuar për regjistrim.

Ap. 55 m², vlera 1.385.560 LEK, burimi: DHURIM, pronar bashkëshorti.

Ap. 69.1 m², vlera 72.000 EURO, burimi: kursime, pronar 50%.

Ap. 95 m², burimi: të ardhura, bashkëpronare me bashkëshortin, dhuruar vajzës në shtator 2023.

Ap. 89.30 m², burimi: të ardhura, bashkëpronare me bashkëshortin, dhuruar djalit po në shtator 2023.

Ap. 74.50 m², burimi: të ardhura, vlera 60.598 EUR, SHITUR në maj 2022, vlera 124.998 EUR.

1 garazh i deklaruar në v. 2021, me sip. 18 m², vlera 12.800 EURO, burimi: të ardhura, pronare 50%.

1 garazh 18 m², deklaruar nga bashkëshorti në v. 2025, vlera 2.000 EURO, burimi: kursime, pronar 50%.

Nga këqyrja e mënyrës së deklarimit vërehen:

Jopërputhshmëri dhe mungesë faqesh sipas numrit rendor në deklarimet v. 2013; 2015; 2017.

Detaje të përsëritura, por çmime të ndryshme, si p.sh. garazhi, të cilin Kumbaro e ka deklaruar të blerë në v. 2021, garazhi 18 m², çmimi 12.800 euro; ndërsa bashkëshorti deklaron në v. 2025 garazh me të njëjtën sip. 18 m², çmimi 2.000 euro.

Gjatë kohës që Kumbaro ka mbajtur detyrën si Ministre e Kulturës, bashkëshorti në v. 2015 deklaron se ka marrë pagesa në formë honorarësh edhe nga AADF, një fondacion i cili ka një lidhje shumë të ngushtë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës.

Në këto kushte, PD kërkon që ILDKPKI dhe SPAK të verifikojnë në mënyrë të plotë pasurinë e familjes, burimin e të ardhurave, dhurimet e apartamenteve, transaksionet e shitblerjes dhe çdo mospërputhje në deklarimet periodike.

Transparenca për pasurinë e zyrtarëve nuk është zgjedhje politike, por detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve.