PD s’lejoi dëshminë e Beqajt te Hetimori i Shëndetësisë, avokati paralajmëron padi në Strasburg: Trajtim çnjerëzor, s'e lanë të flasë! Kishin frikë të shihnin provat që s’i ka gjykata

TIRANËIlir Beqaj paralajmëron padi në Strasburg kundër Shqipërisë për shkak se u pengua të japë dëshminë përpara komisionit hetimor parlamentar. Në një sqarim të gjatë për situatën në Kuvend, avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj thotë se dështimi i komisionit, i dëmtoi të drejtat ish-ministrit të shëndetësisë.

Komisioni dështoi. Dështoi për shkak të kokëfortësisë, keqmenaxhimit, kapriçove personale dhe mbi të gjitha, nga frika përballë asaj që z. Beqaj mund të thoshte. Në fakt, ky komision nuk dështoi thjesht për shkak të menaxhimit të dobët, por sepse u kthye në një shembull të shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut. Madje ky komision ka krijuar një çështje për Strasburg që do të përdoret si pikë referimi në të ardhmen. Kjo është trashëgimia e këtij procesi.

Puna e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë për dy koncesionet, sterilizimi dhe check up, u mbyll pa dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqaj dhe pa raporte. Për dy ditë me radhë, opozita mbajti peng dëshminë e Beqajt, herë duke kundërshtuar dëshminë e tij përmes një materiali të përgatitur me power point dhe herë duke kërkuar dëshminë e kryeministrit Edi Rama dhe Vilma Nushit.

Avokati i Beqajt kujton se prezantimi i ish ministrit ishte prej 248 faqesh dhe sillte prova të reja që nuk ishin publikuar deri më tani, ndaj opozita e bllokoi.

Në një reagim të gjatë, Ermal Yzeiraj, avokati i Beqajt shtron pyetjet se pse Beqaj nuk dëshmoi, ndërsa shprehet se “Nganjëherë është më mirë të presësh dhe të reflektohesh përpara se të reagosh ndaj atyre që nxitojnë të shpërndajnë gënjeshtra për të justifikuar veprimet e tyre të pamenduara.”

Sipas tij, ish-ministri u trajtua në mënyrë çnjerëzore ndërsa i bën thirrje opozitës që të reflektojë “thellë për këtë turp”.

Reagimi i plotë

Nganjëherë është më mirë të presësh dhe të reflektohesh përpara se të reagosh ndaj atyre që nxitojnë të shpërndajnë gënjeshtra për të justifikuar veprimet e tyre të pamenduara.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjitha mediat që na mbështetën gjatë këtyre ditëve dhe për reagimin e tyre kundër gënjeshtrave të përhapura. Ajo që përjetuam dhe dëgjuam gjatë dy ditëve të një trajtimi çnjerëzor nuk duhet të përsëritet kurrë. Për askënd. Opozita duhet të reflektojë thellë mbi këtë turp, ashtu si edhe Kuvendi dhe faktori ndërkombëtar. Mesazhi i këtij procesi është i qartë dhe shumëdimensional, duke ofruar mjaftueshëm arsye për reflektim për të gjithë ju.

Lidhur me pikëpyetjet që më janë drejtuar gjatë këtyre ditëve si avokat i z. Beqaj, më lejoni të sqaroj si më poshtë:

1. Çfarë kërkonte z. Beqaj? Të pyetej apo të shmangte pyetjet?

Ditët e fundit, në media është përhapur pretendimi i kryetares së komisionit dhe disa deputetëve të opozitës se z. Beqaj nuk dëshironte të dëshmonte në komision dhe se gjithçka që ndodhi ishte një strategji e tij dhe e grupit të PS-së (sipas tyre, edhe e imja si avokat) për të shmangur dëshminë në minutën e fundit. Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë, dhe ata që e thonë apo e shpërndajnë këtë e bëjnë për një qëllim të caktuar.

Sakrifica e z. Beqaj për t’u përgatitur për dëshminë

Së pari, z. Beqaj ka bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për t’u përgatitur për dëshminë e tij në komision, pavarësisht vështirësive teknike dhe praktike që vijnë si pasojë e kushteve të paraburgimit. Në mungesë të aksesit të tij në një laptop, ai ka punuar mbi deklaratën dhe dëshminë e tij me shkrim dore. Këto shënime janë hedhur në kompjuter nga unë dhe familjarët e tij dhe më pas i janë kthyer atij sërish për t’i konspektuar. Gjithashtu, për shkak të mungesës së hapësirës në qeli, materialet e dosjes janë printuar pjesërisht dhe i janë dërguar atij në mënyrë të vazhdueshme për t’u lexuar.

Në komision z. Beqaj kishte: (i) të drejtën e një deklarate paraprake kontekstuale, (ii) të drejtën dhe detyrimin që ti përgjigjej pyetjeve, si dhe (iii) të drejtën për të dorëzuar prova. Ai u përgatit në mënyrë të detajuar për t’i shfrytëzuar të gjitha këto të drejta. Për shembull, deklarata paraprake u përgatit në formën e një materiali prej 248 faqesh në PoëerPoint, që përfaqësonte një përpjekje serioze dhe profesionale. Për çdo pyetje të mundshme nga komisioni, ne ishim të përgatitur me fakte dhe dokumente, të cilat i kishim me vete si në formë fizike, ashtu edhe elektronike.

Nëse z. Beqaj vërtet nuk dëshironte të dëshmonte, atëherë përse ai dhe ne duhet të bënim gjithë këtë përgatitje? Mjaftonte të thoshim se do të përdornim të drejtën e heshtjes për të mos përkeqësuar pozitën e tij në procesin penal dhe s’kishim nevojë që të qëndronim 48 orë në dispozicion të kryetares së komisionit dhe deputetëve të opozitës nën një trajtim çnjerëzor. Ai madje me një shkresë të thjeshtë nga burgu mund të kishte shmangur edhe shfaqen e tij me pranga në dyert e Kuvendit. Për shkak të statusit që z. Beqaj ka si i pandehur për çështjen e sterilizimit, z. Beqaj mund të refuzoj deklarimin në gjykatë dhe jo më para një komisioni hetimor.

Por z. Beqaj erdhi i përgatitur dhe i vendosur për të folur, jo për të shmangur pyetjet, por për tu ballafaquar dhe sqaruar gjithë opinionin publik.

Pritja ndaj deputetëve të opozitës

Së dyti, nëse z. Beqaj dhe grupi i PS-së do të kishin synuar shmangien e dëshmisë para kryetares së komisionit dhe deputetëve të opozitës, ata mund ta kishin bërë këtë në mungesë të opozitës, e cila ishte në bojkot apo nën masa disiplinore. Madje në një moment të caktuar kryetarja e komisionit ishte dhe jashtë shtetit. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, data e dëshmisë u shty pikërisht për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve të opozitës në mënyrë që të gjithë të ishin prezent gjatë dëshmisë së z. Beqaj. Kjo tregon qartë se qëllimi ishte një ballafaqim transparent dhe publik dhe jo shmangia.

Reagimi z. Beqaj ndaj mbylljes së komisionit

Së treti, nëse z. Beqaj dhe grupi i PS-së paskan pasur si qëllim shmangien e dëshmisë, atëherë përse z. Beqaj reagoi me indinjatë kur znj. Ina Zhupa, rreth orës 2:00 të natës, njoftoi praktikisht mbylljen e gjithë veprimtarisë së komisionit, me pretekstin e pavërtetë që leja e z. Beqaj kishte përfunduar që në orën 12:00 të darkës? Ai hapi derën e sallës dhe iu drejtua znj. Zhupa duke i thënë: kush kujton se je ti? A ishte ky reagimi i dikujt që dëshironte të shmangte dëshminë? Përse e bëri këtë reagim z. Beqaj ndaj znj. Zhupa? Për ta falenderuar?

Pse opozita ndoqi të njëjtën "strategji"?

Së fundmi, nëse opozita vërtet besonte se z. Beqaj dhe PS donin të shmangnin dëshminë, përse i shkuan nga pas kësaj “strategjie”? A mos vallë edhe ata ishin pjesë e një loje të përbashkët? Kjo duket e pabesueshme dhe tregon se pretendimet e tyre janë një përpjekje për të mbuluar dështimin dhe kaosin e veprimeve të tyre në komision.

2. Përse kryetarja e komisionit nuk e la të dëshmonte z. Beqaj?

Në dy ditët e punimeve të komisionit u pa qartë që kryetarja e komisionit nuk donte që z. Beqaj të dëshmonte dhe tu përgjigjej pyetjeve pasi kishte frikë që opinionin publik mund të ndryshonte qëndrim ndaj akuzave dhe përbaltjes që deri tani opozita kishte hedhur ndaj z. Beqaj dhe kjo përbaltje mund t’iu kthehej mbrapsht.

Askush nuk e priste që z. Beqaj të ishte përgatitur në një nivel të tillë dhe që ai dhe avokati i tij mezi kishin pritur përballjen. Nuk ishte thjesht çështje fotosh dhe videosh që do prezantoheshin nga z. Beqaj, por ndoshta do të kishim dhe surpriza dhe të rëndësishme për çështjen.

Ndërkohë, askush se kishte vënë re që në ligjin për komisionet hetimore, e drejta e dëshmitarit për të dhënë një deklaratë paraprake nuk ishte e kufizuar në kohë dhe në mënyrën se si ati mund ta jepte atë. Ligji nuk parashikonte që ajo të ishte e shkurtër dhe që jepej vetëm me gojë. Prandaj z. Beqaj kishte përgatitur deklaratën e tij me PoëerPoint dhe do e relatonte atë pa ndërprerje para se të fillonte seanca e bërjes së pyetjeve nga anëtarët e komisionit.

Nëse z. Beqaj do të ishte lejuar që të fliste ai do kishte vëmendjen mediatike për një periudhë të gjatë dhe retorika e përbaltjes normalisht do të duhet të stoponte. Ndërkohë me këtë nivel përgatitje z. Beqaj do ishte i vështirë për tu përballuar. Askush s’kishte lexuar mjaftueshëm sa ta kapte atë në vështirësi dhe pyetjet që mund të kishim bërë mund të merrnin edhe një përgjigje që nuk ka interesonte dhe pastaj do të duhej ta shkruanim si përgjigje në raportin përfundimtar të komisionit. Për më tepër z. Beqaj paska sjellë edhe prova të reja që nuk janë ende në dosjen e Gjykatës dhe ne as që e dimë se çfarë janë këto prova. Kjo ishte arsyeja që kryetarja ngulmonte që materiali i z. Beqaj dhe provat e tij të dorëzoheshin paraprakisht. Që ajo dhe deputetët e opozitës të shikonin çfarë ishin dhe pastaj të vendosnin nëse do ta linin z. Beqaj të fliste apo jo.

Pretendimi që PoëerPoint-in nuk e parashikon ligji dhe prandaj s’po të lëmë ta përdorësh është një pretendim absurd. Askund në ligj nuk flitet as që deklarata duhet bërë me shkrim apo me gojë, por kjo nuk do të thotë që meqenëse ligji nuk i përmend fjalët “me shkrim” apo “me gojë”, dëshmitari nuk do ta bëjë fare deklaratën e tij. Askund në ligj nuk flitet as që kryetarja e komisionit i bën pyetjet e saj duke ngritur foto të printuara nga interneti (që ske as se si e përshkruan si veprim të saj në procesverbal se do duhet të përshkruash foton) por megjithatë kryetarja e bëri një veprim të tillë. Ndërkohë askund në ligj apo në rregullore nuk flitet që vendime të tilla të ndërmjetme për të plotësuar apo jo kërkesat për PoëerPoint merren vetë nga kryetarja e komisionit por madje në ligj thuhet specifikisht që vendime të tilla merren nga komisioni (neni 2, pika 7 dhe neni 13, pika 2 e ligjit nr. 8891 për komisionet hetimore).

Ndërkohë, është absurde që përveç z. Beqaj, kryetarja e komisionit nuk la që të fliste për procedurë as avokatin e z. Beqaj. Ndonëse deputetët e maxhorancës kërkuan që të sqaroheshin ekskluzivisht prej tij për shkak se ai ishte hartuesi dhe argumentuesi i shkresës që kërkonte paraprakisht marrjen e një vendimi të ndërmjetëm nga komisioni për lejimin e përdorimit të PoëerPoint-it që ishte refuzuar nga kryetarja me email dhe pa patur fare kompetencë ligjore për ta bërë një gjë të tillë.

Në fakt, tema kryesore e debatit të ditës së parë nuk duhej të ishte lejohet apo jo PoëerPoint-i, por ku e gjen të drejtën ti si kryetare komisioni të marrësh vetë vendime që i takojnë komisionit dhe jo ty?!

Meqë po flasim për mjetet teknologjike, kryetarja kishte në dorë një mjet shumë efektiv bllokimi – mikrofonin e saj – nëpërmjet të cilit bllokonte gjithë mikrofonat e tjerë dhe madje edhe kamerat. Nëse ajo nuk donte që ti të flisje ajo mjaftonte të shtypte një buton dhe nëse nuk donte që kamerat e sallës të të filmonin ty kur flisje por vetëm atë, e mbante mikrofonin e saj ndezur. Pra kryetarja në atë sallë ishte dhe regjisore dhe përmes regjisë së saj arriti që ta mbante në ngërç veprimtarinë e komisionit, të uzurponte fjalën dhe procedurën e tij, si dhe ta dështonte me sukses.

Me siguri z. Beqaj edhe po të fillonte të fliste me këtë regji do ishte ndërprerë vazhdimisht.

3. Si ndodhi që z. Beqaj vendosi të hapte rreth orës 2:00 të natës derën e sallës ku zhvillonte punimet komisioni dhe ti drejtohej znj. Ina Zhupa?

Ora ishte rreth 2:00 e natës. Ne ndodheshim në një nga sallat e Kuvendit, duke ndjekur përmes telefonit zhvillimet e komisionit hetimor dhe po punonim për fjalën që z. Beqaj do të mbante nëse thirrej nga komisioni në mëngjes.

Papritur, dëgjuam znj. Ina Zhupa duke i kërkuar kryetares së komisionit që të njoftohej Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të marrë z. Beqaj, me pretendimin se leja e tij kishte përfunduar që në orën 12:00 të natës. Pra që para dy orëve. Ky pretendim i znj. Zhupa ishte tërësisht i pavërtetë dhe u bë me qëllim që komisioni të mbyllej duke shfrytëzuar si pretekst gjoja mbarimin e leje qëndrimit të z. Beqaj.

Ky version mbylljeje i komisionit nga ana e opozitës ishte hedhur për diskutim që në orën 10:00 të darkës gjatë negociatave që zhvilloheshin jashtë sallës se si duhet të dilnim nga ngërçi ku ishte futur komisioni. Ideja që z. Beqaj i mbaronte leje qëndrimi në orën 12:00 u hodh poshtë nga sqarimi që bënë si punonjësit e burgjeve që shoqëronin z. Beqaj, ashtu edhe vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas rregullave në fuqi, z. Beqaj mund të qëndronte në dispozicion të komisionit derisa komisioni të përfundonte punimet. Pra z. Beqaj nuk mund të shfrytëzohej si arsye për të mbyllur punimet e komisionit. Për më tepër që nëse do të ishte i vërtetë si pretendim, përse atëherë opozita nuk e shfrytëzoi këtë si pretekst që në orën 12:00 të natës, por e tha atë pas dy orës rreth orës 2:00 të natës? Po përse deputetët e opozitës donin patjetër që ta mbyllnin komisionin me pretekstin që z. Beqaj nuk mund të qëndronte më se i kishte mbaruar leje qëndrimi? Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje fillimisht duhet të sqarojmë ecurinë e negociatave që filluan me ne rreth orës 10:00 të darkës.

Mbase gjatë dy ditëve të punimeve të komisionit ka patur negociata ndërmjet palëve për zgjidhjen e ngërçit ku ishte futur komisioni, por unë si avokat u përfshiva në negociata vetëm në fazën përfundimtare, rreth orës 10:00 të darkës të ditës së fundit. Jo drejtpërdrejtë por përmes ndërmjetësve.

Gjatë këtyre diskutimeve, u hodhën në tryezë disa variante, por ne mbajtëm një qëndrim të prerë dhe të qartë. Ose të na thërrisnin për të dëshmuar në çdo moment, pavarësisht orës, duke respektuar kështu vullnetin dhe sakrificën e pritjes së z. Beqaj, ose të deklaronin zyrtarisht se nuk donin të merrnin më dëshminë e z. Beqaj, dhe ta mbyllnin veprimtarinë e komisionit pa dëshminë e tij.

Asnjëri prej këtyre dy varianteve dukshëm nuk i leverdiste opozitës dhe negociatat u stopuan. Opozitës ju duk më i përshtatshëm varianti i gënjeshtërt i përfundimit të punimeve të komisionit për shkak të mbarimit të leje qëndrimit të z. Beqaj.

Duhet patur parasysh që gjatë ditës sapo u vendos që komisionit hetimor nuk do ti shtyhej më afati i hetimit dhe maksimumi që komisioni mund të bënte ishte që të vazhdonte punimet e tij tërë natën deri nesër në orën 10:00 të paradite, pasi në këtë orë fillonte punimet seanca plenare e Kuvendit dhe deputetët duhet të largoheshin. Pra praktikisht çdo mbyllje që bëhej në atë moment, si mbyllja që znj. Ina Zhupa bëri rreth orës 2:00 të natës me pretekstin e pamundësisë së qëndrimit të z. Beqaj për shkak se i mbaronte leje qëndrimi, ishte në fakt jo thjesht një mbyllje e seancës së asaj dite, por mbyllja përfundimtare e punimeve të komisionit hetimor që kishte zgjatur për muaj me radhë dhe që në fund po mbyllej pa dëshminë e z. Beqaj.

Ky ishte momenti kur z. Beqaj vendosi të ndërhynte në mbledhje, duke hapur derën e sallës së komisionit dhe duke iu drejtuar deputetes znj. Ina Zhupa me fjalët: “Kush kujton se je?”.

Kjo ndërhyrje ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj një padrejtësie të hapur. Ndaj një talljeje, linçimi dhe trajtimi çnjerëzor prej 48 orësh që kishte arritur kulmin. Përballë një preteksti të pavërtetë dhe një përpjekjeje për të manipuluar rrjedhën e punimeve të komisionit, z. Beqaj ndjeu nevojën të shprehte indinjatën e tij. Ai nuk kishte përse toleronte më në heshtje që përpjekjet dhe sakrificat e tij për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të vërtetën të hidheshin poshtë me një justifikim të tillë të paqenë. Nëse deri në atë moment, në atë komision, ka patur ndonjëherë ndonjë reagim të vërtetë dhe njerëzor, ai ishte më i vërteti dhe më humani ndër të gjitha reagimet.

Duhet theksuar që në fakt ndërhyrja e z. Beqaj nuk ishte një ndërhyrje gjatë punimeve të komisionit, por një ndërhyrje e bërë pikërisht në përfundim të tij. Kryetarja e komisionit dhe deputetët e opozitës nuk kishin më çfarë të thoshin sepse kishin kaluar një ditë të tërë duke stërpërsëritur të njëjtat gjëra. Z. Beqaj nuk i tha askujt as çfarë të fliste as çfarë të bënte sepse praktikisht komisioni mbaroi. Z. Beqaj thjesht ju drejtuar znj. Ina Zhupa duke i thënë: “Kush kujton se je?”.

Sot që e mendoj, nëse z. Beqaj nuk do ta kishte bërë si reagim dhe njerëzit nuk do kishin parë live atë që z. Beqaj ndjente në ato momente, ndoshta disa do të besonin që z. Beqaj nuk ka dashur që të dëshmojë dhe po i shmangej përballjes. Në fakt, siç edhe u pa qartë, përballjes ju shmang kryetarja e komisionit dhe deputetët e opozitës.

4. A i kërcënoi z. Beqaj anëtarët e komisionit të opozitës?

Sigurisht që jo. Nëse z. Beqaj do të kishte kërcënuar ndonjë prej deputetëve të opozitës, atëherë përse nuk është bërë një kallëzim penal ndaj tij? A mos vallë opozita ndjen keqardhje dhe nuk dëshiron t’ia rëndojë pozitën Z. Beqaj? Apo ndoshta e konsiderojnë si një reagim emocional të tij që meriton tolerim? Apo kanë frikë se një kallëzim i tillë do të kategorizohej si kallëzim i rremë sepse z. Beqaj nuk ka thënë asnjë fjalë kërcënuese?

T’i thuash një deputeti: “Kush kujton se je?”, nuk mund të konsiderohet kërcënim në asnjë rrethanë. Për më tepër, reagimi i menjëhershëm në kor nga deputetët e opozitës ishte: “Po ti kush kujton se je?”. Një shkëmbim fjalësh mes palëve, pa asnjë formë kërcënimi të drejtpërdrejtë apo implicite. Nëse këto shprehje përbëjnë kërcënim, atëherë logjika thotë se të dyja palët do të duhej të kallëzonin njëra-tjetrën.

Për ironi, gjatë këtyre muajve të veprimtarisë së komisionit, vetë kryetarja e komisionit dhe deputetët e opozitës kanë drejtuar dhe operuar duke kërcënuar këdo dhe për çdo gjë, madje dhe me veprime konkrete. Administrata, gardistët dhe të gjithë ata që kishin ndonjë angazhim në këtë proces, dukeshin dhe ta shprehnin se kishin qenë nën presion të vazhdueshëm nga ata, sepse u kishin bërë kallëzime penale dhe denoncime të pabaza. Ai kuvend ishte i gjithi i kërcënuar nga zonja. S’kishte ngel administratë dhe gardist pa u kërcënuar. Aman thoshin se kjo bën kallëzime. S’ja kemi ngenë të dëgjojmë dhe klithmat pastaj.

5. Sa e rëndë ishte hapja pa leje e derës së komisionit dhe pse u trumbetua si kërcënim?

Të hapësh pa leje derën e një komisioni hetimor, për më tepër një komision si ai (përjashtuar këtu deputetët e maxhorancës), është njësoj si të flasësh pa leje para Gjykatës. Penaliteti për këtë veprim në Kuvend fillon nga një vërejtje dhe mund të përfundojë me nxjerrjen jashtë sallës nga garda, ndërsa në Gjykatë mund të jepet edhe gjobë. Pra hapja pa leje e derës së komisionit është po aq e rëndë sa edhe masat që jepen për të. E megjithatë, në rastin konkret, z. Beqaj nuk kishte nevojë të nxirrej jashtë, sepse pasi i tha znj. Ina Zhupa: “Kush kujton se je?”, ai u largua vetë nga salla.

Po përse opozita e trumbetoi si shkelje shumë të rëndë duke thënë edhe se u kërcënua? Arsyeja është e qartë: për të krijuar një narrativë që e shpëtonte bllokimin ku ishte futur komisioni prej dy ditësh. Ky veprim i z. Beqaj u përdor si një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë e mbylljes së komisionit pa përfunduar detyrën e tij kryesore – marrjen në pyetje të dëshmitarit kryesor. Ndoshta të nesërmen media dhe publiku mund të mos bindeshin që veprimtaria e komisionit u ndërpre se z. Beqaj i mbaroi leja e qëndrimit, por ama mund të bindeshin që komisioni u ndërpre se z. Beqaj hapi derën dhe na kërcënoi. E ku ka më mirë se ta nxjerrim z. Beqaj edhe si “kërcënues”, ndërsa deputetët e opozitës si “viktimë”! Në fakt, aq “viktima” ishin kryetarja dhe deputetët e opozitës saqë mbyllën me vrap komisionin dhe u mblodhën të gjithë mbas derës së sallës ku ishim unë dhe z. Beqaj duke provokuar dhe ofenduar mbrapa derës që z. Beqaj të dilte dhe ata ta incizonin me celular. Në fakt z. Beqa doli the thjesht u tha: “Turp! Kjo është çnjerëzore!”. Se di përse si nxjerrin videot që regjistruan prapa derës. Ndoshta se u vjen turp dhe se nuk dalin si “viktima” por si “provokues”.

Kujtdo që përqendrohet tek sjellja e z. Beqaj dua ti bëj një pyetje retorike: Vallë si do të reagonin vetë kryetarja e komisionit apo deputetët e opozitës, nëse do të trajtoheshin me të njëjtën arrogancë dhe poshtërim siç u trajtua z. Beqaj?! Shumë prej tyre kanë treguar më parë se janë të gatshëm të përdorin akte të dhunshme, deri në djegien e objekteve, kur mendojnë se u janë shkelur të drejtat. Sa herë është akuzuar z. Beqaj për dhunë? Asnjëherë. Po këta? Historia e tyre flet vetë. Është ironike që opozita, e cila dikur dogji Kuvendin për ngritjen e këtyre komisioneve hetimore, tani i mbyll ato pa pyetur dëshmitarët kryesorë. “Digj e shuaj” duket se është modeli i tyre i vazhdueshëm: të krijojnë një krizë, ta amplifikojnë, dhe më pas ta mbyllin pa ndonjë përfundim të qartë.

Ata që e njohin z. Beqaj e dinë se ai nuk do të reagonte kështu vetëm për shkeljen e nderit, dinjitetit dhe të drejtave të tij, por edhe për dikë tjetër që po trajtohej padrejtësisht në të njëjtën mënyrë. Madje z. Beqaj do reagonte kështu edhe për vetë deputetët e opozitës në komision.

A u tregua z. Beqaj i nxituar? Jo, absolutisht jo. Momenti kur ai ndërhyri ishte fundi i gjithë veprimtarisë së komisionit dhe jo thjesht fundi i një seance të tij. Me mbylljen e komisionit, z. Beqaj humbi përfundimisht mundësinë për të dëshmuar dhe për t'u përballur dhe për t'u mbrojtur ndaj akuzave që i ishin bërë. Ai e kuptoi se ajo ishte mundësia e fundit për të folur, dhe reagoi.

6. Dështoi apo jo komisioni?

Komisioni dështoi. Dështoi për shkak të kokëfortësisë, keqmenaxhimit, kapriçove personale dhe mbi të gjitha, nga frika përballë asaj që z. Beqaj mund të thoshte.

Por kush e pranon dështimin? Sigurisht, askush. Përkundrazi, disa e quajtën veprimtarinë e komisionit “sukses të paparë”. E nëse kjo quhet sukses, atëherë e nderuar zonjë dhe të nderuar deputetë të opozitës vazhdoni të ndiqni këtë “model” në çdo komision tjetër. Ja praktika që propozoj për ju:

- Thirrini dëshmitarët në orën 10 të mëngjesit, që të zgjohen në orën 7, të nisen në orën 8 me mikrobusin e burgut, të dalin me pranga në kamera dhe të përjetojnë denigrimin që në pikë të mëngjesit.

- Mbajini tërë ditën jashtë sallës së mbledhjeve të komisionit për orë të tëra me justifikimin “po diskutojmë” dhe ti nuk mund të jesh prezent.

- Mos u thoni asgjë çfarë vendosët dhe çfarë do bëhet nesër; lërini ta marrin vesh vetë me të pyetur.

- Dërgojini në burg në darkë dhe thirrini prapë të nesërmen për të përsëritur spektaklin e denigrimit, sepse dje “pati shumë bujë” si lajm.

- Mbajini edhe një ditë jashtë sallës, me të njëjtën arsye. Në fund, mbyllni komisionin duke thënë: “Beqaj kishte leje deri në 12:00 të natës dhe ne tani duhet të ikim.”

Në fakt, ky komision nuk dështoi thjesht për shkak të menaxhimit të dobët, por sepse u kthye në një shembull të shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut. Madje ky komision ka krijuar një çështje për Strasburg që do të përdoret si pikë referimi në të ardhmen. Kjo është trashëgimia e këtij procesi.

Si mundet të mbyllësh komisionin pa pyetur dëshmitarin kryesor të tij që qëllimisht e le 48 orë jashtë derës duke e trajtuar në mënyrë çnjerëzore?! Pyetja e tij zonjë nuk ishte thjesht një e drejtë e tij, por ishte edhe detyrimi yt! Ishte puna të cilën e kërkove vetë dhe për të cilën je paguar ekstra deri më tani! Çfarë suksesi imagjinar përpiqesh të na mbushësh mendjen kur ky mund të quhet edhe si dështimi yt personal më i madh?!

7. A nuk është dëm ekonomik për buxhetin e shtetit gjithë ky proces i dështuar? Kush do e paguajë dhe përse duhet të paguajmë deputetët që e dështuan komisionin?

Ironia është që ndërkohë që hetohet për shpërdorim fondesh, vetë komisioni sapo shpërdoroi fondet e shtetit duke dështuar në përmbylljen e një pune disa mujore për arsye subjektive dhe jo objektive.

Tani që komisioni dështoi, përse ne si taksapagues kemi paguar gjithë këto honorare ndaj kryetares së komisionit dhe deputetëve të opozitës anëtarë të saj dhe përse duhet ti paguajmë akoma? Përse duhet të paguajmë ata për një punë dhe shërbim të pakryer? Përse duhet ti paguajmë për një dështim të qëllimshëm? A nuk është shpërdorim fondesh të ngresh komisione hetimore, ti përdorësh ato për retorika boshe dhe qëllime personale dhe ti dështosh ato me qëllim? Sigurisht që po dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.

Të nderuara media!

Ky komision nuk dështoi thjesht për shkak të keqmenaxhimit apo kapriçove personale, por edhe sepse u kthye në një simbol të shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut dhe të njëanshmërisë së dukshme. Një proces që duhej të synonte të vërtetën dhe transparencën përfundoi duke zhgënjyer gjithë publikun. Kjo nuk ishte një shfaqje drejtësie; ishte një shfaqje turpi, dhe historia nuk do ta harrojë këtë precedent të rrezikshëm.

Ndërkohë, për ata që e njohin të vërtetën dhe e kuptojnë drejtësinë, ky komision mbetet një shembull i qartë se si arroganca dhe frika përballë së vërtetës mund të shkatërrojnë procesin demokratik. E ardhmja kërkon më shumë profesionalizëm, respekt për të drejtat dhe një përkushtim të vërtetë ndaj të vërtetës, përndryshe do të vazhdojmë të shohim dështime të tilla, të mbuluara nga pretendime për "suksese".

Pavarësisht pengesës që hasëm, ne do vazhdojmë të kërkojmë tani prezencën e medias në seancat gjyqësore dhe ju ftojmë që dhe ju të insistoni në këtë drejtim.

Ju falenderojmë për mbështetjen!

Me respekt,

Av. Ermal Yzeiraj

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fiqiri Veli Haxhia: 19/11/2024 16:17

    Po ku do me dit Bulldozer thith lop hajdutja me fytyr burri tē shēmtuar Albana Lopthi [ Vokshi ] Ajo ēshtē si njē burr rugaç pa din e pa iman femēr me hormone burri.

    Përgjigju
  • Iris: 18/11/2024 00:13

    Epo opozita kerkonte te degjonte nje /Rat/,jo nje /Mouse/.

    Përgjigju
  • Ligji: 17/11/2024 13:43

    Nese flet dhe e organizon mbrojtjen ne kete menyre ky avokat do e gropose me teper Beqajn. Nuk lexova asnje citim ligjor, asnje nen qe ky avokat ti referohej gjate liturgjise te tij. Nese do te merret me politike atehere ka gabuar profesion. Beqja eshte i akuzuar dhe i marre i pandehur nga SPAK si hajdut dhe si i tille duhet te sillej, nese ka pretendime te tjera ti drejtohet gjykates dhe jo te hape me arogance deren e komisionit.PowerP. dhe ngjyrat t'ja tregoje SPAK nese e lejojne. Meqe avokati po sillet politikisht po i them se mbi 90% e shqipetareve e perceptojne Beqjan si hajdut.

    Përgjigju
    • Shkodra 1: 18/11/2024 07:49

      Nuk gabohem fare sepse masen e sigurise per hajdut ja ka dhene gjykata jo une dhe ti. Me pranga ne duar nuk vajti per qejf ne parlament. Hyrja pa leje ne komision ishte shkelje e rende ligji. Ju merreni me bastarden Vokshi dhe nishanlliejen Zhupa. Avokati si publicist qe eshte nuk di te shkruaje. Me bukura ishte se do tregonte prova qe nuk i ka gjykata. Mezi po presin gjithe shqiptaret qe Beqja te dale i pafajshem hahaha

    • Shkodra: 17/11/2024 20:01

      Gabohesh shumë o "ligji" Askush deri më sot nuk ka marrë ndonjë vendim,për rrjedhojë as cilësimin 'hajdut",siç thoni ju dhe barbarja Vokshi Avokatit mos ia qani hallin,se ligjet e nenet e tyre janë puna e tij ....

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj