TIRANË – Partia Demokratike bëri homazhe në bustin e Azem Hajrarit në Qytetin Studenti, një prej drejtuesve të Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit 1990, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist dhe i hapi rrugën demokracisë. Të pranishëm ishin ish-studentë të kohës dhe deputetë.
Në fjalën e tij, kreu i PD Sali Berisha theksoi rëndësinë e lëvizjes, duke i cilësuar studentët si heronj të vërtetë, të cilët me fuqinë e tyre si "uragan" ndanë vendin nga regjimi.
“Për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre. Me 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë, engjëjt e demokracisë, siç do i thërrisnin ata njerëzit më të shtypur të Europës, të udhëhequr nga princi i tyre legjendar, Azem Hajdari, u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër të kohës. Studentët e dhjetorit 1990 ishin misionarë të paepur, të pamposhtur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre, të cilët që në protestën e parë shpallën si moto të revolucionit të tyre, liri dhe demokraci, Shqipëria si Europa.”, tha Berisha.
Nga ky aktivitet, kryedemokrati shënjestroi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se sot, 35 vite më vonë, vendi ndodhet në narko-diktaturë. Për Berishën, Rama bëri gjithçka që të zhdukte opozitarizmin dhe pluralizmin politik në vend, por nuk ia arriti.
"Ka vendosur në Shqipëri diktaturën autoritare, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, armik i votës së lirë dhe skllav i pushtetit të krimit. Ka zëvendësuar zgjedhejt lira me farsën më të shëmtuar zgjedhore. Ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë. Kurrë ky komb s'ka pasur në krye një dyshe të tillë si Ramën dhe Ballukun, dy monstra të vjedhjes dhe grabitjes së pasurive. Ai sot është i pari kryeministri në historinë e Evropës që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe të ministrave.", tha Berisha.
Berisha më tej shpreh bindjen se të rinjtë shqiptarë do të mund ta rrëzojnë Ramën.
"Duke iu uruar gëzuar këtë ditë, i bëj thirrje të rinjve të ngrihen të frymëzuar nga dita e lirisë dhe të përmbysim sa më parë këtë regjim narkodiktatorial që po shkatërron Shqipërinë. ", shtoi ai.

Në Ditën e Rinisë, Partia Demokratike nderoi figurën e Azem Hajdarit, një prej drejtuesve të Lëvizjes së Studentëve që i dha fund regjimit komunist. I pranishëm ishte edhe djali i Azem Hajdarit, i cili kujtoi të atin dhe rolin e tij, jo vetëm në politikë, por edhe në përditshmërinë e tij me familjen. Djali, i cili mban emrin e të atit, tha se shqiptarët duhet të jenë falënderues për heronjtë që morën pjesë në lëvizjen e dhjetorit. Ai kujtoi edhe momentet se si i ati ra në dashuri me nënën e tij dhe se si u larguan nga Tirana në Tropojë, pasi dashuria ishte e pamjaftueshme për tu bashkuar për shkak të agresionit komunist.
“Shqiptarët duhet të jenë falënderues për heronjtë që bënë pjesë në lëvizjen studentore, me kryetar babanë tim, doktor Berishën dhe shumë heronj të tjerë. Heroizmi që bën këta njerëz, shqiptarët duhet ta dinë që kjo sakrificë, vetëm me parimin për të pasur të ardhme me të mirë, sot shqiptarët kanë mundësinë të shkollojnë fëmijët aty ku dëshirojnë, të dëgjojnë muzikën që dëshirojnë, të martohen me atë që dëshirojnë.
Babai ka qenë një person që kur erdhi herët në Tiranë për studime, ishte një person që donte ta rrëmbente të ardhmen e tij. Ai në atë kohë, ra në dashuri me nën time dhe si pasojë e agresionit komunist u detyra që ta ‘rrëmbente’, me dashuri të përbashkët, dhe të largoheshin drejt Tropojës. Dashuria e tyre ishte pamjaftueshme për tu bashkuar me njëri-tjetrin për shkak të agresionit komunist”, tregoi ai.
Djali kujtoi edhe një prej momenteve të të atit kur më pas u kthye nga Tropoja dhe ju bashkua protestave të studentëve. Këta të fundit ngurronin dhe kishin pasiguri se përse duhej t’i besonin lidershipin Hajdarit. Ky i fundit, siç kujton edhe i biri, para studentëve u zotua se nuk i tradhton kurrë dhe për këtë la garant dy fëmijët e tij, Rudinën dhe Kirin.
“Kur u bë me fëmijë, u nis drejt Tiranës me ëndrrën që Shqipëria të ishte Shqipëri pluraliste, demokrate, ku shteti të ishte në funksionin e njerëzve. Gjyshi im e mendonte të pamundur që djali të vinte në Tiranë dhe të hidhte poshtë sistemin me agresiv që ka njohur Ballkani dhe Europa. Ai thonte, lëri këto ëndrra se e ke të pamundur. Por jo, Azemi nuk mendonte sot për sot dhe ishte një njeri që donte të mendonte me afatgjatë për veten, shokët e tij dhe familjen e tij. Azemi ishte me koncepton që frika nuk ndalon as vdekjen dhe as humbjen, por mund të ndalojë fitoren dhe jetën. Dhe u nis për në Tiranë, ku njohu shokët dhe vëllezërit e tij, të cilët kaluan një nga momentet më të vështira duke dalë para autoblindave, plumbave, tankeve, duke rrezikuar jetën. Në ditët kur kaosi i momentit që solli këtë situatë dhe studentët u konfuzuan pak, studentët nuk po dinin nga të drejtoheshin te pjesa ku e dimë në që ti je me ne. Aty babai hipi një shkallë më lart la garant dy fëmijët, Kir dhe Rudinën, duke u thënë se unë lë garant fëmijët e mi, nëse unë u tradhtoj juve, kam tradhtuar fëmijët e mi. Ky moment studentët i shtangu, që një person mund të sakrifikonte çdo gjë, deri në familje, për lirinë dhe demokracinë. Mori lidershipin e shokëve të tij në atë kohë”, tha Hajdari.
Pak foli edhe për rolin e të atit brenda në familje, pasionin për sportin dhe orët e vona që Hajdari lexonte gazetat.
"Ishte baba i dashur, Azemi, ishte sportist i mundjes, sakrifikonte, shkonte nga Tropoja në Kukës me motor për të bërë sport. Pavarësisht agresionit politik dhe situatave voluminoze që ofronte politika, gjente kohën për tu kthyer në shtëpi për të luajtur me vëllain tim, Kir. Luante si të ishte fëmijë, për t’iu bërë shok vëllait. Aq shumë luante sa nëna u mërziste dhe ua ulte automatin e dritave sikur të ishin dy fëmijë të vegjël. Kur ai linte kohën e lirë me fëmijët, i drejtohej politikës deri në orët e vona të natës që priste gazetën për ta lexuar e për të qenë i përgatitur, kur ai priste njerëzit në derën e shtëpisë për të diskutuar për hallet që kishin këta njerëz", tha ai.
Osman Stafa, ish kreu i PD në Durrës dhe ish student i dhjetorit, teksa mori pjesë në aktivitetin në nderim të Azem Hajdarit për 8 dhjetorin e vitit 1990, theksoi nevojën e pastrimit të PD-së. Në fjalën e tij, ai tha se “nëse një pjesëtar i familjes lëviz në darkë dhe kthehet në mëngjes, ai nuk është më pjesë e familjes”.
“Doktor Berisha, në një fjalë para disa kohësh, tha se duhet të pastrojmë shtëpinë tonë. Shtëpia jonë është e vërtetë që ka nevojë për t’u ndryshuar doktor Berisha dhe pastruar. Këtë se bën dot një person i vetëm por të gjithë bashkë duke goditur në çdo drejtim. Kujtoj një aspekt, ka qenë duke gdhirë data 10 dhjetor ‘90, më erdhi babai për një vizitë pas një interviste ku dilja hapur kundër diktaturës. Nëse do ta fitoni këtë betejë, ju keni fituar një luftë dhe burri është pjekur. Një burrë piqet kur kryen ushtrinë, një djaloj piqet kur i vdes babai në moshë të re. Ne disa faza i kemi kaluar, por jo çdo fazë ka treguar se e pjek burrin. Ne kemi nevojë për më shumë mirëkuptim, tolerancë dhe për të qenë më të vendosur. Ka edhe një parim. Nëse një nga pjesëtarët e familjes në darkë lëviz dhe kthehet në mëngjes, ai nuk është më pjesë e familjes. Unë atë pjesëtar të familjes e pastroj. Ne kemi nevojë të pastrohemi doktor Berisha, duhet të jemi vetvetja. Shqiptarët shpresojnë dhe besojnë tek ne. “, tha ai.
Komente










Ishte koha dhe shansi i Shqiperise dhe Shqipetareve qe me ne fund te vinin ditet e mira e te bukura ,por erdhi ky ditezi Sali Berisha ne pushtet dhe na hodhi me ne gremine se ishim.
Përgjigju