Partia Demokratike në Shkodër po zhvillon këtë të diel procesin zgjedhor për përzgjedhjen e kryetarit të ri të degës.
Votimi ka nisur prej orës 08:00 në hollin e teatrit “Migjeni”, ndërsa të drejtë vote kanë rreth 7100 anëtarë.
Në garë janë dy kandidatë, Ardit Çylybyli dhe Gentian Ibro. Menjëherë pas përfundimit të votimit do të nisë edhe numërimi, nga ku pritet të dalë emri i drejtuesit të ri të degës së PD në Shkodër.
Kujtojmë se zgjedhjet në PD janë mbajtur në disa degë lokale të vendit, mes të cilave edhe Durrësi, Berati e Vlora.
Ndërkohë gjatë fjalës së tyre për mediat, të dy kandidatët vlerësuan procesin dhe shprehën besim se zgjedhjet e brendshme do ta forconin Partinë Demokratike.
Lidhur me vendimin e PD-së për përjashtimin e 300 anëtarëve nga anëtarësia e PD-së në Shkodër, dy kandidatët shprehën qëndrime të kundërta, ku Ibro tha se ishte pro vendimit, ndërsa Çylybyli kundër.
“Falënderoj gjithë pjesëmarrësit dhe anëtarësinë që kanë marrë pjesë dhe procesi që po bëhet është perfekt. Kjo tregon që gjithë anëtarësia është gati që të forcojmë PD-në dhe ta çojmë në standardet më të larta politike. Mendoj se Kryesia mori vendimin e duhur për 300 anëtarët”, tha mes të tjerash Gentian Ibro.
“Është një ditë shumë e rëndësishme për demokratët e Shkodrës. Votohet për kryetarin e degës Shkodër për 4 vitet e ardhshme. Pjesëmarrja duket shumë e mirë. Kandidatët janë të njohur me strukturat. Kemi pasur vite në struktura. Unë uroj që të fitojë ai që do të vendosë anëtarësia. Unë kam këmbëngulur që lista të ishte ashtu si ka qenë”, tha mes të tjerash Ardit Çylybyli.
Komente












