Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, sheh dorën e Partisë Demokratike pas protestave të dhunshme kundër qeverisë, ku fëmijë e gjimnazistë po shfrytëzohen 'si punëtorë krahu'.
Në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, ai akuzoi Sali Berishën se po merr komandën e protestave, duke përcaktuar oraret dhe duke u ofruar mbështetje protestuesve të dhunshëm. Klosi kritikoi edhe pedagogët që kanë dalë në mbështetje të tubimeve, ndërsa mbrojti veprimet e policisë, duke theksuar se efektivët po mbrojnë shtetin dhe jo Partinë Socialiste.
“Po shfrytëzohen rëndshëm fëmijë, gjimnazistë. Ata e quajnë trimëri të madhe që po përplasen me shtetin. Këtë po shfrytëzojnë ata që i kanë futur në valle. Këtë duhet ta dijë shteti, kush po i shfrytëzon. Është PD, që gjithmonë e ka bërë këtë gjë. Unë e prisja që protesta të kalonte nga rruga në universitete. Doli Sindikata e Pedagogëve dhe deklaroi që mbështesin studentët. Është për të ardhur keq që pedagogët mbështesin këtë protestë të dhunshme, pavarësisht kush janë motivet. Ata duhet t’i bindin studentët që problemet nuk zgjidhen me dhunë. Është absurde! Këtë shtet e qeveris PS se ka shumicën, por kjo s’do të thotë se bëhet politika e PS. Po mbrohet shteti, jo PS' deklaroi ish-kreu i SHISH.
Sipas tij, protesta po merr gjithnjë e më shumë karakter politik, ndërsa Berisha po merr drejtimin e saj. Klosi pretendon se kreu i PD-së po përcakton oraret e tubimeve, po u siguron avokatë protestuesve dhe po përpiqet të zbusë përplasjet, pasi nuk i intereson që protesta të vijojë me dhunë.
“Berisha nuk do ta zgjidhë. Ai po merr komandën, cakton oraret, i mbron me avokatë, u thotë që do t’ju japim dekorata. Absurditete të tilla thotë kryetari i opozitës. Atij nuk i leverdis që të bëhen të egër. Protesta po futet në linjën e politikës dhe Berishës nuk i leverdis protesta e dhunshme dhe po e zbut. Ata kanë marrë komandën që të mos jenë aq të egër”, u shpreh ai.
Duke folur për incidentet gjatë protestave, Klosi dënoi dhunën ndaj bizneseve dhe tha se të rinjtë po përdoren pa e kuptuar se kujt po i shërbejnë. Sipas Klosit, ajo që ndodhi përgjatë 10 ditëve në Tiranë ishte një skenar i përgatitur.
“As që konceptohet dhuna ndaj bizneseve. Është absurde. U duket trimëri që po djegin një bankë. Janë të shfrytëzuar. Po punojnë pa e ditur për kë. Janë punëtorë krahu”, tha ai. Sipas Klosit, protesta ishte një skenar i përgatitur, ndërsa institucionet e sigurisë u gjetën të papërgatitura. “Nuk e di a ka lidhje me skenarët që pretendojnë vendet europiane. Nuk them që kanë ceduar institucionet e sigurisë, por janë gjetur të papërgatitur. Patën katër muaj kohë për të sqaruar kush ishte mbrapa e kush e organizon”, shtoi ai.
Përballë akuzave të opozitës për dhunë policore, Klosi mbrojti efektivët, duke argumentuar se ata kanë bërë detyrën për ruajtjen e rendit. Megjithatë, ai pranoi se disa policë kanë gabuar dhe mund ta kenë kapërcyer cakun gjatë ndërhyrjeve.
“Për mua policia ka bërë detyrën e saj. Më vjen keq për policët. Janë nëpunës të shtetit që po bëjnë detyrën e tyre. Janë aty për bukën e gojës. Ndërkohë që këta njerëz përplasen me policinë me dëshirën e tyre. Policia po bën punën e saj dhe nuk shoh asnjë shkelje. Policët s’kanë mjet tjetër veç dhunës. Çfarë t’u bëjnë policët? T’u mbushin mendjen? Është normale. Nëse s’të pëlqen dhuna, mos iu afro dhunës. Natyrisht ka edhe policë që kanë gabuar. Kanë ditë që nuk flenë dhe kanë kapërcyer pak cakun. Të gjithë këta që kanë marrë pjesë në protestë s’janë kurrë më shumë se 20 mijë vetë. Nuk është populli””, u shpreh ai.
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, Klosi mbrojti ftesën e tij për dialog, duke thënë se protestuesit duhet të zgjedhin një grup përfaqësuesish për të biseduar, në vend që të këmbëngulin vetëm te dorëheqja.
“Rama ka thënë ‘dua të bisedoj, po me kë?’. Ata në fillim ishin ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, por tani Berishën e kanë harruar. Çfarë duhet të bëjë një kryeministër që i thonë futu një herë në burg? Edi Rama ka zgjedhur metodën e karrigeve dhe po u thotë ‘hajde të bisedojmë’. Duhet të vijë një grup përfaqësues, por ata duan vetëm dorëheqjen. Duket që s’duan ta zgjidhin”, tha Klosi.
-
Nje analize e sakte si per Dp e saliun ,petagoget e per protestusit.
Përgjigju










Komente
Komento