PD: Tender 5 mln $ mikut të Ramës
OSHEE:Prokurimi është transparent

PD: Tender 5 mln $ mikut të Ramës<br />OSHEE:Prokurimi është transparent
TIRANË - Partia Demokratike ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se tenderat po i çon në duar e miqve të tij. Sipas të djathtëve OSHEE e ka të përcaktuar fituesin e tenderit prej 5 mln dollarësh, për rikonstruksionin e godinës së OSHEE, duke shpërdoruar kështu paratë e qytetarëve shqiptarë.

Por vetëm pak orë më pas ka reaguar vet OSHEE përmes një deklarate për mediat ku ka shpjeguar se procesi i prokurimit zhvillohet i gjithi elektronikisht, me procedura transparente, kritere të publikuara online. OSHEE ka hedhur poshtë akuzat e kampit demokrat duke I kujtuar atyre se po vepron dhe po mendon si në kohen kur qeveriste PD.
 
“Me keqardhje deklarojmë se Partia Demokratike përdor ende “metodat” e së shkuarës kur qeveriste, duke përmendur “hapje zarfash”, pasi në fakt, aktualisht procesi i prokurimit zhvillohet i gjithi elektronikisht. PD, me mendjen nga e shkuara e saj korruptive, mendon akoma si në kohën e “zarfit”. I gjithë procesi nis dhe mbaron online, ku kushdo mund të shikojë dhe të marrë pjesë në garën për tender.”-thuhet në reagimin e OSHEE.

Në lidhje me shpenzimet e luksit, OSHEE I ka kujtuar PD-së,se po I jepet fund praktikave të shpërdorimit të buxhetit.

“OSHEE po i jep fund praktikës së pagesës me qira të ambienteve aktuale ku ushtron funksionet, kontrata me kosto 2 milionë USD, nënshkruar në kohën kur qeveriste e djathta. PD duhet të heshtë para këtij projekti, pasi OSHEE po i jep fund shpenzimeve në dëm të buxhetit, dhe pas një kohë disa vjeçare me qira, ka projektuar rikonstruksionin e ndërtesës së re, moderne dhe shumë funksionale, e cila do të jetë pronë publike e kompanisë, me vendim qeverie.”-thuhet në reagimin e OSHEE.
 
Deklarata e plotë e Partisë Demokratike
Pas pak orësh, sipas porosisë së Edi Ramës, OSHEE do hapë zarfat për të shpërblyer me 5 milionë dollarë një mik e klient të vjetër të kryeministrit me të cilin ai ka marrie e dhënie që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.
 
Masha që përdoret në këtë rast, është OSHEE-ja, dhe paratë që do jepen për ndërtuesin e Edi Ramës janë marrë me kërbaç, me dhunë e me burg, me jetë njerëzish, nga shqiptarët e varfër e të pamundur.
 
Paratë e gjakut të shqiptarëve, janë paketuar, janë bërë gati, pra plot 5 miliardë lekë, për t’iu dhënë sot mikut e klientit të Edi Ramës.
 
Partia Demokratike, po i shtron sot këto pyetje OSHEE-së:
 
A është paracaktuar fituesi për tenderin e godinës së kësaj organizate?
 
A janë bërë kriteret enkas për fituesin e paracaktuar?
 
Pse nuk ka transparencë për paratë e shqiptarëve?
 
Pse shpenzohen paratë e mundit, e gjakut të shqiptarëve për zyra të reja e për luks?
 
Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë aferë korruptive?

Reagimi i plotë i OSHEE-së ndaj akuzave të PD-së
Me keqardhje deklarojmë se Partia Demokratike përdor ende “metodat” e së shkuarës kur qeveriste, duke përmendur “hapje zarfash”, pasi në fakt, aktualisht procesi i prokurimit zhvillohet i gjithi elektronikisht.

Me procedura transparente, kritere të publikuara online në APP dhe ku mund të marrë pjesë kushdo, PD, me mendjen nga e shkuara e saj korruptive, mendon akoma si në kohën e “zarfit”.
I gjithë procesi nis dhe mbaron online, ku kushdo mund të shikojë dhe të marrë pjesë në garën për tender.
 
Në lidhje me shpenzimet e luksit, i kujtojmë PD-së, por me këtë rast sqarojmë edhe publikun, se OSHEE po i jep fund praktikës së pagesës me qira të ambienteve aktuale ku ushtron funksionet, kontrata me kosto 2 milionë USD, nënshkruar në kohën kur qeveriste e djathta.

PD duhet të heshtë para këtij projekti, pasi OSHEE po i jep fund shpenzimeve në dëm të buxhetit, dhe pas një kohë disa vjeçare me qira, ka projektuar rikonstruksionin e ndërtesës së re, moderne dhe shumë funksionale, e cila do të jetë pronë publike e kompanisë, me vendim qeverie.

Por mbase PD nuk i intereson përmirësimi i shërbimit ndaj klientit, ndërtimi zyrave për kujdesin ndaj abonetit, që sot janë në kushte mizerabël.
Mbase PD nuk i intereson prishja e këtyre kontratave të lidhura nga ajo, në dëm të OSHEE-së.

Mbase PD-së nuk i intereson performanca aktuale e kompanisë, e cila ka dalë nga gropa e falimentimit dhe së bashku me ndërgjegjen e qytetarëve për pagesat e faturave, bëri të mundur që sot OSHEE jo vetëm të nisë investimet me fondet e veta, pa cënuar buxhetin e shtetit, por edhe të paguajë taksat.

Kompania po investon anembanë vendit, nga veriu në jug. Janë hedhur 50 milionë dollarë investime, kantiere të hapura, për të modernizuar rrjetin, e cili sot është i kalbuar.

Po vendosen linja të reja në Sarandë, do ndërtohen dy nënstcaione të reja në Himarë dhe Orikum, po shtrohet rrjet i ri 20 KV në qytetet kryesore, po rikonstruktohen 3 nënstacione kryesore në Tiranë dhe Durrës, kurse në Shkodër, Lezhë, Korçë, Elbasan, etj, po vendosen pajisje moderne për kabina, linja dhe shtylla të reja.

Të gjitha këto me fondet e OSHEE, falë ndërgjegjësimit dhe rikthimit të ligjshmërisë në pagesën e faturës së energjisë elektrike.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë