PE dënon bojkotin e opozitës në
Shqipëri e Maqedoni, kritika Serbisë

PE dënon bojkotin e opozitës në<br />Shqipëri e Maqedoni, kritika Serbisë
Gjashtë ministrat e Jashtëm të Ballkanit ballafaquan qëndrimet e tyre përpara eurodeputetëve, si dhe ndaj homologëve të tyre të ftuar nga parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Shqipëria dhe Mali i Zi u paraqitën më mirë gjatë debatit mbi integrimin europian të rajonit, që zgjati për më shumë se tre orë në Komitetin e Jashtëm të PE-së. Statusi i vendit kandidat, vullneti politik për kryerjen e reformave dhe përputhja e diplomacisë vendase me atë europiane, i mundësuan Ministrit Bushati të kërkonte nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, si dhe më shumë substancë e projekte konkrete ekonomike nga procesi i Berlinit.
 
“Sigurisht që ne e shohim statusin kandidat si një hap të përkohshëm drejt anëtarësimit dhe nisjes së bisedimeve për këtë anëtarësim. Ne shpresojmë shumë për një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm, meqënëse e konsiderojmë nisjen e negociatave si një mundësi për t'u fokusuar më mirë në atë çfarë mbetet për t'u bërë, sidomos për shtetin e së drejtës, përmes hapjes së kapitujve 23 dhe 24. Procesi integrues nevojitet të jetë dinamik dhe efiçent”, u shpreh Bushati.

“Unë mund të konfirmoj çfarë tha ministri i Jashtëm për punën e dukshme dhe të suksesshme që ne e mbështesim me gjithë zemër. Problemi vijon të ngulmojë tek kultura politike, në bashkëpunimin mes partive politike në parlament, mes qeverisë dhe opozitës. Ata duhet të punojnë më mirë së bashku dhe të përmbushin detyrat e tyre respektive. Për momentin ka një seri mundësish mbi të cilat po diskutohet. Shqipëria është përgjithësisht në rrugën e duhur, siç thotë raporti i Komisionit. Sigurisht, e dimë se një trajtim i rëndësishëm mbetet për t'u bërë në fushën e gjyqësorit mbi pavarësinë e gjykatave, në fushën e luftës ndaj korrupsionit dhe luftës për një administratë transparente. Ne duhet t'i mbështesim këto përpjekje si grup politik, si Parlament gjithashtu, dhe në Komision. Ne shpresojmë se negociatat me Shqipërinë do të nisin sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë.

“Marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, dhe të Serbisë me Shqipërinë duhet të përmirësohen.Bojkoti parlamentar që po ndodh në Shqipëri e Maqedoni po bëhet një praktikë mjaft shqetësuese”, u shpreh Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Serbinë.

"Shikoni Shqipërinë dhe Maqedoninë. Duhet t'i japim një fund bojkotit. Është shkatërrues për vendet dhe ato kombe”, tha Victor Bostinaru, eurodeputet rumun, S&SD.

Ministri i Jashtëm shqiptar përmendi “si kthesë në rajon” vizitën e kryeministrit Rama në Beograd, e cila u vlerësua si pozitive gjatë debatit. Homologu i tij serb kujtoi ndeshjen e futbollit dhe “Shqipërinë e Madhe” gjatë një shkëmbimi të ashpër me deputetët e Kroacisë, që kërkuan prej tij të dënonte gjuhën luftënxitëse të shprehur nga i akuzuari për krime lufte në Hagë, Vojislav Sheshelj.

“Arroganca juaj nuk kalon në këtë parlament”, iu drejtuan ata Daçiç menjëherë pas fjalës së tij, duke insistuar për “qëndrim të qartë të Serbisë ndaj Sheshelj, në vend të mbajtjes së ligjëratave me fqinjët”.

 “Është mjaft e thjeshtë për ne që të kemi sherre. Por e përsëris, do të jemi absolutisht kundër ndaj kujtdo që kompromenton ligjshmërinë, apo stabilitetin në Ballkan, përfshirë fjalime naziste e shoviniste të bëra në Serbi, e këtu nuk flas për Sheshel. Në Kroaci, ju mund t'i dëgjoni të tilla fjalime të urrejtjes, gjithashtu, apo për Shqipërinë e Madhe. Ne patëm këtë ndeshjen e futbollit në Beograd pak kohë më parë, ku ju mund të dëgjonit këto lloj gjërash. Por, ne duam paqe në rajon, ndaj duhet të bëni kujdes për progresin e madhqë kemi arritur deri tani për normalizimin e mardhënieve”, u shpreh Ivica Daçiç, zëvëndëskryeministër i Serbisë.

“Së pari, duhet të kemi zbatim të plotë të marrveshjeve të arritura deri më tani, pa e rinegociuar atë, apo duke e devijuar gjatë procesit të ndërmjetësuar. Së dyti, nevojitet shpërbërje e plotë e gjithë strukturave paralele të shtetit serb brenda territorit të Kosovës. Së treti, duhet të kemi integrim të plotë të serbëve të Kosovës në institucionet shtetërore. Së katërti, nevojitet anëtarësim i plotë i Kosovës në gjithë sistemin ndërkombëtar, përfshirë pranimin në Kombet e Bashkuara. Së pesti, ne duhet të kemi njohjen e ndërsjelltë. Zonja e zotërinj, kjo është qasja sesi Kosova e Serbia mund të kenë normalizim të plotë të marrëdhënieve”, u shpreh Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm i Kosovës.

“Ne nuk i kemi përcaktuar ende temat për dialogun” reagoi Daçiç, duke shprehur me gëzim se nuk ishte me i ngarkuar për këto bisedime.

Përveç arritjes së një traktati paqeje me Serbinë, data për liberalizimin e vizave për kosovarët ishte një tjetër kërkesë e Ministrit Hoxhaj, e mbështetur dhe nga raportuesja Lunaçek, e cila bëri thirrje për ndryshime në vend, por uroi të ishte e shpejtë dita kur nga Kosova të telefonohej pa prefiks slloven apo të Monakos.

Marrë nga "Top Channel"

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

VIDEO-LAJM/ Ezani i parë pas përurimit të Xhamisë së Namazgjasë! Imami Kalaja publikon pamjet nga brenda, bie në sy arkitektura mjeshtërore

VIDEO-LAJM/ Ezani i parë pas përurimit të Xhamisë së Namazgjasë! Imami Kalaja publikon pamjet nga brenda, bie në sy arkitektura mjeshtërore