PEKIN, 17 mars /ATSH-AFP/ - Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, 91 vjeç, i cili negocioi takimin historik mes Mao Ce Dunit dhe Richard Nixonit, u takua sot me presidentin kinez, Xi Jinping duke siguruar se SHBA-ja dhe Kina diskutojnë tashmë mes tyre çështjet e mbarë botës.
"Nuk mund ta imagjinoja se do të vinte një ditë, që do të shikoja Kinën dhe SHBA të bashkoheshin për të diskutuar për të ardhmen e paqes dhe zhvillimit të mbarë botës", nënvizoi Kissinger.
Gjatë një pritjeje madhështore në Pallatin e Madh të Popullit, në sheshin "Tiananmen" në Pekin, diplomati falenderoi presidentin Xi për kohën që i kishte kushtuar për të pritur personalisht një qytetar të zakonshëm që viziton Kinën privatisht.
"Ju do të merrni gjithmonë një pritje të ngrohtë gjatë qëndrimit tuaj në Kinë", iu përgjigj Xi Jinping.
"Ju keni thyer akullin në marrëdhëniet tona mes dy vendeve", theksoi ai duke i kërkuar të vazhdojë ndërtimin e një modeli të ri të dialogut mes dy fuqive të mëdha.
Këshilltar i Nixonit, Henry Kissinger drejtoi negociatat sekrete dhe të vështira që bënë të mundur në vitin 1972 vizitën e presidentit amerikan në Republikën Popullore të Kinës dhe takimin e tij spektakolar në sfondin e Luftës së Ftohtë të asaj kohe, me Mao Ce Dunin, themelues i regjimit komunist./
/ec/ a.jor.












