Ka nisur prej tre ditësh Pelegrinazhi i Shenjtë në Malin e Tomorrit, ku mijëra besimtarë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të ndryshme të botës i janë drejtuar vendit të shenjtë për të nderuar Shenjtin Abaz Ali dhe për t’u lutur për paqe, shëndet, mirësi e begati në familjet e tyre.

Pelegrinazhi, që vijon deri më 25 gusht, është një nga ngjarjet më të mëdha shpirtërore të komunitetit bektashian. Çdo vit, Mali i Tomorrit kthehet në një qendër të rëndësishme besimi, duke mirëpritur qindra mijëra pelegrinë e vizitorë.

Qëndrimi në natyrë dhe fjetja në çadra, në lartësitë e malit, janë ndër traditat më të veçanta të pelegrinazhit. Besimtarët qëndrojnë të paktën një natë nën qiellin e hapur, duke e përjetuar këtë moment si pjesë të ritualit dhe përkushtimit të tyre shpirtëror.

Me rritjen e numrit të pelegrinëve çdo vit, janë marrë masa të shumta për mbarëvajtjen e aktivitetit. Baba Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, tregon për masat e ndërmarra, kushtet e krijuara për besimtarët dhe përcjell mesazhin e tij për të gjithë ata që vizitojnë Kulmakun.

“Në 20-25 gusht në Malin e Tomorrit zhvillohet një pelegrinazh i përbotshëm dhe i përmotshëm. Kjo për nder të dëshmorit të Qerbelasë, Abaz Aliut, i cili ra dëshmor në Qerbela për demokracinë, paqen dhe mirësinë mbarënjerëzore. Dhe ne si fetarë respektojmë njeriun që është qenia më e përkyer. Këtu vijnë njerëz dhe besimtarë për të marrë mirësinë e këtij mali. Për t’ju lutur Zotit, paqes dhe dashurisë”, tha mes të tjerash Baba Mondi.

Ritualet kryesore zhvillohen pranë Teqesë së Kulmakut dhe në Çukën e Abaz Aliut, ku kryhet edhe riti i qengjit të kurbanit dhe ndizen qirinj. Në Teqenë e Kulmakut dhe në Majën e Abaz Aliut, shumë pelegrinë kanë ngritur çadrat e tyre dhe qëndrojnë gjatë natës në natyrë.

Për shkak të fluksit të lartë të automjeteve dhe vizitorëve, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të veçantë masash për menaxhimin e trafikut në akset Berat–Poliçan–Kulmak dhe Çorovodë–Kulmak.

Në terren janë dislokuar gjithashtu grupe të ndihmës së shpejtë dhe strukturat e emergjencave civile, për të garantuar sigurinë dhe për t’iu përgjigjur çdo situate gjatë ditëve të pelegrinazhit.