Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është një domosdoshmëri për vetë Europën. ky ishte mesazhi i kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ka shpalosur në Zagreb, ku u mbajt  Samiti Parlamentar të Nismës së Tre Deteve. 

Në fjalën e tij, Peleshi vuri theksin te ndërlidhja infrastrukturore, energjetike dhe roli i rajonit në projektin europian, duke theksuar se në një kohë pasigurish në Europë, platforma të tilla bashkëpunimi janë thelbësore për forcimin e lidhjeve ekonomike, energjetike dhe politike mes vendeve.

Sipas Peleshit, Ballkani Perëndimor nuk duhet parë më si periferi, por si pjesë përbërëse e arkitekturës së ardhshme europiane, duke theksuar se gjeografia dhe orientimi politik i rajonit e mbështesin këtë qasje.

Kreu i Kuvendit u ndal edhe te roli i Shqipërisë, duke e cilësuar vendin si një nyje strategjike që lidh Adriatikun dhe Jonin me rrjetet europiane dhe kontribuon në stabilitetin ekonomik të rajonit.

Ai veçoi projektet kryesore infrastrukturore dhe energjetike, si Koridori VIII, Koridori Blu, Gazsjellësi Trans Adriatik dhe ai Joniano-Adriatik, që synojnë të krijojnë një rrjet të integruar në rajon.

Në këtë kuadër, Peleshi theksoi se zgjerimi i BE-së lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, duke e bërë integrimin e rajonit një çështje strategjike.

Ai nënvizoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe diplomacisë parlamentare për forcimin e projektit europian.

Gjatë vizitës në Zagreb, Peleshi u takua edhe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

"Vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkëmbimin e përvojës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rëndësi e veçantë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, bashkëpunimin rajonal e forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe mbrojtjen e sigurisë e të paqes" shkroi ai në Facebook pas takimit. 

Nisma e Tre Deteve është një platformë bashkëpunimi që lidh vendet mes Detit Baltik, Adriatik dhe Detit të Zi, duke synuar zhvillimin e projekteve në infrastrukturë, energji dhe digjitalizim.

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Mars, 11:49

    PS propozon ligj për zhvillimin e referendumeve, a jeni dakord?