'Pelikanët e zinj', Luli Bitri sjell filmin për fëmijët në nevojë, trondit publikun me historinë e vogëlushes me autizëm! Aktorja: Nuk më interesojnë trofetë, por emocionet

Kur reflektorët i drejtohen politikës, luksit a skandaleve, në kinemanë e Arkivit të Filmit, Luli Bitri tenton t’i flasë njeriut përmes filmit. T’u vijë në ndihmë fëmijëve në nevojë. Skenari, të cilin e shkroi në pandemi, ka në qendër, një vogëlushe të spektrit autik, që përpiqet të komunikojë përmes fotografisë.  Përballë kësaj situate, prindërit kanë humbur rrugën, e konflikti i zhyt në kaos. Nuk janë “Pelikanët e zinj”, që Bitri kërkon përballë fëmijës.

“Në kristianizëm “pelikani i zi” është një shpend që personifikon figurën e Krishtit, vetë sakrifikimin. Pra, ideja e prindit për të sakrifikuar për fëmijët e vet. Ne nuk i ndajmë situatat, duke thënë se këtu ka fajtorë apo viktima. Njëkohësisht ata janë fajtorë dhe viktima në të njëjtin realitet.  Prindërit janë viktimat e këtij realiteti në kurthin e fatit të tyre, në kurthin e paaftësisë për t’u shprehur”

Në rolin e dyfishtë, edhe si regjisore, Bitri, thotë se vështirësitë e të bërit film në Shqipëri marrin të tjera përmasa, veçanërisht kur në shesh xhirimi janë edhe fëmijët.

“Duke qenë vetë aktore i kam dobësi aktorët. Kam pasur fatin që të kem në shesh xhirim Agron Shalën, Beslidhje Bytyçin, po ashtu nga Kosova si dhe  Ledjon Bitrin. Aria Cakoni dhe Ainel Tavanxhiu janë dy vajzat e vogla që kanë punuar me shumë dashuri e përkushtim. I kanë dhënë jetë, i kanë dhënë shpirt, i kanë dhënë magji sheshit të xhirimit, çka sipas meje është shumë e nevojshme për të bërë art”

Besëlidhje Bytyçi në krah të aktorit Agron Shala, si prindër e bashkëshortë në film janë në udhëkryq. Vogëlushja vuan keq menaxhimin, që ata i bëjnë nevojës së saj për komunikim.

“Ka qenë një emocion sa i bukur aq edhe plot ndjeshmëri edhe për shkak të tematikës së filmit. Dhe për shkak se jemi prindër të dy vajzave dhe njëra prej tyre është autike. Siç dihet, fëmijët autik, përkundrejt faktit që nuk dimë si ti trajtojmë, janë  fëmijë me shpirt të bukur e që mund të  falin ndjesi shumë të bukura” , thotë Bytyçi.

Ndërsa Ledjon Bitri në rolin e tij tenton të përçojë mesazhin, se mirëkuptimi që kërkojnë këta fëmijë nuk limitohet vetëm në rrethin familjar.

“Është temë shumë delikate dhe njëherazi shumë e rëndësishme, sepse askush nuk e di se kur mund të vijë një fëmijë me këto nevoja të veçanta në jetën e dikujt. Mund t’i ndodhë secilit prej nesh, ndaj si shoqëri duhet të jemi të përgatitur”, shprehet Ledjon Bitri.

Fëmijët me spektrin e autizmit, kanë qenë të pranishëm gjatë realizimit të këtij filmi, ku aktorja për ta ndërgjegjësuar publikun ndaj këtij realiteti, e trondit atë. Nënat, si  Rudina Cauli, që i’u përgjigj thirrjes së Bitrit, për fëmijë figurant në shesh xhirim, i është mirënjohëse për misionin që ky film mbart.

“Ishte befasuese Në sheshin e xhirimit, më tha:  “Unë të kam sjell Mishelin. Misheli është një nga ata...” E gjithë kjo është shumë emocionuese. Për mua s’ka rëndësi sa larg do shkoj filmi, as trofetë e tapetet e kuq, ajo çka më intereson është procesi, ky lloj emocioni”

Filmi me metrazh të shkurtër është prodhim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Ky film u prodhua nga Action Production , producente Gerta Qurku dhe bashkë producentë Luli Bitri.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë