Ditët perfekte të një pastruesi banjosh në Tokio

Ditët perfekte të një pastruesi banjosh në Tokio

Aktori japonez Koji Yakusho ne filmin Perfekt Days

On line me jetën apo on line në internet? Si jemi të lidhur sot dhe sa të ndërgjegjshëm jemi për të përditshmen, për veprimin, për heshtjen dhe për fjalën. Arti, në epoka të ndryshme na vjen në ndihmë të kuptojmë përmes një libri, përmes një skulpture, një pikture, një teatri, një filmi… “Perfekt Days” (Ditët perfekte), i regjisorit gjerman Wim Wenders, është një film për t’u parë dhe për t’u kuptuar, një film që luan fort me durimin tonë përmes përsëritjeve të ritualeve të jetës në ditët e protagonistit. Çfarë bashkon një regjisor gjerman me një aktor japonez si Koji Yakusho në banjot publike të Tokios?

Në radhë të parë puna: Protagonisti i “Perfect Days” Hyrajama, interpretuar nga aktori Koji Yakusho, është një pastrues i 17 banjove publike të realizuara nga archistarë në kryeqytetin japonez. Së dyti, si e shohin punën manuale dhe të thjeshtë, sidomos këtë të pastruesit të banjove, dy artistë që vijnë nga dy nga vendet më të zhvilluara në botë: Gjermania dhe Japonia, ku koha nuk mjafton asnjëherë e ku ritmi i jetës dhe mekanizimi i saj është në ekstrem? E pikërisht, në majën e akullt të ekstremit ku ndodhen sot shoqëritë më të përparuara, artistët krijojnë “Perfect Days”, një himn për heshtjen, thjeshtësinë, meditimin, vëzhgimin, dëgjimin, ritualet, leximin, etj. Etj.

“Herë tjetër, është një herë tjetër, por tani, është tani”, është shpërthimi gati në një litani e dy prej protagonistëve të filmit, ndërsa shohin qiellin dhe shëtisin në një qytet frenetik si Tokio, ku arrijnë të gjejnë hapsira që përcjellin qetësinë dhe mënyrën për të pushuar dhe reflektuar.

Nuk ka rëndësi titulli i punës që bën, por si e bën, nuk ka rëndësi luksi i shtëpisë ku jeton, por si e jeton; pemët, natyra është e ngjashme si në Gjermani, Shqipëri, Japoni, Itali, Francë, Angli, bashkëvepro me të; muzika është universale dhe tingujt më të bukura të saj arrijnë ta bëjnë një “Ditë perfekte” bashkë me perëndimin flakaman të diellit. Hyrajama është një mesoburrë që dëgjon ende muzikë me kaseta dhe bën fotografi me filmat bardhë e zi. Hyrajama nuk është i lidhur online; nuk di ç’janë rrjetet sociale, si funksionojnë dhe përse duhen ato, por e përditshmja e tij e thjeshtë është një ritual zen, që e bën atë të vetëmjaftohet, të ndjehet në liri dhe të jetë një njeri i mirë.  

Regjisorit Wim Wenders i ka mjaftuar Haryjama, ky pastrues i 17 banjove publike të Tokios për të përcjellë mesazhin se lumturia mund të lindë edhe në më të përulurën e punëve, në më të thjeshtën e shtëpive dhe në më të vetmuarin e njerëzve në një qytet gjigand, të shtrenjtë, të zhurmshëm siç është Tokio. Imagjinoni se çfarë mund të bëjë kushdo tjetër!

a.m./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim