Ndërsa temperaturat e larta kanë përfshirë gjithë Europën, edhe në Tiranë, makina e këmbësorë përpiqen të përzgjedhin rrugët me pemë. Është si nata me ditën të qëndrosh nën gjigandet e gjelbërta të “Myslym Shyrit”, të Unazës së vogël, të Radio Televizionit, të “Ndre Mjedës”, që të vjen t’i përqafosh, apo, të përcëllohesh te zhveshtësia e “21 Dhjetorit”, “Zogut të zi”, Astirit apo rrugëve të reja e të zhveshura akoma nga gjelbërimi. Edhe Lana gjarpëroshe është e gjelbërt më shumë se përvit këtë verë.
Kullat e reja me arkitekturë avangardë duket se dikush përpiqet me gjithë shpirt t’i rigjelbërojë, e dikush tjetër bën sikur…, duke e shumëfishuar temperaturën e mjedisit përreth si nga xhami ashtu dhe nga hekuri dhe betoni i përdorur për ndërtim. Vezët, aty poshtë, mund të gatuhen pa asnjë dyshim. Në arkitekturën e re dikush ka vënë pemë e bimë të rritura, ndërsa të tjerë janë mjaftuar të vendosin bebe-bimësi që do t’i duhen vite të ndihmojnë për frymëmarrjen me oksigjen të kryeqytetasve.
Nuk duhet të ketë hile në rigjelbërimin e komunitetit për ata që ndërtojnë. Aq sa beton hidhet, aq sa sipërfaqe kontribuon në rritjen e temperaturave me xham, hekur e beton, aq pemë duhet të llogariten të mbillen që të ekuilibrojnë. Pemë, jo fidanë. Kjo nuk duhet të jetë një kërkesë llogarie, nuk duhet të jetë një kërkesë shtetërore, duhet të konsiderohet si një detyrë qytetare e vetvetijshme dhe e ndërgjegjshme.
Është shpresëdhënëse kur sheh biznese private në Tiranë që nuk kursehen të vendosin vazo e pemë rreth shërbimeve të tyre. Dikush ka arritur të ndërtojë dhe “xhungla” të mirëfillta me lloj lloj bimësie. Spektakolarë!
Nuk duam të spekulojmë e të themi që një pemë e rritur rifreskon si të ishin 10 kondicionerë, për këtë punë janë shkencëtarët që mund të na ndihmojnë, por, me siguri nuk ka qoftë dhe një njeri të vetëm që të mos e ketë ndjerë ndryshimin dhe mirëqënien klimatike i ndodhur nën një pemë. Atëherë, le të bëhemi zemërgjerë me mikeshat tona gjethe-gjelbër e ta mbushim qytetin lagje për lagje, e ballkonet, e vazot, e çdo gjë që na rrethon. Nuk jemi të vetmit që i shohim si lehtësim e shpëtim për klimën që sa vjen dhe ndizet.










Komente
Komento