Në fjalën e tij krah ministrit Ervin Demo, kryepolici Skënder Hita u ndal te raportimet për pengim të medias nga policia. Hita theksoi se duhet të respektohet e drejta e përfaqësuesve të medias për të ushtruar lirisht profesionin.
Çdo shqetësim apo pengim i kësaj të drejte, do të trajtohet sipas ligjit, garantoi ai.
“Gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët kryejnë një mision me interes publik, shpesh në rrethana të vështira dhe me rrezik të shtuar, ndaj e drejta e tyre për të ushtruar lirisht dhe në mënyrë të pavarur profesionin duhet të respektohet dhe të mbrohet. Bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të medias duhet të mbështetet në respektin e ndërsjellë, komunikimin e vazhdueshëm, transparencën dhe përgjegjësinë profesionale. Veçanërisht gjatë tubimeve dhe situatave që shoqërohen me tensione apo akte dhune, është e domosdoshme të forcohet koordinimi në terren, përmes një komunikimi të qartë dhe në kohë ndërmjet shërbimeve policore dhe përfaqësuesve të medias. Ky bashkëpunim duhet të garantojë njëkohësisht ushtrimin e papenguar të veprimtarisë gazetareske dhe respektimin e masave të ligjshme të sigurisë, të cilat synojnë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë personave të pranishëm. Udhëzimet e shërbimeve policore, respektimi i perimetrave të sigurisë të vendosur në përputhje me ligjin dhe komunikimi i drejtpërdrejtë në terren janë elemente të rëndësishme për parandalimin e incidenteve, pa cenuar të drejtën e medias për të dokumentuar dhe raportuar zhvillimet me interes publik. Po kështu, çdo shqetësim apo pretendim për pengim të punës së gazetarëve ose për sjellje të papërshtatshme nga punonjës të Policisë trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me procedurat ligjore. Dua të theksoj se siguria e gazetarëve dhe liria e informimit nuk janë në kundërshtim me garantimin e rendit publik. Përkundrazi, ato janë përgjegjësi që duhet të përmbushen së bashku, përmes profesionalizmit, mirëkuptimit dhe respektimit të ligjit. Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar kushtet e nevojshme që gazetarët të ushtrojnë të lirë dhe të sigurt profesionin e tyre, duke qenë njëkohësisht e hapur për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim më të strukturuar me organizatat përfaqësuese të medias”, tha Hita.
Lajmi kryesor:
Protestat e dhunshme, Demo: 347 të lënduar, prej tyre 201 policë! U përdorën të miturit, 269 të shoqëruar! Kemi identifikuar ‘maskat’, së shpejti kamera trupi për efektivët











