Aktet e mëdha nuk shkruhen me poezi. Ato paguhen me fatura të rënda njerëzore. Gjatë analizës së rrugëtimit politik të Ismail Qemal Vlorës, shpesh ne anashkalojmë sakrificën sublime dhe terrorin shtetëror që rëndoi mbi familjen e tij pas arratisjes në azil politik në Europë në maj të vitit 1900.

Një dëshmi e errët e këtij çmimi na vjen nga shtypi europian para 125 viteve. Më 25 tetor 1901, revista pariziene "Pro Armenia", në komitetin drejtues të së cilës ishin personalitete të shquara si Georges Clemenceau, Anatole France, Jean Jaurès, Francis de Pressensé dhe Eugène de Roberty, publikoi këtë raportim tronditës:

"E gjithë Evropa ka dëgjuar për shqiptarin (Arnaout) Ismail Qemal bej, ish-anëtar i Këshillit të Shtetit në Kostandinopojë dhe së fundmi i emëruar guvernator i Tripolit në Afrikë, që ishte vendi i tij i internimit. Por ndoshta shumë njerëz nuk e dinë se Ismail Qemal beu, përveç dy fëmijëve të mitur që mori me vete, la pas dy djem adoleshentë, njëri prej të cilëve ishte adjutant perandorak, si dhe gruan dhe vajzat e tij; cili ishte pra fati i tyre

Djali i madh, adjutanti, para një apo dy muajsh, u burgos dhe më pas u internua... ndoshta në botën tjetër. I dyti, rreth tri javë më parë, u arrestua në shtëpinë e të atit në Arnavutqoj (Bosfor) dhe nuk dihet se ç'u bë me të. Shtëpia e Ismail Qemal beut prej shumë kohësh, madje edhe para internimit të tij, i ishte nënshtruar mbikëqyrjes më të rreptë; ditë e re, spiunë të rinj; madje edhe oficerë të kazermës lokale janë të ngarkuar posaçërisht për të spiunuar shtëpinë e Qemal beut.

Tani që nuk ka mbetur më asnjë burrë në këtë shtëpi, ajo mbetet ende nën survejim; as një zog, as një mizë nuk guxon të hedhë sytë drejt saj; nuk dihet se me çfarë ushqehen gratë dhe se si apo nga i sigurojnë gjërat e nevojshme. Ç'mund të bëjnë këto të rrethuara të privuara nga çdo lloj komunikimi... cili është qëllimi i Hamidit ndaj këtyre grave... kush do t'i shpëtojë këto të mjera nga një vdekje e sigurt dhe e tmerrshme... ah! ku është kalorësia që sakrifikohet për mbrojtjen e më të dobtëve?"

Përtej thirrjes dëshpëruese të gazetarit për ndërhyrje, ky tekst zbulon dy dimensione të panjohura të lidershipit të tij. Së pari, anatominë e shantazhit sulltanor. Në pamundësi për ta goditur Ismail Qemalin fizikisht në Europë, shteti osman përdori terrorin ndaj gjakut të tij për t'i thyer vullnetin. Vetë revista, në një paragraf të mëtejshëm brenda të njëjtit numër, e thekson këtë rrethim mizor duke e emërtuar drejtpërdrejt aktin e regjimit: "Kemi parë se informatorët e Hamidit po përpiqeshin ta vdisnin urie familjen e Ismail Kemal beut në shtëpinë e tij të rrethuar."

Së dyti, fakti që një revistë si "Pro Armenia", në komitetin e së cilës spikaste politikani i madh francez (dhe kryeministri i ardhshëm) Georges Clemenceau, ngrinte zërin për një lider shqiptar, nuk ishte rastësi. Ismail Qemali po ndërtonte një aleancë të gjerë ndërkombëtare të të shtypurve nga Sulltani, duke e përdorur shtypin europian dhe kauzat e popujve të tjerë si një armë gjeopolitike për t'i bërë presion të drejtpërdrejtë Stambollit.

Kjo ishte një pengmarrje e mirëfilltë për të paralizuar aksionin e tij politik dhe për ta gjunjëzuar atë përmes urisë së njerëzve më të dashur. Këtu formësohet përmasa e vërtetë e sakrificës sublime. Edhe pse në atë kohë beteja e tij parësore fokusohej te rrëzimi i absolutizmit të Abdylhamitit II, kjo goditje e pamëshirshme ndaj familjes e kaliti burrështetasin që pak vite më vonë do të ndryshonte hartën e Ballkanit. Shqipëria e vitit 1912 u ngrit mbi vullnetin e hekurt të një lideri, i cili pa familjen e tij të rrezikohej nga terrori i Bosforit, por nuk bëri asnjë kompromis me vizionin e tij.