Pensionet, falen kamatëvonesat për 
bujqit dhe emigrantët, kush përfiton

TIRANE- Përmes një amnistie dymujore qeveria ka vendosur tu vijë në ndihmë të vetëpunësuarve në fshat dhe emigrantëve të plotësojnë vitet e pensionit pa kosto shtese. Rreth 290 mijë të vetëpunësuar në fshat do të kenë mundësinë që brenda datës 31 dhjetor të plotësojnë vitet e punës duke paguar sigurimet shoqërore të prapambetura pa përfshirë gjobat dhe kamat vonesat. Në mbledhjen e djeshme qeveria ka vendosur të çojë në parlament projektligjin në mbështetje edhe të skemës së re të pensioneve që do të nisë në 1 janar të vitit të ardhshëm.

"Që nga viti '94 deri në vitin 2001 për të siguruar një vit për efekt pensioni në fshat pagesa ka qenë vetëm 15 dollarë. Kjo do të thotë që për të paguar sigurimet shoqërore nga 94 deri në 2001 në total duhet të paguhen 120 dollarë për vetëm tetë vite pension. Nëse ka qytetarë shqiptarë, sidomos në fshat nga këta 290 mijë të deklaruar të vetëpunësuar, që kanë nevojë të mbushin detyrimet e papaguara, boshllëqe që kanë lënë në vite, për arsye të emigracionit ose punës në fshat, ky është një moment ideal.

Deri në datën 31 dhjetor për të paguar pa kamatë dhe pa gjobë", tha Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Sipas propozimit të qeverisë, nëse ata që përfitojnë nga amnistia nuk i paguajnë sigurimet shoqërore deri në 31 dhjetor 2014, nga viti i ardhshëm vitet e prapambetura do t’i paguajnë me çmimin e vitit 2015. “Le ta përdorim këtë dy mujor për të ndërgjegjësuar qytetarët se kjo është mundësia e fundit e shkëlqyer për të paguar vitet e prapambetura, në mënyrë që askush të mos mbetet pa pension dinjitoz”, tha ministri Veliaj.

Kreu i Ministrisë së Mirëqenies Sociale u ka bërë thirrje edhe emigrantëve që deri në 31 dhjetor të paguajnë vitet e sigurimit. "Për pensionet, ose marrëveshjet që presim të nënshkruajmë brenda këtij viti me Kanadanë, Maqedoninë, Hungarinë dhe Rumaninë, është në dobi të emigrantëve, sapo kemi filluar diskutimet me Italinë dhe Greqinë që sigurohen që kanë maksimizuar vitet e tyre në Shqipëri duke blerë sigurime shoqërore të prapambetura pa asnjë kosto shtesë për gjobën dhe kamatëvonesën", tha Veliaj.

Sipas tij, aplikimi i skemës së re të pensioneve që nis në 1 janar të 2015 do të sjellë më shumë kursime nga buxheti i shtetit ose Plot 30 milionë dollarë që në vitin e parë, nuk do të subvencionohen nga shteti për pensionet. “Kjo shumë që ne kursejmë që në vitin e parë të zbatimit të reformës është e barabartë me ndërtimin e 15 shkollave ose 2 spitaleve”, deklaroi ministri Veliaj. Ky i fundit e ka cilësuar skemën si të drejtë dhe të thjeshtë, për çdo qytetar shqiptar i cili do të marrë pensionin që meriton.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion