Pensionet/ Ja pagesa e re për sigurimin vullnetar, si ndryshon

Një vendim i Këshillit të Ministria caktoi një kufi të ri, në 26 mijë lekë në muaj, nga 24 mijë lekë që ishte më parë, për pagën minimale në Republikën e Shqipërisë. Sipas ligjit, një gjë e tillë shoqërohet automatikisht edhe me rritjen e pagës maksimale, për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore, që shkon në 114.670 lekë në muaj.

Kjo do të thotë që shteti tani e tutje njeh për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore këto nivele të reja, të cilat automatikisht rriten, pasi ato llogariten në përputhje me rritjen 8.3 për qind të pagës që njeh shteti.

Tatimet kanë sqaruar subjektet se paga bruto mujore, pёr efekt tё llogaritjes sё kontributeve tё sigurimeve shoqёrore, do tё jetё si mё poshtё vijon: jo mё pak sesa paga minimale mujore, e barabartё me 26.000 lekё dhe deri nё 114.670 lekё, pёr personat e punёsuar; jo mё pak sesa paga minimale mujore, e barabartё me 26.000 lekё dhe sipas pёrcaktimit tё vetё personit, deri nё 114.670 lekё, pёr personat e vetёpunёsuar dhe e barabartё me pagёn minimale mujore prej 26.000 lekё, pёr punonjёsit e papaguar tё familjes me tё cilёt i vetёpunёsuari punon dhe bashkёjeton ligjёrisht.

Si pasojë e këtyre ndryshimeve, tani do të paguhet më shumë edhe në rastet kur një qytetar kërkon të plotësojë vitet që i mungojnë me contribute për efekt pensioni. Pra, për atë që quhet sigurim vullnetar. Deri tani, për një muaj kontribute të prapambetura, apo për të rritur përfitimin e pensionit të ardhshëm, duhej të paguante minimalisht 5.184 lekë. Me ndryshimin e pagaës minimale, kjo shifër kalon në 5.616 lekë. Për të mbuluar një vit të tërë, kërkohen minimalisht 67.392 lekë, apo 540 euro. Ndërsa, në rast se synohet të paguhet një shifër më e lartë, ajo ka një tavan, që, sipas pagës maksimale që njihet tanimë nga shteti, duhet të jetë jo më e lartë se 24.768 lekë e 72 qindarka. Deri tani, shifra ishte 22.863,6 lekë. Në një vit, kontributi maksimal do të llogaritet në 297.224,64 lekë, ose 2.378 euro.

Kush mund ta bëjë?

Sigurimi Vullnetar, një mundësi për të gjithë shtetasit shqiptarë kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar; për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm; janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre; nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi. Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Çfarë përfitohet?

Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, është përfitues, sipas rastit, i pensionit të plotë të pleqërisë; pensionit të pjesshëm të pleqërisë; pensionit të reduktuar të pleqërisë; pensionit të invaliditetit; pensionit të pjesshëm të invaliditetit.
Në sigurimin vullnetar bën pjesë edhe pensioni familjar.

Cilat fusha mbulohen me sigurim vullnetar?

Me sigurim vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme: sigurim vullnetar për vitin korent; sigurim vullnetar për periudha të kaluara; sigurim vullnetar për më shumë të ardhura; sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

Viti në vazhdim

Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension; nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm; nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi; nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimeve shoqërore. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse parapahet për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

Periudha të kaluara

Sigurim vullnetar për periudhat e kaluara mund të paguajnë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar; shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pas univesitare është me pagesë; shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar; personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5.616 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Shembull: Një person që është në prag të mbushjes së moshës ose e ka mbushur moshën që të jetë në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vjet periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vjet periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën tre-vjeçare. Masa kontributive që do të derdhë qytetari për këtë periudhë është 5.616 lekë për një muaj.

Në rastin kur qytetari nuk e ka mbushur moshën, ai mund të blejë periudhë kontributive sa të dëshirojë.

Për më shumë të ardhura

Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura? Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, 26.000 dhe 114.670 lekë (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri).

Çdo punëmarrës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page.

Për degët e tjera të sigurimit

Sigurim vullnetar për degë të tjera sigurimi, mund të bëjnë të vetëpunësuarit, për degë të tjera që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korent. Kështu, psh, periudha e përfitimit për paaftësi të përkohëshme në punë fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës. Pagesat e kontributeve për këto degë, bëhen sipas afateve të përcaktuara për pagesat e sigurimit të detyrueshëm (çdo tremujor), vetëm për vitin korent.

Pagesa

Sigurimi vullnetar realizohet pasi personi i interesuar paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Duhet të ketë me vete dokumentat e mëposhtme: fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit; fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon; fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim