Një muaj brenda, pensionistët shijuan lirinë: Faleminderit që na nxorët se u zumë me gratë! Veliaj: Do të festojmë pas pandemisë (Pamjet me dron)

Paraditja e sotme ishte e pensionistëve, të cilët dolën nga shtëpitë pas më shumë se një muaji. Deri në orën 11:00 ata dolën për ecje kryesisht në qendër të qyteteve, por edhe në lulishte. Kryeministri Edi Rama njoftoi dje lirinë e pensionistëve për të dalë nga banesa, por me disa kushte.

"Pensionistët mund të dalin, jo për vizita, as për domino, as për ulje të rrezikshme në grup, por për ajrosje dhe ecje deri në orën 11:00 paradite, jo më shumë se me një tjetër pensionist, por duke ruajtur distancën" tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:06
Veliaj të moshuarve: Do të festojmë bashkë pasi të kalojmë këtë situatë

Kryebashkiaku Erion Veliaj përmes një statusi në rrjetet sociale bëri një falenderim të veçantë për të moshuarit që respektuan rregullat, teksa u premton se pasi të kalojë epidemia e Covid-19 do ketë një festë vetëm për ta. Në reagimin e tij në rrjetet sociale Veliaj shkruan se, ‘Tirana e paradites një festival qytetarie i gjyshërve. Paraditen e sotme rrugët dhe parqet e Tiranës ishin vetëm për gjyshërit tanë, që ata të shijonin diellin dhe ajrin e pastër’, përfundon reagimi i kreut të bashkisë së kryeqytetit Veliaj.

Ora 12:20
'Ne duam përditë jo njëherë në muaj', pensionistët në Berat: Të paktën sot lëvizëm pak këmbët

Pensionistët në Berat sot shfrytëzuan orarin e vendosur nga qeveria për të lëvizur deri në orën 11 pas më shumë se një muaji në shtëpi. Por disa prej tyre patën ankesa duke deklaruar se kështu duhet të bëhet çdo ditë, jo vetëm sot.

"Ne duam përditë të dalim jo njëherë në një muaj. Të paktë një dyorëshe në ditë,"-shprehet një pensionist. Ndërkohë një tjetër deklaron: "Mirë orari që na ka vendosur qeveria. Ne na bën mirë, por keq i bën tregtarëve që nuk shesin dot. Sot lejen e kemi patur deri në 11. Tani po ikim për shtëpi. Mirë është të jetë në vazhdimësi, çdo ditë nga dy or. Sot na bëri mirë se lëvizim këmbët e morën pak ajër të pastër."

Ora 11:11
'Faleminderit që na nxorët sot!' policia e Elbasanit pankartë për pensionistët: Ne iu duam, natyra sot është vetëm e juaja

Edhe të moshuarit e qytetit të Elbasanit kanë dalë ditën e sotme për të shfrytëzuar leje daljen e dhënë nga qeveria. Të pyetur nga 'Report TV' ata shprehen: "Ne kemi kaq ditë ere bir, i kemi zbatuar urdhrat të gjitha. Shumë faleminderit që na nxorën sot, jemi kënaqur shumë dhe tani po kthehemi në shtëpi."

Një tjetër pensionist deklaron: "Shumë mirë që na dhanë leje. Tani po iki se deri në 11 na kanë dhënë leje dhe s'dua që ta thyej."

"Po këta janë budallallëqe për mua. Sot dola mora ajër dhe po iki,"-thotë një tjetër pensionist.

Ndërsa policia e Elbasanit ka vendosur në çdo patrull një pankart ku shkruhet: "NE JU DUAM! NATYRA SOT ËSHTË VETEM E JUAJA."

Kjo shprehje është për të gjithë të moshuar që kanë dalë ditën e sotme.

Ora 11:10
Pamje me dron/Shëtitoret dhe bulevardet, sot iu përkasin gjyshërve dhe gjysheve
Pamje me drone nga Bulevardi  i ri

Pamje me drone nga Sheshi Skenderbej
Ora 11:06
'I kemi të nevojshme disa kilometra', pensionistët në Lezhë: Sot po rrimë për qefin tonë

Pensionistet ishin të vetmit persona që lëviznin në rrugët e qytetit të Lezhës paraditen e kësaj të shtunë. Duke përfituar dhe nga rrezet e diellit dhe moti i ngrohte, orët e lirisë janë shfrytëzuar në maksimum nga të moshuarit.

Shumica prej tyre kishin dalë për ajrosje, ndërsa zbatonin në maksimum rregullat e përcaktuara për mbrojtjen nga koronavirusi. Pensionistet përshëndesin lirinë e dhënë nga kryeministri, ndërsa kërkojnë që t'ju jepet leje të dalin më shpesh nga banesat, pasi ajrosja është mjaft e domosdoshme edhe për shëndetin e tyre.

"Na kanë dhënë urdhër sot me dalë dhe e bëmë një xhiro. Kemi gjashtë javë që qëndrojmë brenda,"-shprehet një pensionist. Ndërkohë një tjetër deklaron: "Është e nevojshme për moshën tonë se trupi ka nevojë të eci, t'i bëjmë disa kilometra. Nga koronavirusi nuk kam frikë se unë i zbatoj të gjithë rregullat që na ka nxjerrë shteti."

Një tjetër pensionist deklaron: "Jemi shumë të gëzuar që ne pensionistëve na ka dhënë leje. Ne tani rrimë në qefin tonë. Edi Ramës ia bëftë zoti ditën njëmijë dhe një qind vjet kryeministër."

Sakaq një pensionist tjetër thotë: "Do zbatojmë orarin, në 11 do jemi në shtëpi. Virusin e kam frikë se ai të mbyt. Kush se ka frikë vdekjen. Vdekja vjen kur të niset por kemi qef me iu ruajt."

Prej më shumë se dy javësh kjo është hera e parë që ju jepet leje moshës së trete që të dalin nga banesat e tyre ku qëndrojnë të izoluar për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia COVID-19.

Ora 10:28
'Jemi zënë me gratë e u bëmë ...'Pensionistët në Korçë: Bravo Edi Ramës që nuk e la virusin të hynte tek ne

Pensionistët e Korçës pas shumë ditësh izolimi sot kanë dalë nga banesat e tyre, duke qëndruar në ajër të pastër në lulishtet e qytetit. Të ulur në stola dhe në distancë nga njeri-tjetri ata po shijojnë orët e liridaljes. Gjithçka tjetër duket në heshtje.

Një pensionist shprehet: "Kisha një muaj pa dalë nga shtëpia, u zumë me gratë dhe u bëmë... Sot mirë që dolëm po nga nesër do shkojmë në lagje prapë. Masat do i respektojmë se stë lë ai. Maskë nuk vë unë se e kemi mbushur kohën le të na marrë."

Ndërkohë një tjetër deklaron: "Unë kisha një muaj e gjysmë pa dalë nga shtëpia. I kam respektuar të gjitha masat. pazaret mi bën një komshi. Sot shumë mirë që dola, i kënaqur. Bravo Edi Ramës që e mbajti dhe nuk e la virusin të hyrë brenda te ne.

Kemi qenë mërzitur se gjithë ditën brenda. Tërë fshatarët vinin këtu të luanin domino, tani s'jam më."

Ora 10:09
Leja për dalje, pensionistët në Fier mbushin qendrën e qytetit dhe lulishtet

Në Fier pensionistët kanë pritur me padurim lejen për dalje të ditës së sotme, të vendosur nga qeveria ditën e djeshme. Shumë prej tyre kanë 'zaptuar' qendrën e kryeqytetit dhe lulishtet, të cilat nga videot duket të mbipolluara.

Ora 09:59
Koha e bukur me diell në Shkodër, pensionistët 'pushtojnë' rrugët e qytetit

Edhe në Shkodër ashtu si shumë qytete të tjera pensionistët kanë dalë për të shfrytëzuar orarin e lëvizjes së vendosur nga qeveria. Të shumtë janë ata të cilët të favorizuar edhe koha perfekte e stinës së pranverës kanë mbushur rrugët duke bërë ecje. Siç duket edhe nga videot në Shkodër ditën e sotme koha favorizon daljen nga shtëpia, sidomos të pensionistëve që prej një muaji po qëndronin në shtëpi si pasojë e masave të marra për koronavirusin.

Ora 09:57
Pensionistët në Vlorë mbushin rrugët, në qytet për të bërë ecje

Vendimi i qeverisë për leje dalje të pensionistëve është shfrytëzuar në maksimum nga këta të fundit në qytetin e Vlorës. Pensionistët kanë mbushur rrugët e qytetit bregdetar duke bërë ecje, të cilat u mungonin prej shumë kohësh. Në rrugë në raste shumë të rralla mund të vësh persona të tjerë përveç kategorisë së pensionistëve.

Një pensioniste në Vlorë shprehet: "Hera e parë sot, kemi dalë për një shëtitje me plakun se kemi kohë brenda. Orari është shumë i mjaftueshëm, faleminderit shtetit, faleminderit Edi Ramës. Janë shumë të drejta vendimet e qeverisë se është kohë lufte. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo është për të mirën tonë."

Ora 09:43
Orët e lirisë/ Në Lushnje pensionistët mbajnë distancën në lulishte nën rrezet e diellit

Edhe në Lushnje pensionistët kanë shijuar liridaljen. Dhjetëra të moshuar kanë shfrytëzuar orët e para të mëngjesit për të dalë kryesisht në ambientet e gjelbërta lulishtet e qytetit duke mbajtur distancë nga njëri tjetri, ndërsa në raste sporadike nuk është respektuar rregulli. Gjithçka tjetër e mbyllur dhe ne qetësi të plotë.

Ora 09:37
Të moshuarit në Sarandë shijojnë lirinë me shëtitje buzë detit

Të moshuarit në Sarandë, nisur edhe nga dita e bukur sot, po shijojnë orët e lirisë deri në 11:00 që qeveria u dha dje. Report Tv sjell pamjet nga qyteti bregdetar ku pensionistët të shoqëruar jo më shumë se një tjetër person kanë bërë xhiron në shëtitoren buzë detit.  

Ora 09:33
Pensionistët në Tiranë gëzojnë lirinë pas karantinës: Të paktën të dalim dy orë në ditë

Tirana sot ka qenë e të moshuarve, që kanë shfrytëzuar orarin e vendosur nga qeveria për të dalë nga banesa pas një muaji brenda. Të shumtë kanë qenë  pensionistët në kryeqytet që paraditen e së shtunës  i janë drejtuar sheshit “Skëndërbej” duke përfituar nga orët e liridaljes dhe moti pranveror.  “2 orë janë të mjaftueshme. Gjë e mirë është shumë, një herë në javë të paktën të dalim edhe ne“  shprehet një qytetar.

“Këto masat shtrënguese kanë bërë gjënë më të madhe. Qeveria ka bërë gjënë e duhur. Fatkeqësisht, i kam jashtë njerëzit. I kam afër dyqanet, e mi sjellin komshinjtë” shprehet një qytetar tjetër. “Kam qëndruar në shtëpi, vajzat m’i kanë sjellë ushqimet. Shkova i çova vezët e kuqe për pashkët, takova mbesën”, thotë qytetarja.

“Në shtëpi, pa dalë, fare-fare”, shprehet një qytetare. “Jemi të detyruar, nuk kemi nga t’ia mbajmë. Ne jemi mbyllur brenda. Të paktën dy orë në ditë duhet të dalë pensionisti. Ne jemi burrë e grua kush do na mbajë neve me ushqime, detyrohemi ngrihemi të shkojmë vetë”, thotë qytetari.

Ndërkohë një pensionist shprehet se i ka munguar kjo liridalje dhe se  jeton i vetëm e në kushte të vështira ekonomike. "6 javë pa dalë përjashta. Unë jam pensionist i vetmuar. Duke ju thënë komshinjve që merrnim bukën. Kemi shëtitur, duke lëviz pak, tani do kthehemi serish në shtëpi. Pensionin e kam marrë vetë se as pyeti njeri, jo.".

Shumë prej tyre u janë përmbajtur masave kufizuese duke ruajtur distancimin social, si dhe ishin të pajisur me masa mbrojtëse por të rrallë ishin dhe  ata të moshuar, që mund ti shihje pa maska e doreza.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 19/04/2020 02:18

    Pensionistet duhen lejuar vetem dy here ne jave ,te dielave per shetitje dhe te merkurave per punet e tyre por vetem me maska ,jo me shume se dy vete shoqerim .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë