Ka gjithnjë politikanë  në Kosovë që duan të bëhen të famshëm duke sulmuar politikën e Tiranës. Eshtë një lloj kompleksi i viktimizimit të tyre, duke dashur të shpjegojnë dështimet e tyre me politikën e Shqipërisë dhe jo me problemet e Kosovës.

Vjosa Osmane është e re në këtë punë dhe duket edhe e paditur. Albini është më i kualifikuar dhe e ka traditë këtë sjellje.

Nuk mendoj se kjo i bën ndonjë dëm politikës në Tiranë, por i bën dëm politikës së Kosovës në Shqipëri se ngjall pa ndonjë nevojë një llojë bezdie për Kosovën.

Por duke e lënë mënjanë këtë kompleks të tyre, është mirë të përdorim llogjikën pak minuta për ato, që gjoja kërkojnë nga Shqipëria, dhe për ato që sulmojnë, të cilat bien ndesh me njëra tjetrën.

Vjosa Osmani mendon se është politikania e parë e Kosovës apo e Shqipërisë që e thotë si zbulim që Shqipëria të ndihmoj Kosovën për të fituar votat në OKB, në UNESCO, në INTERPOL, a ku di unë tjetër ndoshta në Federatën e Peshngritjes apo  Federatën e Bletërritësve botërorë.

E kërkon këtë me një patos dhe vendosmërinë e një njeriu të sigurt në budallallëkun që thotë, që ti pasi e dëgjon, mendon se, ose është e paditur dhe ska dëgjuar cka ndodhur këto 30 vjet, ose është një kukull e instruktuar, meqë i ka dhe kacurelat gati.

Shqipëria së paku prej vitit 1991, nuk ka lënë asgjë pa bërë për të mirën e Kosovës sa i përket politikës së jashtme. Ajo ka qenë në dispozicion të saj, dhe nuk ka pritur Vjosa Osmanin në fund të  2020 që të loboj për “ulëse” në UNESCO, Interpol, a po ku di unë tjetër, ku Kosova nuk antarësohet dot.

Kjo është sjellje fyese ndaj Shqipërisë dhe një mosmirënjohje e madhe, që po ta thoshte dikush tjetër që merret seriozisht në Kosovë, mund të përbënte një debat joproduktiv mes dy vendeve.

Por kjo është një dhi e ndarë nga tufa dhe kësisoj nuk është se prish ndonjë punë, por dëshmon një profil qesharak të vetndjerjes, si politikane “kombëtare”.

Shqipëria ka gjithandej një votë për cdo vendim të saj në botë dhe maksimumi mund ti bëj 3 apo 4 vota. Ata që kanë vota dhe vendosin për Kosovën janë SHBA dhe Bashkimi Evropian, dhe nderi i vetëm që Kosova duhet ti kërkoj Shqipërisë, është të mos prishet me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Shqipëria  e ndihmon Kosovën kur është mirë me Perëndimin dhe e varros atë kur ka liderë antiperëndimorë.

Tani zonja Osmani, nëse do vërtet që Shqipëria të ndihmoj Kosovën në politikën e jashtme, duhet ta ndihmojë njëherë Shqipërinë të jetë luajale me SHBA dhe BE dhe idetë e tyre për Kosovën. Minishengeni për shembull është një politikë amerikane, një direktivë amerikane dhe një politikë e mbështetur fort nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës e firmosi angazhimin për Minishengenin në Shtëpinë e Bardhë në zyrën e Presidentit Trump. 

Tani zonja Osmani këtë e quan tradhëti të Edi Ramës  në krah të Ilir Metës, një figure e spikatur antiperëndimore e pastaj i kërkon Edi Ramës të shpall luftë SHBA dhe BE duke e quajtur ndihmë për Kosovën .

Me pak fjalë zonja Osmani për Edi Ramën ka përfytyrimin që ka idhulli i saj Albin Kurti për Enver Hoxhën, që ai ka qenë i fort, e ka ndihmuar Kosovën duke ja “përplasur në fytyrë ” SHBA dhe Bashkimit Sovjetikë. (Shoku Enver ja përplsste në fytyrë  NATO dhe Trakktatit të Varshavës njëkohësisht.)

Kosovën nuk e ka cliruar Shqipëria biles as shqiptarët. Shqipëria ka ndihmuar aq sa ka mundur shqiptarët e Kosovës gjatë luftës duke i mbajtur këtu. Kosovën e ka cliruar Perëndimi, SHBA dhe Bashkimi Evropian me ndërhyrjen ajërore të NATO. Ata e kanë njohur pavarësinë ata dhe po e bëjnë shtet.

Sa për Shqipërinë, ne e kemi njohur Kosovën qysh në vitin 1991, me një rezolutë të inicuar prej Abdi Baletës dhe Haxhi Lleshit më 1991, por maksimumi u kemi vënë në dispozicion vilën e Enver Hoxhës udhëheqësve të Kosovës. Sdi a fjeti dhe Vjosa aty.  Kaq na shkon fjala.

Kosova nuk mund të ndihmohet në arenën ndërkombëtare nga një Shqipëri antiperëndimore dhe as nga figurat më antiperëndimore të Shqipërisë.

Mencuria e Ibrahim Rugovës më 1996, ishte që u distancua nga Sali Berisha pasi ky i fundit hyri në luftë me SHBA dhe ai ruajti mbështetjen amerikane për Kosovën duke mos e bërë pis me Shqipërinë.

Sot Vjosa Osmani dhe Albin Kurti duan të bëhen aleatë me Ilir Metën dhe Sali Berishën, që janë dele e zezë e perëndimit në Shqipëri dhe pastaj duan që po kjo Shqipëri antiperëndimore, të ndihmoj Kosovën. Zoti i ndihmoftë ata dhe Kosovën, me këtë mendje që kanë.

E njëjta gjë është dhe me retorikën boshe që parlamenti i Shqipërisë të dënoj krimet dhe genocidin serb në Kosovë. Kjo domethënë që parlamenti jonë prej vitit 1991, nuk e paska dënuar genocidin serb dhe tani duhet ta kujtojë për këtë Albin Kurti me Vjosa Osmanin. Nga këto 30 vjet, në Shqipëri, 15 vjet ka qeverisur Sali Berisha, dhe 8 vjet Ilir Meta, kurse 7 vitet e fundit Edi Rama. Lereni Edin se spo e llogarisim meqë e ka caktuar Albin Kurti armik, por keni pak mëshirë për “patriotin” Sali Berisha dhe Ilir Meta se kanë qeverisur 23 vjet dhe nuk paskan dënuar krimet serbe në Kosovë.

Kjo është një përrallë e lig, që kërkon të fyej Shqipërinë dhe ta konsideroj atë një vend indiferent ndaj Kosovës, që duhet të zgjohet nga gjumi nga dy delirantë nga Kosova që kanë nisur fushatën elektorale në Tiranë para se ta nisin në Prishtinë. Ky është një turp për të cilën ata duhet tu kërkojnë ndjesë institucioneve të shtetit shqiptarë.

Prej Sali Berishës në pushtet më 1992 e deri më sot, cdo hap i diplomacisë shqiptare ka qenë për Kosovën, pasi ajo është e vetmja fushë e politikës jashtme të Shqipërisë. Për aq reputacion sa ka Shqipëria dhe për aq mundësi që ka, ajo nuk ka lënë gjë pa bërë për të mirën e Kosovës dhe këtë e ka pranuar klasa politike në Kosovë në cdo kohë. Ndërkohë që flasim parlamenti ka nisur një hetim rreth burimeve spekulative  që kanë furnizuar dosjen e UCK. Interesante është se të njëjtët persona, janë kundër kësaj që bën parlamenti, e cila është një tepërim deri në vijë të kuqe i Shqipërisë me partnerët perëndimorë, për hirë të Kosovës, dhe duan ti imponojnë dokumente që fyejnë vetdijen shqiptare të Kuvendit të Shqipërisë për Kosovën, duke e konsideruar atë si një institucion që nuk ka bërë kurrë asgjë për Kosovën.

Kurdi dhe Osmani ngjajnë vërtet si dy jenicierë të rinj, por kjo nuk do të thotë që me shpatën e tyre, që duan tia ngulin Shqipërisë, do të bëhen të famshëm në Kosovë. “Edhe mund ta bëhen” sic thotë Kurti, por pastaj lind pyetja ku do ti gjejnë gjithë këta mbështetës anti-Shqipëri në Kosovë,  që të ndjhen fitimtarë.