Legjislacioni i brendshëm i çdo shteti vlerësohet përgjithësisht nga qëndrueshmëria dhe efektiviteti i rregullimit të marrëdhënieve të caktuara. Në këtë vështrim, nuk përbëjnë pengesë ndryshimet dhe shtesat e mundshme, për t’iu përshtatur kohës dhe rrethanave të reja, të cilat nuk imponojnë gjithashtu amendime të shpeshta. Pra, jo të ndodhë si me ndryshimet që iu bënë ligjit bazë të përgjimeve të telekomunikacionit, që u kthye në një ligj të ri për qëllime deklarativisht parandaluese të kriminalitetit, i cili është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 13 dhjetor 2012.

Duke iu referuar këtij akti, si një njollë që përbën ndotje legjislative, mund të thuhet se, pavarësisht termit të përdorur apo qëllimit të parashtruar për hartimin e ndryshimeve në ligjin bazë, gjatë zbatimit të tij faktikisht u përdor që në fillim ajo masë që zakonisht aplikohet e fundit dhe vetëm atëhere kur ndaj personit përkatës krijohen dyshime të arsyeshme.

Kështu, vetë ndryshimet ligjore nuk respektonin kërkesën kushtetuese dhe obligimet e lindura nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave Themelore dhe Lirive të Njeriut, mbi garantimin e fshehtësisë së korrespondencës ose të çdo mjeti tjetër të komunikimit. Nuk jepnin, gjithashtu, asnjë garanci të nevojshme ndaj përgjimeve arbitrare të jetës private të qytetarëve dhe të familjeve të tyre, apo ndaj abuzimeve në një proces të tillë, sipas standardeve të përcaktuara në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut.

Ballafaqimi me këto standarde të shprehura në vendime të ndryshme dhe të kohëpaskohshme të Tribunalit Evropian të Këshillit të Evropës i kapërcen kufijtë e formatit të këtij komenti. Por, sidoqoftë, vendi del të thuhet apo të kujtohet që mosmarrja në konsideratë e këtyre standardeve u bë në një kohë, kur Shqipëria kishte në fuqi prej mbi 14 vitesh Ligjin Themelor të saj si kontratë e përbashkët e të gjithë popullit, ndërkohë që Ajo ishte Palë Kontraktuese e Konventës, dhe që nga 2006 – a obligohej prej përmbajtjes së nenit 70 të Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit me BE për të përshtatur legjislacionin e vet me atë evropian.

Në këto kushte, mosmarrja pra në konsideratë e këtyre standardeve nuk mund të mos krijonte dyshime, që më pas u provuan, se Ekzekutivi me në krye Sali Berishën, që i propozoi dhe i paraqiti ato ndryshime në Kuvend për t’u legalizuar, nëpërmjet përgjimeve synonte të parandalonte realisht jo kriminalitetin, por veprimet e kujtdo (pa u përcaktuar vepra penale të caktuara) që në mënyrë ndërvetjake dhe ndërpartiake do të mund të vinte në rrezik zgjatjen e jetës së pushtetit autokratik, me anë të zgjedhjeve të përgjithshme demokratike që do të zhvilloheshin veçse 6 muaj më pas, nën një monitorim të rreptë të faktorit ndërkombëtar.

Se sa mund të shërbenin ato përgjime të shfrenuara, pa rregulla të qarta dhe përtej të drejtës institucionele të ruajtjes së stabilitetit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, këtë e treguan rezultatet e Zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, që megjithatë nuk mundën ta bëjnë zap ish kryeministrin dhe levat e tij në krye të institucioneve “të pavarura” për të ndërprerë muzikën e çjerrë që vetë e kishin kurdisur.

Dhe, me sa kuptohet, që ata të hiqnin dorë nga veprimet e veta me prapavijë destruktive duhej të shihnin me sytë e tyre mbështetjen e fuqishme politike që e rrethonte Koalicionin fitues të Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe veçanërisht Kryeministrin e ri, Edi Rama (kujtoni pritjen e tij në Berlin), çka ndikoi që vetëm një vit pas zgjedhjeve parlamentare me rëndësi historike t’i akordohej Shqipërisë statusi i Shtetit Kandidat për në BE. Që atëhere, nuk u dëgjua më muzika e çjerrë, duke marrë kuptimin e një farse, që u përgojua së tepërmi. U përgojua së tepërmi, duke nxjerrë ca mësime. Fundja, një e vërtetë e dëmshme vlen më tepër se sa një gënjeshtër e dobishme.

Një nga këto mësime ka të bëjë me pyetjen: a mund të qëndrojë ende në fuqi ligji famëkeq për përgjimet e telekomunikacionit? Nga rradhët e mazhorancës dëgjohen zëra për ta përmirësuar. Megjithatë, ende nuk po formulohet projekti më i përshtatshëm. Sidoqoftë, kjo periudhë e shkurtër deri tani nuk duket të shqetësojë as politikanë, as pronarë mediash, as gazetarë, as qytetarë të thjeshtë, të cilët së bashku e dinë apo e ndjejnë se këtej e tutje nuk do të jenë subjekt përgjimesh kuturu, pa u dyshuar aspak për kryerjen ose për mundësinë e kryerjes së ndonjë vepre penale.

As për komunikimet me politikanë të opozitës, kur tashmë edhe bufi e di fare mirë, se këta nuk kanë mundësi dhe nuk mund të sakrifikohen kot së koti për të ushtruar destabilitetin e pamundur në rrjedhat e rrugëtimit real drejt integrimit evropian. Ndonëse vendi ndodhet, pas kthesës historike të Zgjedhjeve të 23 qershorit dhe përftimit të statusit të shumëpritur, ende pranë gurëve të parë kilometrikë të këtij rrugëtimi, e rëndësishme e jetike për shoqërinë shqiptare është që të vendosen norma ligjore të qarta, të plota dhe të detajuara për përgjimin e komunikimeve telefonike. Njëherësh, çdo akt nënligjor në zbatim të një ligji të ri është e domosdoshme të bëhet i aksesueshëm për individin, pas përfundimit të përgjimit dhe pa dëmtuar efikasitetin e tij (nëse ka pasur vërtet të tillë).

Me shpjegimin e farsës së përgjimeve dhe mundësisë që kjo të mos përsëritet ndonjëherë, duke u lënë fushë të hapur standardeve bashkëkohore në legjislacionin e brendshëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut (përcaktuar në mënyrë eksplicite si pjesë e një prej tre kushteve bazë që një shtet aspirant të mund të pranohet në bashkësinë evropiane), vetvetiu kjo fushë zgjerohet me çështje të përparësisë së të drejtës evropiane mbi atë kombëtare.

Të mos harrohet që, përveç kritereve bazë të parashikuara për aderim në BE, Këshilli Evropian i Madridit mbajtur që në dhjetor 1995 ka shtuar edhe një kriter tjetër në grupin e atyre të Kopenhagenit, sipas të cilit kërkohet që Shteti Kandidat të aplikojë rregullat dhe procedurat e Bashkimit Evropian, përmes përshtatjes së strukturave të tij administrative dhe ligjore, duke u përcaktuar njëkohësisht edhe mekanizmat e ndikimit në nxitjen e demokratizimit të këtyre Shteteve, si aktualisht Shqipëria. Dhe, brenda kuadrit ligjor të Unionit përfshihet një tërësi institucionesh, të cila kanë impakt politiko – legjislativ vendimmarrës, mbi të cilat mbështetet krijimi dhe zbatimi i së drejtës së Bashkimit Evropian.

Kështu, ndonëse ky harmonizim, apo qoftë edhe mbivendosje, nuk shprehet formalisht në tekstet e traktateve të BE, doktrina e kësaj përparësie gjendet kuptueshëm në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, me seli në Luksemburg, që e cilëson përparësinë e njërit korpus legjislativ mbi tjetrin si rendi i ri juridik i së drejtës, në dobi të të cilit Shtetet Anëtare të Unionit Evropian kanë pranuar të kufizojnë të drejtat sovrane të tyre. Në këtë kuadër, shumë shpejt përfshihet edhe Shqipëria me statusin e Shtetit Kandidat, që shpreson çeljen sa më shpejt të bisedimeve për anëtarësim.

Por veçanërisht puna për hartimin e legjislacionit të 5 reformave kyçe në këtë fazë kërkon edhe konsultimin te e drejta institucionale e BE dhe sidomos te jurisprudenca e GJED. Aq më nxitës bëhet ky konsultim, po të merret parasysh se, shumë vendime të kësaj Gjykate për lëvizjen e gjerë të njerëzve dhe mallrave, për qarkullimin e lirë të shërbimeve, për ushtrimin e profesioneve të lira, për punësimin në administratën publike, për të drejtën e pensioneve etj. kanë pasur efekte të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve të Bashkimit Evropian.

Me gjithë vlerësimet e Brukselit në Progres – raportin e fundit, për gatishmërinë e qeverisjes sonë aktuale për të avancuar në rrugëtimin e integrimit, faktor vendimtar në këtë rrugëtim është përpjekja intensive këtu për zhvendosjen efektive të legjislacionit komunitar në atë të brendshëm shqiptar, si edhe zhvillimi i kapaciteteve institucionale për zbatimin e tij sa më të plotë. Pra, ky detyrim gjithëpërfshirës dhe shumë teknik imponon më së pari: nga njëra anë, shqyrtimin sistematik nga Shteti shqiptar të legjislacionit komunitar; nga ana tjetër, analizën krahasuese të tij me fondin legjislativ ekzistues të brendshëm. Mbi këtë bazë mbështetet përparimi dhe shkurtohet koha e tij drejt të ardhmes evropiane të shqiptarëve.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)