Hera e 3-të brenda 1 muaji, sekuestrohen 7.25 kg kokainë në kontejnerët e ‘Alba Exotic Fruit’ në Portin e Durrësit! 2 vite më parë zëvendësoi 137 kg drogë me oriz

"Alba Exotic Fruit" si duket është kompania që po thyen rekord në transportin e kokainës në vendin tonë. Ditën e sotme në disa kontejnerë të tjerë të kompanisë u gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë në vijim të operacionit Rada" që ka nisur disa javë më parë. Lënda narkotike është gjetur gjatë kontrolleve të më shumë se 15 kontejnerëve të cilët vinin nga Amerika Latine.

Kjo është hera e 3 brenda një muaji që "Alba Exotic Fruit" i gjendet kokainë. Më 13 korrik në Portin e Durrësit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani. Nga të gjitha ngarkesat e kapura së fundmi në total janë sekuestruar rreth 20 kg kokainë.

"Vijon operacioni policor i koduar "Rada", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike. Sekuestrohet një tjetër sasi lëndë narkotike kokaine, në kontenierët për llogari kompanisë "Alba Exotic Fruit". Në vijim të operacionit “Rada" të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, e duke vijuar përsëri në datën 23.07.2021, ku u gjetën dhe sekuestruan 6.5 kilogramë të tjera lëndë narkotike kokainë, mbaditen e sotme si rezultat i veprimeve hetimore, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një tjetër sasie  lëndë narkotike kokainë. Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit në disa kontenierë për llogari të kompanisë "Alba Exotic Fruit", u gjet dhe u sekuestrua 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë", thotë policia.

Kompania 'Alba Exotic Fruit' rezulton e përmendur edhe më parë në 'histori' me trafik droge, pasi në total i janë kapur 4 herë kokainë, fillimisht në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e 'Alba Exotic Fruit' në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.

Për sasitë e kokainës të kapura së fundmi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka lënë në burg Barjon Gumenin, administratorin e kompanisë "Alba Ekzotik Fruit". Mësohet se në hetuesi, Gumeni nuk ka pranuar akuzat, duke mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës, ndërsa ka thënë se nuk ka patur dijeni për sasinë e kokainës që u gjet në kontejner. Ai është edhe aksioner në kompani, ku zotëron 10% të aksioneve, ndërsa 90% janë në zotërim të Eduart Dautit, i cili është shpallur në kërkim. Sasia e kokainës që u gjet më 13 korrik dhe më 23 korrik vinte nga Ekuadori për llogari të kompanisë shqiptare "Alba Exotic fruit", me seli në Kombinat,dhe që operon në treg që nga viti 2011.  

Itinerari i kontejnerit më 13 korrik:

Kontejneri ishte nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe në total ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes ishte në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit. Aty qëndroi për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit u nis drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri qëndroi për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor. Nga Maroku, kontejneri udhëtoi drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 11 kg e 675 gram.

Si u kap droga në vitin 2019: Më 19 gusht 2019 kontenierët mbërritën nga Ekuadori, tranzit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare. Pasi kontenierët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit. Pas tre ditëve lundrim në det katër kontenierët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta.

Të përfshirët në këtë trafik nuk mbërritën që atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës duke i lënë atje për disa ditë deri sa mesditën e 19 shtatorit të kontraktuarit nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontenierët. Sipas grupit hetimor ata kanë hapur vetëm kontenierin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar.

Droga e sekuestruar

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:37
Kokaina e kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’, ishte fshehur në pjesën e jashtme të kontejnerit

7.25 kilogramë lëndë narkotike të sekuestruara për llogari të kompanisë "Alba Exotic Fruit" në Portin e Durrësit  kanë qenë të vendosur në pjesën e jashtme të kontejnerëve. Gazetari Artur Korriku raporton se ngarkesa ka qenë e fshehur në pjesën e jashtme të kontejnerit nga ana e elektromotorit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Opozita kërkon komision hetimor për Belinda Ballukun lidhur me Porto Romanon, kundërshton PS! Balla: Kërkoni 6 muaj hetim, nuk ka kohë

Opozita kërkon komision hetimor për Belinda Ballukun lidhur me Porto Romanon, kundërshton PS! Balla: Kërkoni 6 muaj hetim, nuk ka kohë