Po ashtu është shpallur në kërkim shtetasi Atli Rasim Hoti, 37 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Juridike në Bashkinë Kamzë. Gjithnjë zyrtarisht mësohet se në ngarkim të tyre Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal, ndërsa Gjykata e Tiranës, me vendimet nr. 1630 dhe 1631, më 20 dhjetor 2013, mori vendim për caktimin e masë së sigurisë, “Arrest me burg” për Xhelal Mziun dhe Atli Hotin. Arrestimi ka ndodhur dje në mbrëmje rreth orës 18:15, në një bar-pastiçeri pranë Presidencës, ku rastësisht ndodhej Xhelal Mziu, i cili fillimisht bëri rezistencë, pasi nuk po u besonte syve për atë që po ndodhte.
Me një bagazh të njohur në fushën e përplasjeve, kryesisht politike, Mziu është një personazh tepër i njohur, jo vetëm në Kamzë, por edhe në zona të tjera të Tiranës. Ndërkaq, gjatë një aksioni për zbulimin e hajdutëve të argjendarive, është shoqëruar për verifikim edhe bashkëshortja e tij, Vjollca Mziu, pasi dyshohet se në cilësinë e pronares së argjendarisë, ajo blinte mallin e vjedhur.
Hetimet për rrugën
Nga hetimi, prokuroria ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor (pra, Bashkia Kamëz), pas përfundimit të plotë të procedurave, ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. Megjithatë, 2 zyrtarët, nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor (30 ditë). Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor-Bashkia Kamëz, e ka skualifikuar shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k, me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës.
Ndërkohë, rezulton se shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet nga ana e saj për të realizuar nënshkrimin e kësaj kontrate për ndërtimin e rrugës, por që është refuzuar nëpërmjet formave të ndryshme nga ana e titullarëve të autoritetit kontraktor-Bashkia Kamëz. Nisur nga neglizhenca e zyrtarëve të bashkisë Kamëz, përfaqësuesi i shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k ka kryer vëzhgime në terren dhe ka konstatuar se në rrugën objekt prokurorimi publik kishte nisur punimet për ndërtimin e saj nga ana e një shoqërie tjetër, “E….”sh.p.k, e cila nuk ishte shpallur fituese. Në këto kushte, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka dorëzuar kallëzimin penal, nga hetimi i të cilit, dolën 2 emrat.
Përplasjet e shpeshta të kryebashkiakut
Në qershor të vitit 2011, një vajzë në Kamzë denoncoi disa mesazhe erotike, që pretendonte se ja kishte nisur Xhelal Mziu. Katër muaj mëe vonë “shamikuqja“ rrihet në sy të të dashurit. Në vitin 2012 dy kushërinj të parë janë masakruar me mjete të forta nga një efektiv i policisë bashkiake në zonën e Kamzës mesditën. Agron dhe Genti Bori kanë marrë plagë të rënda në kokë, ndërsa akuzuan direkt Mziun se e donte tokën për pallat. Shkurtin e këtij viti, Astrit e Klevis Halili dhe Roland Mjeshtri, u kapën sepse kanë tentuar të djegin automjetin e markës “Volsvagen Tuareg“ me targa TR 0004 R që përdoret nga kryetari Xhelal Mziu. Ndërkaq, më 6 prill të këtij viti mbi kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun, është ushtruar dhunë, teksa ka përfunduar për mjekim në spital. Mziu është konfliktuar disa herë për arsye politike.
Verifikim edhe gruas Vjollcës për argjendarinë
Objekt i hetimeve është dhe zonja Vjollca Mziu. Emri i saj u ka dalë hetuesve pas një serie arrestimesh për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në grabitjen e argjendarive dhe lokaleve të këmbimit valuator. Skuadrat e operacioneve speciale dhe forcat speciale kanë arrestuar 7 persona të implikuar në grabitjet në një operacion që kishte një shtrirje territoriale në Tiranë, Kamëz, Fushë-Krujë dhe Durrës.
Sendet e plaçkitura që janë kryesisht në ar dhe argjend dhe i shisnin në dyqanin e argjendarisë së zonjës Mziu. Vjollca Mziu është shoqëruar në ambientet e komisariatit nr 5, ku po verifikohen rrethanat që e implikojnë atë. Ajo bëri rezistencë.
Shkrimi u publikua sot (21.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)