Pas protestës që u mbajt në 6 dhjetor, Sali Berisha ka ashpërsuar deklaratat e tij ndaj qeverisë, duke paralajmëruar revolucion dhe përballje pas protestës që u mbajt në 6 dhjetor. Në fjalën e mbajtur në kuvendin e FRPD, kreu i Rithemelimit kujtoi 32 vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist, duke deklaruar se duhej 8 dhjetori të shërbente si frymëzim për të rinjtë e sotëm që këta të fundit të revoltoheshin kundër qeverisë aktuale.

“Asnjëherë mos harroni se jeni trashëgimtarë të një lëvizje e cila me një guxim epik, në kufijtë elegjendës u përball në vitet ’90 me diktaturën më staliniste të egër më barbare që Europa kishte njohur në historinë e saj. Bashkëmoshatarët tuaj asokohe me në krye Azem Hajdarin mbushën sheshin dhe rrugët e qytetit Studenti. Diktatura korrte dhe vriste moshatarë të tjerë të cilët niseshin për një jetë tjetër por mbeteshin të vdekur në kufijtë e vendit. Ata studentë të udhëhequr nga një bashkëmoshatar i tyre, i shndërruar në një hero brenda 24 orëve, e gjunjëzuan diktatorin dhe i imponuan vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Është kjo trashëgimi e cila do u frymëzojë juve dhe gjithë Shqiptarët në betejën e tyre për dinjitet. Ju fton të ngriheni në lartësinë e idealeve fisnike. Sot fjala dhe kryefjala e kohës është revolucion, revolucion dhe vetëm revolucion”-tha ish kryeministri.

Mes të tjerash, ai deklaroi se Shqipëria nuk shpëtohej me lutje por me revolucion, duke paralajmëruar organizime të fuqishme pas protestës së mbajtur në 6 dhjetor ditën kur liderët e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor zhvilluan një samit të përbashkët në Tiranë

“Shqipëria nuk shpëtohet me lutje dhe me deklarata, por shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë me Edi Ramën këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, urren dinjitetin e shqiptarëve”- u shpreh Berisha.

Kjo ka qenë dalja e parë publike e Berishës pas 6 dhjetorit, ku gjatë protestës së organizuar u godit nga një 31 vjeçar, gjë që i shkaktoi dëmtime në ftyryë. Ndërkohë sot, kreu i PD së Berishës u takua me ish presidentin kroat, Stipe Meçiç. Në takimin e mbajtur u vu re që Berisha kishte vendosur syze dielli për të fshehur disi nxirjen e syrit pas goditjes që mori nga Gert Shehu. Sulmin ndaj tij, Berisha e konsideroi si një plan të mirëorkestruar nga Rama duke deklaruar se kryeministri nxirrte në rrugë kriminelë për ta goditur.

Që pas momentit që u sulmua, Berisha dhe të tijtë ngulmojnë në përcaktimin e Gerti Shehut si një informator të policisë kriminale, duke u përpjekur të hedhë poshtë tezën se 31 vjeçari vuan nga çrregullime mendore ashtu siç thuhet në dokumentin e publikuar për të.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:56
Belind Këlliçi i kujtoi babain, përlotet vajza e Bujar Nishanit

 

Vajza e Bujar Nishanit, pjesë e të rinjve të Partisë Demokratike është përlotur sot në aktivitetin që po organizohet në kuadër të Ditës së Rinisë nga kjo forcë politike.

Ishte Belind Këlliçi, ai i cili përkujtoi figurën e presidentit Bujar Nishani gjatë fjalës së tij, dhe në atë moment e reja u përlot për babain e saj, i cili ndërroi jetë pak muaj më parë nga COVID.

‘Një përshëndetje shkon për Rudina Hajdarin, vajzën e Azem Hajdarin, Fiona Nishanin, vajzën e presidentit Bujar Nishani dhe Glauk Olldashin djalin e Sokol Olldashit, tre emblema këto të PD-së.’- tha Këlliçi.

Ora 13:45
Sulmi që iu bë nga 31 vjeçari, Berisha: Edi Rama, frikacak që nxjerr në rrugë një kriminel për të më goditur

 

Ish kryeministri Sali Berisha foli sërish për sulmin e bërë ndaj tij ditën e martë nga 31 vjeçari Gerti Shehu. Ai përsëriti akuzat e tij ndaj Ramës duke deklaruar se kishte qenë kryeministri, ai që kishte urdhëruar 31 vjeçarin ta godiste me grusht.

“Ne do i dalim zot Shqipërisë, asgjë nuk na ndalon ne pa e realizuar qëllimet tona. Edi Rama ky frikacak nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan. Po një njeri gjuhet edhe mund të vritet por kauza nuk vdes kurrë more mjeran dhe ne do ta faktojmë shpejt se kauza jonë do triumfojë, se Shqipërinë nuk ta japim kurrë. Ata që kanë kuftuar pushtues në histori i kanë luftuar me moton ja vdekje ja liri. Ne do e luftojmë me moton jetën e japim, votën nuk e japim. Mjerë ti që ke prekur votën tonë”-tha kreu i Rithemelimit.

Ora 13:44
Berisha: Tani fillon faza e dytë e revolucionit, përballja me këtë armik të shqiptarëve

 

Berisha ka folur për revolucion dhe përballje në fjalën e sotme në Kuvendin e FRPD.

 “Ju mbyllni këtë Kuvend të mrekullueshëm, PD mbylli primaret. Fillon faza e dytë e revolucionit, përballja me këtë armik, me këtë pushtues që ushtron gjenocid mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Koha në fton: aksion, aksion dhe vetëm aksion. E keni të qartë se liria na fton: sakrificë, sakrificë dhe vetëm sakrificë. Unë jam i bindur se ju e keni të qartë, se çfarëdo të bëjmë ne për Shqipërinë, ajo bën 100 herë më shumë për ne, prandaj ne do i dalim zot asaj. Ju uroj suksese nga zemra këtij Kuvendi dhe pres me padurim të madh të dalim së bashku në sheshin e betejës në emër të lirive tona, të dinjitetit shqiptar”, tha Berisha.