/ATSH-Gjergji Mima/ - Me një investim prej 39 milionë lekësh ka përfunduar rindërtimi i kopshtit nr. 21 në njësinë bashkiake numër 6. Kopshti nr.21 ndodhet në pjesën perëndimore të qytetit të Tiranës, në zonën e Kombinatit, rruga "Hamdi Cenoimeri", njësia bashkiake nr. 6. Kopshti nr.21 është ndërtuar në vitin 1955 dhe ka qenë jashtë funksionit, për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste. Godina e re është dy katëshe dhe akomodon 6 grupe fëmijësh me drekë. Ky kopsht akomodon rreth 150 fëmijë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet e përfunduara në kopshtin 21
Çdo grup është i ndarë nga grupet e tjera dhe përfshin ambientin e mësimit, ambientin e ngrënies, ambientin e fjetjes, garderobën si dhe tualetin. Kopshti ka gjithashtu zyrën e drejtoreshës, dhomën e mjekut, psikologes dhe kuzhinën. Është vendosur sistemi i mbrojtjes kundër zjarrit dhe sinjalistika përkatëse për raste emergjencash; është ndërtuar një dhomë e posaçme për kaldajën, e vendosur jashtë objektit; janë bërë kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha. Godina është pajisur me sistem qendror, ngrohje me peletë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ndërsa ka inspektuar sot punimet e përfunduara në këtë kopsht, ka shprehur kënaqësinë që Bashkia e Tiranës ia ka dalë të ndryshojë në mënyrë rrënjësore kushtet në kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit, që ishin lënë prej vitesh në harresë dhe përbënin rrezik për jetën e fëmijëve.
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet e përfunduara në kopshtin 21

"Investimi ka përfunduar dhe më në fund kjo zonë e kryeqytetit ka një kopsht të parametrave europianë. Cilësia e ambienteve të brendshme, infrastruktura mbështetëse, kuzhina, ngrohja, kapacitetet e rritura deri në 150 fëmijë janë shërbimi më i mirë që i bëhet komunitetit të kësaj zone, i cili ka nevoja të mëdha që nuk përmbushen plotësisht me këtë investim, por që me këtë investim marrin një mbështetje shumë më të madhe se deri më sot. Kjo është pjesë e vizionit tonë për të mbështetur familjet e Tiranës me një infrastrukturë të plotë, moderne, europiane të kopshteve e çerdheve, pjesë e projekteve të financuara nga Bashkia e Tiranës, pjesë e vendosmërisë sonë për të bërë gjithçka në shërbim të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës duke përfshirë ata më të vegjlit, vogëlushët që janë shpresa dhe drita e syrit e prindërve të tyre, qytetit dhe Shqipërisë" , deklaroi Basha.