Një ditë para ardhjes së Papa Françeskut, vazhdojnë përgatitjet e fundit për të mirëpritur Papën në vizitën e tij të parë në Evropë. Vizita e tij në Shqipëri, për qytetarët është një moment historik, referuar dhe mesazheve që Papa jep për shtetet që ai viziton.

Prej 1 muaj kanë nisur përgatitjet për vizitën e tij, ndërsa dje është bllokuar edhe lëvizja e automjeteve përgjatë sheshit "Nënë Tereza" dhe sot përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", madje pritet bllokimi edhe i disa rrugëve të tjera të kryeqytetit. Rreth mesditës do të përfundojnë të gjitha përgatitjet në altarin, vendin ku do të mbajë Papa Francesku meshën e tij të shenjtë.

Dekori dhe shtrimi i tapetit të kuq dhe vendosja e karrigeve të zeza, simbol i flamurit kombëtar kuqezi, do të jetë dhe 'dora e fundit' e të gjitha përgatitjeve. Mësohet se shumë qytetarë kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit, për të parë nga afër të gjitha përgatitjet dhe transformimin e Sheshit "Nënë Tereza", por deri në kordonet e vendosura nga policia.

Papa Francesku mbërrin ditën e nesërme në kryeqytet, ku në orën 11:00 do të mbajë meshën e tij të shenjtë para mijëra qytetarëve shqiptare dhe jo vetëm. E gjithë vëmendja e mediave vendase dhe të huaja do të përqendrohen përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Ndërsa 2500 forca policia do të jenë në gatishmëri për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Zef Çuni, zv.ministri i Kulturës, tha për mediat se mbi 100 mijë pelegrinë pritet të vijnë nesër në Tiranë për të marrë pjesë në meshën e Atit të Shenjtë.

Në shesh janë vendosur karriget ku do të ulen të autoritetet e shtetit dhe trupi i huaj diplomatik dhe më pas në të dy anët është caktuar vendi se ku do të vendosen rreth 300 të sëmurë, të cilët do të bekohen nga Papa, ndërsa në anën tjetër të sheshit do të vendosen 400 të rinj, të cilët do të përshëndesin Papën

Turistët e huaj, të ardhur nga vende të ndryshme, fotografojnë pamjet nga sheshi, ku po behen përgatitjet e fundit. Flamujt të Shqipërisë dhe Vatikanit, të vendosur përgjatë tërë rrugëve kryesore në kryeqytet, si dhe 40 fotografi të martirëve, jane vendosur përgjatë bulevardit. /ATSH/