Protesta e studentëve që nisi si një zemërim dinjitoz i një mase të madhe të rinjsh kundër gjendjes së papranueshme të sistemit universitar publik, u grabit dhe, në vend që të nxirrte në reliev idetë që do të ndihmonin për ta shëruar plagën e thellë dhe të maisur të sistemit arsimor në Shqipëri, dhe të universiteteve publike në veçanti, për fat të keq, u shndërrua në një ushqim të helmuar për studiot televizive, të cilat, kush e kush më shumë, rendnin që të gjenin studentë që i artikulonin ultimatumet njësoj si Monika dhe sharjet e fyerjet njësoj si Berisha. Grabitësit profesionistë të mllefeve dhe inateve, menduan se tani ishte çasti që ndaj Edi Ramës të derdhnin edhe shtresën e fundit të ziftit të denigrimit, aq sa, për një çast, të krijiohej përshtypja se mes atyre studentëve të zemëruar patosi regresiv i Monikës apo stili i përbaltjes dhe sharjes i ngritur në art nga Berisha, kishte gjetur trashëgimtarët e vet.
Të kuptohemi drejt, Edi Rama është përgjegjësi.
Ashtu siç edhe vetë e ka pranuar, kreu i qeverisë ka thënë se kjo ishte një shuplakë edhe për qeverinë. Mirëpo, faji se përse Shqipëria gjendet në këtë krizë të rëndë të sistemit universitar, sipas mendimit tim është në qiell. Pse në qiell ? Sepse ne kemi qënë të dënuar nga fati historik që të kalojmë nga një krizë modeli në një tjetër. E kam thënë e shkruar me dhjetëra herë se Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për reformimin e thellë të modelit universitar në Shqipëri. Shqipëria ka ndërtuar modelin e rrafshimit të vlerave dhe sot nuk ka hierarki. Pas rënies së komunizmit, shqiptarët i shpallën luftë të gjitha vlerave. Në emër të luftës kundër komunizmit, në vend u rrafshuan të gjitha virtytet dhe vlerat. Pas viteve ’90, kuptimi i jetës u bë vetëm paraja, suksesi dhe luksi.
Shqiptarët, në masë, e braktisën punën dhe kulti i saj apo modeli i jetës së thjeshtë dhe përmes punës, u shpall si model i njerëzve të dobët, idiotë dhe pa të ardhme. Sistemi i edukimit që duhet të modifikohej dhe që duhet të zëvendësonte në shkollë sistemin e edukimit komunist, u shpartallua dhe me shkollën shqiptare u bënë të gjitha ekpserimentet e mundshme. Njëherë merrej modeli amerikan, njëherë ai finlandez dhe asnjëherë shkolla shqiptare nuk u bë çështje e të gjithë shoqërisë. Nëse në Francë, fjala vjen, mblidhet Akademia e Shkencave për të përcaktuar nëse duhen hequr dy orë në liceun klasik nga latinishtja për t’ia kaluar gjermanishtes, apo ndonjë gjuhe tjetër të BE-së, këtu te ne tekstet, abetarja, apo struktura e kurrikulave nuk mbështetet mbi asnjë kriter.
Psh., në shkollat e mesme të oreintimit të përgjithshëm, madje edhe të atyre gjuhësor nuk bëhet letërsia si disiplinë e historisë së kulturës, nuk bëhet filozofi, por, sipas një modeli absurd, të marrë nga koha e Pollos, bëhet edukatë qytetare për të mësuar se kur hapet dhe kur mbyllet dera. Një pjese të madhe të opinionit publik iu bëri përshtypje jo vetëm mungesa e kulturës dhe agresiviteti i disa studentëve që ligjëronin nëpër studio televizive, por edhe niveli katastrofik i zotërimit të shqipes, mungesa e etikës dhe kultura mizerabël. Pikërisht këtë katastrofë që ne po jetojmë çdo ditë, greva e studentëve të zemëruar nuk arriti ta artikulojë si duhet në protestën e saj.
Ne kemi harruar, gjithashtu, se nga ky arsim i shkatërruar parauniversitar, pjesa më e mirë e nxënësve që mbarojnë një të mesme, ikin dhe studiojnë në Perëndim, ndërsa ajo që mbetet këtu iu drejtohet universiteteve shqiptare të cilat, nga pikëpamja e përmbajtjes, janë zgjatime të deformuar të institucioneve sovjetike. Universiteti shqiptar nuk ka arritur që të shndërrohet nga një vatër e edukimit komunist në një qendër që i përgjigjet nevojave të tregut dhe kulturës perëndimore. Për mendimin tim, protesta e studentëve duhet të mos heqë dorë nga një ultimatum : universitet cilësor.
Që të kemi një universitet të tillë, sipas mendimit tim, do të duhet që në vend të hapet një debat i gjerë mes personaliteteve nga brenda e jashtë vendit, por sidomos nga jashtë, të cilët jo vetëm të sjellin përvojën e tyre, por të hartojnë edhe një memorandum për të treguar se në ç’rrugë duhet të ece arsimi shqiptar dhe universiteti publik.
E kam përsëritur me dhjetëra herë që një nga gangrenat më të maisura të sistemit tonë është modeli i zgjedhjeve universitare dhe hirearkia e kopetencave. Ky model që kemi sot është i dështuar dhe në themel të tij janë të gjitha krizat. Zgjedhjet në universitete janë një butafori riciklimesh të një grupi njerëzish që kanë pushtuar universitetet që pas vitit 1990 të cilët kanë rekrutuar miqtë, familjarët e tyre e farefisin dhe riciklojnë e zgjedhin si pedagogë vetëm nga ai taraf. Nëse nuk gjendet një model tjetër për të promovuar organet drejtuese në universitete, kriza nuk zgjidhet.
Në gjithë këta vjet, universitetet publike treguan se janë të paaftë për autonminë universitare. Një tjetër plagë e sistemit universitar është edhe struktura e tij. Mjaft të shohësh emërtimet e shumicës së programeve të universitetit publik dhe kupton se ai është vazhdim i modelit sovjetik. Në qoftë se nuk ndryshon struktura e kurrikulës që të përfshijë më shumë hapësirat që ka jo vetëm tregu shqiptar i punës, por edhe më gjerë, universitetet tona do të vazhdojnë të prodhojnë të papunë me nga një diplomë në xhep dhe sharës profesionistë në rrjetet sociale.
Është e paimagjinueshme se si vendi që ka pasur boom-in më të madh të ndërtimeve në Europë, e ka në një gjendje skandaloze fakultetin e inxhinieresë dhe arkitekturës dhe kërkimi shkencor në këtë fakultet është i mjerueshëm. Po ashtu, nuk mund të kuptohet se si kompani të mëdha si ato që prodhojnë dhe shpërndajnë energjinë elektrike në vend, nuk kanë asnjë lidhje me fakultetet e inxhinierisë dhe mbështetja për to në punë të kërkimit shkencor është zero. Dhe e fundit, që universitetit t’i rritet pesha dhe dinjiteti, i gjithë profesorati duhej të bëjë testin e përballjes me botimet akademike me faktor impakt. Ndërsa pranimet në universitet duhet të jenë më cilësore dhe të rinjve të këtij vendi duhet t’u hiqet nga koka ideja se universiteti është streha i dembelizmit, e atyre që sa për të shtyrë tre a katër vjet gjejnë një universitet. Për mendimin tim, sot ka ardhur koha të bëhet edhe një rankim i cilësisë.
Në këtë rankim mund të shpallen ato programe që të garantojnë mundësi për punësim dhe ato programme që janë të një niveli më të ulët. Sistemi i kolegjeve apo i instituteve dy a tri –vjeçare që përgatisin profesionistë sidomos në ato fusha për të cilat tregu ka nevojë më shumë, duhet të kishin nisur me kohë. Pikërisht për këtë thashë që në fillim se Edi Rama ka përgjegjësinë që këto probeleme t’i adresojë dhe të përfshijë aktorët më të njohur brenda e jashtë vendit për të hartuar një memorandum e platformë afatgjatë, kërkesat e tjera pastaj e ndihmojnë të sëmurinë të jetojë edhe ca kohë, por nuk e shpëtojnë nga koma.
Komento
Ilir kr bere nje analize cilesore. Respekte.
PërgjigjuSuper shkrim!
Përgjigju