Një vizitë në Berlin, në parlamentin gjerman, është bërë shkas për një tjetër përplasje mes opozitës dhe shumicës. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi po zhvillon vizitën zyrtare me një delegacion të përzgjedhur prej tij, nga i cili, përfaqësuesit e PD thonë se u përjashtuan. Megjithatë deputetët e saj ndodhen paralelisht po në Bundestag, me një agjendë partiake, por që me shpenzimet e Kuvendit. Dy delegacione, i njëjti destinacion dhe shkëmbime akuzash përmes zëdhënësve!

Gjithçka nisi me një marrëveshje të arritur më 29 janar mes kreut të Grupit të PD-së Gazment Bardhit dhe kreut të Kuvendit Niko Peleshit, sipas së cilës opozita do të propozonte herë pas here emrat për pjesëmarrje në delegacione jashtë vendit. Në këtë frymë, më 4 mars, Kryetari i Kuvendit i kërkoi Bardhit dy emra për vizitën në Berlin më 19 mars.

PD propozoi Tomorr Alizotin dhe Klevis Balliun. Por, në fund, asnjëri prej tyre nuk ishte pjesë e delegacionit që udhëtoi me Peleshin.

Në vend të tyre, delegacioni zyrtar u përbë nga tre deputetë të mazhorancës  Taulant Balla, Erion Malaj dhe Iris Luarasisi dhe dy përfaqësues të partive të tjera opozitare, si Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë dhe Edmond Haxhinasto nga Partia e Lirisë.

Ky konfigurim ndezi reagimin e Partisë Demokratike, e cila akuzoi drejtuesin e Kuvendit për përjashtim të njëanshëm të opozitës.

“Ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i mazhorancës parlamentare”, tha PD në një deklaratë.

Nga ana tjetër, Kuvendi e relativizoi konfliktin. Përmes një zëdhënësi, Peleshi tha se opozita nuk përbëhet vetëm nga PD, por edhe nga parti të tjera parlamentare.

"Në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit në Gjermani marrin pjesë edhe dy deputetë nga opozita, ashtu siç ka ndodhur në çdo delegacion zyrtar", thuhet në reagimin e Kuvendit. 

Në delegacion marrin pjesë edhe dy deputetë nga opozita, si në çdo vizitë zyrtare. 

Por ndërsa retorika politike përplasej në Tiranë, realiteti në Berlin mori një formë simbolike, dy delegacione shqiptare në të njëjtën kohë, në të njëjtin qytet, por në dy linja të ndryshme udhëtimi dhe me axhenda të ndara.

Nga njëra anë delegacioni zyrtar i drejtuar nga Peleshi. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PD-së Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu  të cilët zhvilluan takime të veçanta në Bundestag, në një vizitë të miratuar dhe nga vetë Kryetari i Kuvendit.

Ironikisht, ndonëse të ndarë politikisht, shpenzimet e të dyja palëve mbulohen nga i njëjti institucion Kuvendi i Shqipërisë, pasi Peleshi thotë se ua ka miratuar ai kërkesën deputetëve të PD.

“Kryetari i Kuvendit ka miratuar, sipas kërkesës se tyre një agjendë e cila parashikon zhvillimin e takimeve në të njëjtën ditë në Bundestag, përfshirë angazhime me komisionet parlamentare përkatëse”, thuhet në reagimin e zyrës së shtypit të Kuvendit për Report Tv.

Në vizita të mëparshme, si ajo në Paris në fund të shkurtit, delegacionet kanë përfshirë edhe përfaqësues të PD-së, ku bashkë me Peleshin ishin edhe Agron Gjekmarkaj dhe Eno Bozdo.

Ndërkohë, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka zgjedhur një tjetër destinacion. Me shpenzimet e partisë dhe jo të Kuvendit, ai ndodhet në Bruksel, në samitin e Partive Popullore Europiane.

Reagimi i plotë i Partisë Demokratike:

Një sqarim i detyruar i Grupit Parlamentar të PD

Në përgjigje të interesit të medias lidhur me mungesën e Grupit më të madh të opozitës në Kuvend, në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani, Grupi Parlamentar i PD sqaron si më poshtë:

Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë Delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti - Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri - Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu - Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri - Gjermani.

Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.

Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.

Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!

Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës.

Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag.

Mirëpo, kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar. Opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane, në nivelet më të larta, të planifikuara më herët. Ne po përfaqësojmë PD dhe Shqipërinë me dinjitet dhe me qëndrime të qarta për shtetin ligjor dhe integrimin europian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:04
Delegacioni i PD takim në Bundestag me deputetin Knut Abraham, Bardhi: PS po pengon drejtësinë! Na duhet një qeveri për integrimin europian

1773932706_xgkjuuu.jpg

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Jorida Tabaku, dhe deputeti Klevis Balliu, po zhvillojmë një vizitë zyrtare në Berlin, ku janë takuar me deputetin e Bundestagut Knut Abraham.

Sipas Bardhit, ai është një njohës i mirë i Shqipërisë dhe një nga zërat më mbështetës të integrimit të vendit tonë në BE.

Gjatë takimit, Bardhi ka deklaruar se deputetët e PD-së kanë theksuar se standardet europiane nuk janë çështje fjalësh, por janë çështje veprash.

“Dhe këtu kemi problem serioz. Qeveria dhe PS në Shqipëri po pengojnë drejtësinë dhe po i japin mbrojtje politike me votë korrupsionit. Kjo po dëmton besueshmërinë e vendit dhe po e mban peng procesin e integrimit”, janë shprehur deputetët e PD.

“Takim në Berlin me deputetin e Bundestagut, Knut Abraham. Folëm hapur për procesin e integrimit europian dhe ku ndodhet realisht Shqipëria sot. E vërteta është që standardet europiane nuk janë çështje fjalësh, por janë çështje veprash. Dhe këtu kemi problem serioz. Qeveria dhe PS në Shqipëri po pengojnë drejtësinë dhe po i japin mbrojtje politike me votë korrupsionit. Kjo po dëmton besueshmërinë e vendit dhe po e mban peng procesin e integrimit europian. Prandaj, mesazhi ynë në Berlin është i qartë: Shqipërisë i duhet ndryshimi: zgjedhje të lira dhe një qeveri që punon për Europën, jo kundër saj!”, ka shkruar Bardhi në rrjetet sociale për takimin.

Po ashtu, Bardhi ka bërë edhe një deklaratë nga Berlini për takimet që po zhvillon në krye të delegacionit të opozitës shqiptare në Bundestag dhe në qeverinë federale gjermane.

Bardhi theksoi se Shqipërisë i duhet një qeveri e përgjegjshme që garanton standardet europiane dhe e çon përpara procesin e integrimit, i penguar sipas tij, nga aktet e PS në mbrojtje të korrupsionit dhe pengimit të drejtësisë.

Ora 13:32
Përplasja për vizitën në Gjermani/ Meta: Përjashtimi i PD nga delegacioni i Kuvendit, akt i turpshëm

1770273584_ilirmeta.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas përplasjes mes PD dhe Kuvendit për vizitën në parlamentin gjerman.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi po zhvillon vizitën zyrtare me një delegacion të përzgjedhur prej tij, nga i cili, përfaqësuesit e PD thonë se u përjashtuan. Meta thotë shkruan se përjashtimi i deputetëve të PD-së, është një akt i trupshëm.

“Përjashtimi nga delegacioni zyrtar parlamentar, i grupit kryesor opozitar të Partisë Demokratike është një akt i turpshëm që tregon qartë, mungesën e vullnetit për përfaqësimin gjithëpërfshirës të Kuvendit të Shqipërisë, aq më tepër në këto momente të rëndësishme edhe në Gjermani.

Është një akt i neveritshëm diversioni, që dëshmon se mazhoranca e “Diellave” e ka zëvendësuar dialogun politik me uzurpimin e institucioneve.

Ky akt kaq i ulët u tregon partnerëve ndërkombëtarë, gjendjen në të cilën ndodhet Kuvendi i prodhuar nga krimi.

Pasi i hoqën opozitës, për herë të parë pas dy dekadash, kryesimin e Komisionit të Integrimit, tani kanë vendosur t’i heqin edhe të drejtën legjitime të përfaqësimit.

REGRES-RAPORTI nuk ka të ndalur”, shkruan Meta.