Dosjet 'VIP' që Gjykata e Lartë duhet të ketë përparësi për gjykim gjatë vitit 2021

Dosjet 'VIP' që Gjykata e Lartë duhet të ketë përparësi për gjykim gjatë vitit 2021

Gjykata e Lartë, Aldo Bare, Dritan Dajti dhe Saimir Tahiri

Në një situatë kur Gjykata e Lartë, prej një viti ka funksionuar me tre gjyqtarë, Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe, duke gjykuar çështje të karakterit penal, civil dhe ekstradimet e personave, ende nuk është marrë një vendim i rëndësishëm dhe që ka ndikim në publik. Në mënyrë që institucioni i ri, vetëm një vit i formuar nëpërmjet vendimeve të tij, të janë një mesazh ndikues dhe në shoqëri, duke lënë të ditur se reforma në Drejtësi po funksionon.

Për të kuptuar shqiptarët se vërtet Gjykata e Lartë po funksionon dhe po jep drejtësi, së pari kjo gjykatë me vetëm tre gjyqtarë, duhet të ketë një qëllim të caktuar për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore penale, të rëndësishme për opinion publik dhe që janë çështje që venë në provë dhe reformën në Drejtësi. Ka shumë çështje penale që vijojnë të mbeten stok në Gjykatën e Lartë dhe sot e kësaj dite ende nuk janë gjykuar. Këto dosje të karakterit penal, duhet të gjykohen me urgjencë dhe të marrin një zgjidhje konkrete,duke aplikuar metodën e përparësisë. Qëndrimi në pluhur i këtyre çështjeve, ka sjellë dhe do vijojë ti japë mundësi të artë për lirimin nga burgu të personave të dënuar me burgim të përjetshëm, por edhe ata persona që janë liruar me kusht, dosjet e tyre janë rekursuar dhe presin një zgjidhje përfundimtare nga Gjykata e Lartë, nëse ata do vijojnë të bredhin rrugëve apo të kthehen sërisht në burg.

Sot në Gjykatën e Lartë ka 35 mijë rekurse që presin të shqyrtohen nga tre gjyqtarët e zgjedhur prej një viti. Të tre gjyqtarët, kanë filluar punën për shqyrtimin e rekurseve penale, por çuditërisht nuk kanë një listë të dosjeve emergjente që ata duhet të gjykojnë. Edhe pse shumë dosje të personazheve të fortë janë në pritje për gjykim në gjykatën e Lartë, shumë prej emrave të rëndësishëm të botës së krimit tashmë janë liruar ose së fundmi kanë depozituar kërkesën për lirimin me kusht në gjykatat e shkallës së parë. Një nga çështjet gjyqësore, që Gjykata e Lartë, duhet të kishte marrë në shqyrtim dhe të dilte me një vendim është dosja “Tahiri”. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar nga prokuroria për trafik droge, ka kryer Rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar të gjitha akuzat e prokurorisë dhe dënimin me 5 vite burgim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Njëherësh Rekurs, ka kryer dhe prokuroria, duke kërkuar që Saimir Tahiri dhe drejtuesit e policisë Gjergji Kohila, Jaeld Çela dhe Sokol Bode, të dënohet për “Trafik droge dhe Grup të strukturuar kriminal”. Sot kjo çështje e rëndësishme për opinionin publik, politikën dhe vetë të pandehurit, e ankimuar nga të dy palët, nuk ka asnjë zgjidhje. Një rekurs tjetër shumë i rëndësishëm për tu shqyrtuar me urgjencë është ai i Dritan Dajtit, i regjistruar në sekretarinë e kësaj gjykatë në 5 prill 2019. Rekursin e ka depozituar Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka kërkuar nga Gjykata e Lartë të prishë vendimin e Apelit që dënon Dajtin me 25 vite burgim dhe lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, që dënon Dritan Dajtin, me burgim të përjetshëm, për 4 vrasje të policëve dhe 1 plagosje.

Tashmë kur çështja e Dajtit është në pritje për tu gjykuar në Gjykatën e Lartë,nga ana tjetër vetë i dënuari Dritan Dajti nga Elbasani, kryen bashkimin e dy dënimeve dhe përgatit rrugën për të përfituar lirimin me kusht. Do vijë koha që Dajti, do lerë qelinë dhe Gjykata e Lartë, ende nuk do ketë marrë në shqyrtim rekursin për dënimit të tij përfundimtar, me 25 vite burgim apo me burgim të përjetshëm. E njëjta situatë mësohet se është edhe për të dënuarin tjetër me burgim të përjetshëm, Arben Grori. Ky i fundit në 2019 ka arritur të kthejë për rishikim gjyqësor dosjen e dënimit me burgim të përjetshëm, ku vendimi është marrë nga gjyqtarët Fatmira Hajdari dhe Alaudin Malaj. Megjithëse prokuroria ka qenë kundër dhe mësohet të ketë ushtruar rekurs në gjykatën e Lartë, sërish kjo gjykatë nuk është mbledhur një herë të vetme për të rishikuar këtë çështje dhe marrë një vendim përfundimtar. Tashmë Grori është duke zhvilluar procesin gjyqësor në gjykatën e Elbasanit, duke synuar të dënohet me 25 vite burgim për vrasjen e Naim Zyberit. Nëse ky dënim jepet nga gjykata, automatikisht Arben Grori lirohet nga qelia, pasi këtë periudhë dënimi ai tashmë e ka vuajtur në burg.

Një tjetër dosje që duhet të merret në shqyrtim nga gjykata e Lartë dhe s’duhet lënë ende në pritje është rekursi që flet për lirimin me kusht të Lulzim Berishës. Prej 30 dhjetorit 2016, në sekretarinë e gjykatës së Lartë është regjistruar një rekurs që edhe pse kanë kaluar 3 vjet nuk është marrë në shqyrtim, për të vendosur përfundimisht nëse Lulzim Berisha duhej të lirohej me kusht ose jo. Prej vitit 2016, Lulzim Berisha i dënuar me 25 vite burgim, qëndron si person i lirë me kusht në Durrës, madje, ka hapur dhe disa biznese në këtë qytet. Ndërkohë çështja e tij për lirimin ose jo me kusht, prej dhjetorit 2016 vijon të qëndrojë e hapur në Gjykatën e Lartë. Tashmë Lulzim Berisha, është një person në kërkim ndërkombëtar dhe një nga shkaqet për ta rikthyer në burg, është mosmbajtja e kushtit, dhe kontaktet e vazhdueshme me shërbimin e provës në Durrës.

Një tjetër rekurs është ai i depozituar nga prokuroria e Durrësit që bën fjalë për Viktor Ymerin, “të fortin” e Vlorës, i arrestuar pak ditë më parë si personi që ka marrë pjesë në vrasjen e biznesmenin Vajdin Lamaj. Ndaj Viktor Ymerit, momentalisht janë dy rekurse në Gjykatën e Lartë që nuk janë marrë në shqyrtim. I pari, ka të bëjë me kundërshtimin e prokurorisë së Apelit Durrës, për dënimin e Ymerit me 25 vite burgim për dy vrasje. Ky rekurs është regjistruar në 24 dhjetor 2018 dhe prokuroria kërkon dënimin e Ymerit me burgim të përjetshëm për vrasjen në Durrës të Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës. I dyti që flet sërish për Viktor Ymerin, ka të bëjë me kundërshtimin që prokuroria e Elbasanit ij ka bërë mënyrës së bashkimit të dënimeve të Viktor Ymerit, një dënimi në Shqipëri dhe një dënimi me 24 vite burgim në Itali. Ky rekurs është regjistruar në gjykatën e Lartë në 13 janar 2020. Një tjetër rekurs që duhet të shqyrtohet me urgjencë është ai që bën fjalë për dënimin e Sokol Mjacaj nga Dukagjini i Shkodrës. Mjacaj u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve Çekë në Dukagjin. Gjithashtu, gjykata e Lartë, duhet të ketë në përparësi edhe çështjen e Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës, që momentalisht mbahet i izoluar në burg.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano