Sinoptikanët paralajmërojnë se ditën e sotme do të ketë reshje të dendura shiu dhe ulje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin.

Në një lidhje telefonike për Report TV drejtori i emergjencave civile, Shemsi Prençi ka deklaruar se nuk ka situatë emergjence por që i gjithë shtabi do të jetë në gatishmëri për çdo lloj ndërhyrje në ndihmë të qytetarëve. 

Prençi, ka deklaruar gjithashtu se reshjet e shiut do te zgjasin edhe për 3 ditët në vijim, ndërsa paralajmëron se sontë në darkë do të ketë reshje më intensive të shiut. 

Pas përkeqësimit të motit mbrëmjen e kaluar, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash për përballimin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së sotme.

Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë e ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet.
 
Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve nga mbrëmja e sotme, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative.
 
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mbrëmjen e sotme  kur pritet që intensiteti i reshjeve të jetë më i lartë se zakonisht, të shmangin qarkullimin e panevojshëm.

Po ashtu, Bashkia e Tiranës i bën thirrje qytetarëve që jetojnë në zonat rurale, që të marrin masa e të mos frekuentojnë brigjet e lumenjve në zonat që paraqesin rrezikshmëri.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com