Revista franceze GEO Magazine ka shkruar një artikull për Shqipërinë turistike duke u ndalur në disa qytete e tradita. Duke e nisur nga Tirana që e quan “një qytet arti dhe kujtese”, ku ndalet te sheshi “Skënderbej”, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, “muzeumet që tregojnë ferrin paranojak të diktaturës së Enver Hoxhës” dhe deri te kafenetë, klubet e tregjet, për të vijuar drejt veriut e jugut.

Artikulli është ndarë edhe nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, i cili shkruan:

“Shqipëria turistike sërish në vëmendjen e medias.

Këtë herë, revista e njohur franceze GEO Magazine i ka dedikuar një artikull vendit tonë, duke e përshkruar si një destinacion të larmishëm me plazhe, male, natyrë magjepsëse, me një trashëgimi të pasur kulturore e historike, mbushur me ndikime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

Po ashtu përmenden kujtimet e Kanunit, një kod misterioz mesjetar nderi, si dhe ekstravaganca arkitekturore e Tiranës.

E gjithë kjo ofertë turistike ka bërë që në pesë vjet, Shqipëria të ketë një rritje prej 80% të numrit të vizitorëve të huaj", thotë postimi.

Artikulli ndalet te Zvërneci, ku “pas shkëmbinjve, fshihet një nga plazhet më të egra të vendit”, te Ksamili, Manastiri i 40 Martirëve të Sebastës dhe duke shkuar në Gjirokastër, ku veçon historinë.

“Në pjesën më të lartë, një ndërtesë me mure të bardha zë vendin e shtëpisë së lindjes së diktatorit Enver Hoxha, e shkatërruar nga një zjarri. Zëvendësuar nga një ndërtesë me stil tradicional, sot është një muze etnografik, i çmuar për të kuptuar shpirtin oriental të qytetit”.

Bektashinjtë janë një tjetër fokus i artikullit dhe fenë e tyre e përshkruan si “misterioze”, ndërsa thotë se Tirana është “kryeqyteti botëror” i besimit të katërt më të përhapur në Shqipëri.

Në veri, veç bukurive të rralla natyrore, shtegut të Valbonës, ujëvarës së Grunasit apo Jezercës, spikat mikpritja e rrallë, por edhe fenomeni i gjakmarrjes. Nga takimi me vendasit, përshkruhet hollësisht si funksiononte kanuni.

“Këtu, ligjet osmane që vlejnin në Ballkan nuk u zbatuan kurrë, kështu që u ruajt Kanuni i vjetër, një legjislacion mesjetar që përziente rregulla zakonore dhe kodin e nderit, duke rregulluar jetën e përditshme, nga martesa te trashëgimia, dhe shërbente si drejtësi,” shpjegon Sokol Kolçeku, pronari aktual i tokës ku ngrihet kulla.

Për dy javë, një këshill i të mençurve përpiqej të gjente një zgjidhje midis palëve. Në rast dështimi, i fajshmi dërgohej në portën e fshatit: kishte tre ditë për të zhdukur.

Afër kishës së Thethit, unë shtyj derën e një kulle. Kjo “kullë izolimi” e shekullit XIX ka formë të një kështjelle drejtkëndore prej guri, me tre kate. Atje strehohej çdo njeri që ishte objekt i një gjakmarrjeje pas një vrasjeje. “Rrije atje derisa të gjendej një zgjidhje ose një dënim për të larë diferencën midis familjeve të përfshira”, thuhet në shkrim.

“Vendi i shqiponjave’ tani ëndërron të kapë kohën e humbur. Rritja e tij turistike është përshpejtuar në mënyrë të jashtëzakonshme (12 milionë vizitorë vitin e kaluar, +80% frekuentim në pesë vjet), prandaj është më mirë të zgjedhësh me kujdes ndalesat”, shkruan revista për hovin e viteve të fundit.

Në “tokën e shqiponjave”, artikulli shëtit nga metropoli drejt Beratit me një mbi një dritare, te Gjirokastra e pasur me kuzhinë e kulturë, riviera e ujërave të bruzta, te Alpet krenare dhe historia e kultura që përbëjnë “perlën e Mesdheut”.

 

 

 

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 2 Shkurt, 13:24

    A e mbështesni kërkesën e gjyqtarëve për rritje page?