Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se si pasojë e shirave ka përmbytje në Kamëz, Vorë, Fushë Krujë, Krujë, por edhe në zona të tjera. Situata është paraqitur më e vështirë për sistemin e ujësjellës – kanalizimeve, për shkak të nivelit të lartë të reshjeve, teksa janë shënuar dëme të konsiderueshme dhe situata paraqitet problematike te stacioni i Prezës që është përmbytur duke lënë banorët pa ujë.
Përveç Fushë Krujës, situata ka qenë e vështirë edhe në bashkinë e Kamzës, pasi ka banesa të përmbytura si pasojë e reshjeve të dendura. Defektet në furnizimin me energji elektrike janë ndër problemet më të mëdha, pasi shumë zona në Tiranë, Durrës dhe Burrel janë më të prekura. Për shkak të motit të keq në u vonuan me rreth 2 orë 8 fluturime ndërsa u anuluan 2 fluturime. Po për shkak të motit të keq janë devijuar edhe 6 fluturime.
RAPORTI NGA INFRASTRUKTURA
Rajoni Verior
Ka pasur reshje në të gjithë territorin, po pa shkaktuar probleme në qarkullim.Të gjithë specialistët dhe kontraktorët janë në terren në gatishmëri për çdo situatë.
Rajoni Qendror
• Ka pasur reshje të shumta gjatë gjithë natës. Në segmentet e zonës së Dajtit nga reshjet ka rënie gurësh e dherash është punuar për pastrimin e tyre.
• Rrugët dytësore dhe segmentet e Kamzës kanë pasur disa vështirësi në qarkullim (te nënkalimi i City Park). Aktualisht situata është e normalizuar. Grupet e punës janë përqendruar në Bubq - Ishëm.
• Në zonën e Ibës ka pasur rënie të dendura shiu,kontraktori ka punuar për stabilizimin e situatës.
• Në segmentet rrugore të zonës së Belshit, si rezultat i shirave të dendur në disa vende ka rënie gurësh. Kontraktori po punon për pastrimin e plotë të rrugës.
Në të gjitha akset e këtij rajoni qarkullimi kryhet normalisht.
Rajoni Jugor
• Ka pasur reshje të shumta sidomos në qarkun e Gjirokastrës.
• Në Dragot dhe pranë Ujit të Ftohtë ka pasur vërshim ujërash dhe dherash, kompania e mirëmbajtjes ka punuar gjatë natës duke kthyer qarkullimin normal.
• Aktualisht në Rajonin Jugor të gjitha akset janë me qarkullim normal.
• Kontraktorët janë në gatishmëri për çdo situatë të përkeqësuar të motit.
UJËSJELLËS - KANALIZIMET
Situata është paraqitur më e vështirë për sistemin e ujësjellës – kanalizimeve, për shkak të nivelit të lartë të reshjeve:
Vorë
Janë shënuar dëme të konsiderueshme dhe situata paraqitet problematike. Stacioni i Prezës është përmbytur. Po punohet për normalizimin e situatës.
Kamëz
Situata ka qenë e vështirë edhe në bashkinë e Kamzës. Ka pasur banesa të përmbytura si pasojë e reshjeve të dendura. Punonjësit e Ujësjellës kanalizimeve kanë punuar gjatë gjithë natës për të pastruar dhe zgjeruar kanalet kryesore për largimin e ujit.
Durrës
Ka pasur problematika në ujësjellësit e FushëKuqes, Fushë Krujë –Maminas dhe në Shijak. Në këto stacione për shkak të reshjeve ka pasur ndërprerje të energjisë. OSHEE po punon për riparimin e avarisë.
Krujë-Fushë Krujë
Stacioni i pompimit ka dalë jashtë funksioni për arsye të defektit të rëndë në rrjet transmetimi. Ekipi OSHEE në terren për të identifikuar ku ka ndodhur avaria. Lumi i Gjolës është në kuota maksimale nga reshjet e rrëmbyeshme. Pritet që me pushimin e reshjeve situata të normalizohet shpejt.
Gjirokastër
Nga shirat e rrëmbyeshëm janë shfaqur turbullira në burimin Hos. Me qëllimin furnizimin me ujë të banorëve është futur në punë për kompesiom stacioni Buduk.
Rrëshen
Gjatë natës ka pasur situata të vështira, që kanë sjellë problematikë me furnizimin me ujë por aktualisht gjendja është e stabilizuar.
Në zonat e tjera situata paraqitet pa probleme.
SISTEMI ENERGJITIK
OSHEE është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në terren grupet e punës kanë punuar për të eliminuar defektet e shfaqura gjatë natës prej motit të keq, me reshje të dendura, stuhi dhe shkarkesa atmosferike.
Rajonet më të prekura nga defektet janë Tirana, Durrës dhe Burrelit. Defektet janë kryesisht të llojit: këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh, uji në kabina, etj.
Në raport me situatën në mesnatë, të dhënat e orës 09:30 paraqesin një përmirësim të situatës së furnizimit me energji elektrike me 31%. OSHEE thekson se, “në kushtet e një moti me reshje dhe me prezencë uji në objektet elektrike, është e vështirë të ndërhyhet pasi rrezikohet jeta e punonjësit. Sikurse, disa fidera janë stakuar për masë sigurie nga vet kompania, për të evituar pasoja të mëtejshme në jetë njerëzish dhe defektesh”.
Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell vonesa në riparimin e tyre për shkak të terrenit.
Konkretisht, zonat ku po punohet ende për të rikuperuar problemet dhe për të rikthyer energjinë janë:
Rajoni Tiranë
Pjesërisht Kombinat, Mëzes, Yzberisht, Kamëz, Farkë, Valias, Vorë (fshatrat), Paskuqan dhe brenda në Tiranë një pjesë e ish-bllokut dhe rruga “MyslymShyri”.
Rajoni Durrës
Pjesërisht disa fshatra të Kavajës, Shijakut, Manëz dhe Fushë Krujës.
Rajoni Elbasan
Pjesërisht disa fshatra të Përrenjasit, Cërrikut dhe Gramshit
Rajoni Gjirokastër
Pjesërisht disa zona rreth Lazaratit, Tepelenës, Kardhiq dhe Dropull
Rajoni Vlorë
Pjesërisht disa zona të qytetit Vlorës, Dhërmiu dhe Dukati
Rajoni Kukës
Pjesërisht disa zona rreth Tropojës
Rajoni Shkodër
Pjesërisht në disa zona si Kallmet, Tale, Zadrimë dhe Torovicë të Lezhës
Rajoni Burrel
Pjesërisht disa zona në qytetin Laç, Mamurras dhe Bulqizë
KESH
Situata paraqitet e qetë dhe pa probleme në strukturat e menaxhuara nga KESH, në njësitë HEC Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. OST ka pasur vetëm një avari si pasojë e motit të keq, gjatë mbrëmjes në orën 23:00, në linjën L 220-15/2 shtylla nr 47, faza A. Kjo avari nuk ka shkaktuar mungesë furnizimi me energji dhe është riparuar në orët e para të mëngjesit nga brigada e linjave të njësisë operative Tiranë. Strukturat e MIE dhe agjencive të varësisë do të vijojnë pa ndërprerje punën për riparimin e të gjitha dëmeve dhe problematikave të shkaktuara nga moti i keq.
PORTET DHE AEROPORTI
Në Portet detare nuk pasur problematika dhe puna ka vijuar normalisht.
Në aeroportin “Nënë Tereza” ana infrastrukturore nuk ka pasur probleme serioze. Kanalet e drenazhimit kanë funksionuar dhe pista ka qenë e pastër duke mos krijuar pengesa në operim.
Për shkak të motit të keq në TIA u vonuan me rreth 2 orë 8 fluturime ndërsa u anuluan 2 fluturime. Po për shkak të motit të keq janë devijuar edhe 6 fluturime.
Lajmi kryesor: