Uji pushton shtëpitë, drita dhe ujë nuk ka, anulohen disa fluturime nga stuhia (Situata e plotë nga përmbytjet)

Reshjet e dendura të shiut me erë të fortë dhe stuhi kanë shkaktuar përmbytje të shumta në disa qytete dhe bllokime të rrugëve. Në Fushë- Krujë janë shkaktuar problemet më të mëdha, pasi shumë fshatra janë përmbytur si pasojë e daljes së lumit nga shtrati dhe vërshimit në banesa, biznese dhe tokën bujqësore.

Probleme ka edhe në Lezhë dhe Laç, ku pas përmbytjes, tani qyteti është pushtuar nga balta. Në disa zona në Tiranë uji ka depërtuar brenda banesave. Nga përmbytjet në orët e para të mëngjesit dhe paradites pati probleme të shumta në disa akse kryesore, por situata u normalizua. Aktualisht probleme ka vetëm në disa zona rurale me qarkullimin. Në Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Vorë dhe Tiranë ka probleme me ujin e pijshëm.

Defektet në furnizimin me energji elektrike janë ndër problemet më të mëdha, pasi shumë zona në Tiranë, Durrës dhe Burrel janë më të prekura. Për shkak të motit të keq u vonuan me rreth 2 orë 8 fluturime ndërsa u anuluan 2 fluturime. Po për shkak të motit të keq janë devijuar edhe 6 fluturime.

Meteorologia Adiola Bani qetëson të gjithë qytetarët teksa shprehet në një lidhje telefonike për Report Tv se nuk do të ketë më reshje të dendura shiu dhe nga pasditja e sotme moti do të jetë i kthjellët dhe kështu do të vijojë deri në fund të shtatorit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:02
VIDEO/ Kurbini dhe Fushë-Kruja nën ujë

Kurbini dhe Fushë-Kruja janë dy nga qytetet më të prekura nga përmbytjet që prekën Shqipërinë ditën e djeshme. Report Tv sjell video nga përmbytja që përfshi këto zona.

Ora 16:26
Moti i keq, anulohet fluturimi nga Aeroporti i Rinasit drejt Lubjanës, vonesa për dy të tjerë (ORARET)

Moti i keq në Shqipëri ka ndikuar edhe në fluturimet nga Aeroporti i Rinasit. Një fluturim i orës 14:35 drejt Lubujanës është anuluar. Ndërsa ka pasur shtyrje vonesa për një fluturim të orës 11:40 drejt Bergamos dhe një tjetër i orës 16:00 drejt Veronas.

Ora 15:53
Suli për Report Tv: Janë përmbytur 250 familje... por jo vetëm nga shiu! Nesër do bëhet vlerësimi i shtëpive

Kreu i bashkisë së Kamzës Rakip Suli tha për Report Tv se nga përmbytjet e shiut që kanë prekur këtë zonë janë përmbytur rreth 250 familje. Suli tha se problemi për këtë zonë nuk ishin vetëm përmbytjet nga reshjet e shiut por edhe përzierja e tyre me ujërat e zeza për shkak të problemit 30-vjeçar me kanalizimet, ndërsa deklaroi se nga nesër do të bëhet vlerësimi i tyre.

"Nga rënia e tërmetit janë të dëmtuar disa objekte, nga të cilat 15 janë bërë të pabanuara. Kemi mbledhur të dhëna për të bërë riparimin dhe dëmshpërblimin e tyre. U morën të gjitha masat për të strehuar ata që kishin mbetur jashtë në pallatin e kulturës.

Kamza është një zonë me një mijë e një probleme. Pas tërmetit dëmi më i madh ishte shiu. Me një të rënë shiu këtu përmbytet rreth 50% e banesave. Problem janë kanalizimet. Pjesa më e rrezikshme. Përmbytjet nuk janë bërë vetëm nga shiu por nga bashkimi i tij me ujërat e zeza. Mbrëmë u morën masa për familjet që kishin nevojë për t'u zhvendosur nga shtëpitë. Sot janë disa mjete që po punojnë për zonat e rrezikuara. Të përmbytura janë rreth 250 familje. Nesër do bëhet vlerësimi i këtyre shtëpive. Një problem 30-vjeçar nuk mund të zgjidhet as për një ditë as për një javë", u shpreh Suli.

Ora 14:25
Ushtria në terren, ministrja: Po nxjerrin ujin nga banesat dhe bizneset (FOTO)

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se FA ka zbritur në terren në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet. "Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë zbarkuar në terren për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga reshjet e mbrëmjes së djeshme. Trupat dhe mjetet e specializuara të Batalionit të Mbështetjes Rajonale po nxjerrin ujin nga banesat dhe bizneset në Valias të Kamzës, ndërkohë që qindra trupa janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast" shkruan ministrja.

Ora 14:01
Stuhia iku, meteorologia ka një lajm të mirë: Ja kur rikthehet dielli

Meteorologia Adiola Bani qetëson të gjithë qytetarët teksa shprehet në një lidhje telefonike për Report Tv se nuk do të ketë më reshje të dendura shiu dhe nga pasditja e sotme moti do të jetë i kthjellët dhe kështu do të vijojë deri në fund të shtatorit.

"Moti është duke u përmirësuar krahasuar me dje dhe mbrëmë. Aktualisht shirat janë zhvendosur drejt lindjes dhe deri në mbrëmje do të largohen shifrat nga i gjithë vendi. Nesër do të jetë mot i freskët, e enjtja do të na risjellë reshjet në veri dhe pak në qendër, por jo si dje.

Me një parashikim nga e premtja deri në fund të shtatorit do të jetë mot i kthjellët dhe rritje e temperaturave. Zonat që kanë pasur sasi të konsiderueshme shiu kanë qenë Lezha, Tirana, Burreli dhe Laçi, por nuk do të ketë më situatë problematike. Tani kemi vetëm shira të dobët. Në fundjavë temperaturat do të arrijnë deri në 31 gradë" tha ajo.

Ora 13:33
Pamjet nga lart, ja si duket Fushë Kruja nën ujë nga përmbytjet

Report Tv sjell pamje nga fshatrat e Fushës Krujës që janë përmbytur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Shumë shtëpi janë nën ujë, ndërsa banorët kërkojnë ndihmë nga shteti. Gazetari i Report Tv Julian Shota thotë se niveli vijon të rritet dhe pse nuk ka reshje, ndërsa shkak mendohet të jetë shkarkimi i liqenit të Kasharit dhe Bovilla.

Ora 13:15
VD/Përmbytje, pa drita, pa ujë dhe anulime fluturimesh (Bilanci i dëmeve nga reshjet e shiut)

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se si pasojë e shirave ka përmbytje në Kamëz, Vorë, Fushë Krujë, Krujë, por edhe në zona të tjera. Situata është paraqitur më e vështirë për sistemin e ujësjellës – kanalizimeve, për shkak të nivelit të lartë të reshjeve, teksa janë shënuar dëme të konsiderueshme dhe situata paraqitet problematike te stacioni i Prezës që është përmbytur duke lënë banorët pa ujë.

Përveç Fushë Krujës, situata ka qenë e vështirë edhe në bashkinë e Kamzës, pasi ka banesa të përmbytura si pasojë e reshjeve të dendura. Defektet në furnizimin me energji elektrike janë ndër problemet më të mëdha, pasi shumë zona në Tiranë, Durrës dhe Burrel janë më të prekura. Për shkak të motit të keq në u vonuan me rreth 2 orë 8 fluturime ndërsa u anuluan 2 fluturime. Po për shkak të motit të keq janë devijuar edhe 6 fluturime.

RAPORTI NGA INFRASTRUKTURA

Rajoni Verior

Ka pasur reshje në të gjithë territorin, po pa shkaktuar probleme në qarkullim.Të gjithë specialistët dhe kontraktorët janë në terren në gatishmëri për çdo situatë.

Rajoni Qendror

•             Ka pasur reshje të shumta gjatë gjithë natës. Në segmentet e zonës së Dajtit nga reshjet ka rënie gurësh e dherash është punuar për pastrimin e tyre.

•             Rrugët dytësore dhe segmentet e Kamzës kanë pasur disa vështirësi në qarkullim (te nënkalimi i City Park). Aktualisht situata është e normalizuar. Grupet e punës janë përqendruar në Bubq - Ishëm.

•             Në zonën e Ibës ka pasur rënie të dendura shiu,kontraktori ka punuar për stabilizimin e situatës.

•             Në segmentet rrugore të zonës së Belshit, si rezultat i shirave të dendur në disa vende ka rënie gurësh. Kontraktori po punon për pastrimin e plotë të rrugës.

Në të gjitha akset e këtij rajoni qarkullimi kryhet normalisht.

Rajoni Jugor

•             Ka pasur reshje të shumta sidomos në qarkun e Gjirokastrës.

•             Në Dragot dhe pranë Ujit të Ftohtë ka pasur vërshim ujërash dhe dherash, kompania e mirëmbajtjes ka punuar gjatë natës duke kthyer qarkullimin normal.

•             Aktualisht në Rajonin Jugor të gjitha akset janë me qarkullim normal.

•             Kontraktorët janë në gatishmëri për çdo situatë të përkeqësuar të motit.

UJËSJELLËS - KANALIZIMET
Situata është paraqitur më e vështirë për sistemin e ujësjellës – kanalizimeve, për shkak të nivelit të lartë të reshjeve:

Vorë

Janë shënuar dëme të konsiderueshme dhe situata paraqitet problematike. Stacioni i Prezës është përmbytur. Po punohet për normalizimin e situatës.

Kamëz

Situata ka qenë e vështirë edhe në bashkinë e Kamzës. Ka pasur banesa të përmbytura si pasojë e reshjeve të dendura. Punonjësit e Ujësjellës kanalizimeve kanë punuar gjatë gjithë natës për të pastruar dhe zgjeruar kanalet kryesore për largimin e ujit.

Durrës

Ka pasur problematika në ujësjellësit e FushëKuqes, Fushë Krujë –Maminas dhe në Shijak. Në këto stacione për shkak të reshjeve ka pasur ndërprerje të energjisë. OSHEE po punon për riparimin e avarisë.

Krujë-Fushë Krujë

Stacioni i pompimit ka dalë jashtë funksioni për arsye të defektit të rëndë në rrjet transmetimi. Ekipi OSHEE në terren për të identifikuar ku ka ndodhur avaria. Lumi i Gjolës është në kuota maksimale nga reshjet e rrëmbyeshme. Pritet që me pushimin e reshjeve situata të normalizohet shpejt.

Gjirokastër

Nga shirat e rrëmbyeshëm janë shfaqur turbullira në burimin Hos. Me qëllimin furnizimin me ujë të banorëve është futur në punë për kompesiom stacioni Buduk.

Rrëshen

Gjatë natës ka pasur situata të vështira, që kanë sjellë problematikë me furnizimin me ujë por aktualisht gjendja është e stabilizuar.

Në zonat e tjera situata paraqitet pa probleme.

SISTEMI ENERGJITIK
OSHEE është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në terren grupet e punës kanë punuar për të eliminuar defektet e shfaqura gjatë natës prej motit të keq, me reshje të dendura, stuhi dhe shkarkesa atmosferike.

Rajonet më të prekura nga defektet janë Tirana, Durrës dhe Burrelit. Defektet janë kryesisht të llojit: këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh, uji në kabina, etj.

Në raport me situatën në mesnatë, të dhënat e orës 09:30 paraqesin një përmirësim të situatës së furnizimit me energji elektrike me 31%. OSHEE thekson se, “në kushtet e një moti me reshje dhe me prezencë uji në objektet elektrike, është e vështirë të ndërhyhet pasi rrezikohet jeta e punonjësit. Sikurse, disa fidera janë stakuar për masë sigurie nga vet kompania, për të evituar pasoja të mëtejshme në jetë njerëzish dhe defektesh”.

Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell vonesa në riparimin e tyre për shkak të terrenit.

Konkretisht, zonat ku po punohet ende për të rikuperuar problemet dhe për të rikthyer energjinë janë:

Rajoni Tiranë

Pjesërisht Kombinat, Mëzes, Yzberisht, Kamëz, Farkë, Valias, Vorë (fshatrat), Paskuqan dhe brenda në Tiranë një pjesë e ish-bllokut dhe rruga “MyslymShyri”.

Rajoni Durrës

Pjesërisht disa fshatra të Kavajës, Shijakut, Manëz dhe Fushë Krujës.

Rajoni Elbasan

Pjesërisht disa fshatra të Përrenjasit, Cërrikut dhe Gramshit

Rajoni Gjirokastër

Pjesërisht disa zona rreth Lazaratit, Tepelenës, Kardhiq dhe Dropull

Rajoni Vlorë

Pjesërisht disa zona të qytetit Vlorës, Dhërmiu dhe Dukati

Rajoni Kukës

Pjesërisht disa zona rreth Tropojës

Rajoni Shkodër

Pjesërisht në disa zona si Kallmet, Tale, Zadrimë dhe Torovicë të Lezhës

Rajoni Burrel

Pjesërisht disa zona në qytetin Laç, Mamurras dhe Bulqizë

KESH
Situata paraqitet e qetë dhe pa probleme në strukturat e menaxhuara nga KESH, në njësitë HEC Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. OST ka pasur vetëm një avari si pasojë e motit të keq, gjatë mbrëmjes në orën 23:00, në linjën L 220-15/2 shtylla nr 47, faza A. Kjo avari nuk ka shkaktuar mungesë furnizimi me energji dhe është riparuar në orët e para të mëngjesit nga brigada e linjave të njësisë operative Tiranë. Strukturat e MIE dhe agjencive të varësisë do të vijojnë pa ndërprerje punën për riparimin e të gjitha dëmeve dhe problematikave të shkaktuara nga moti i keq.

PORTET DHE AEROPORTI
Në Portet detare nuk pasur problematika dhe puna ka vijuar normalisht.

Në aeroportin “Nënë Tereza” ana infrastrukturore nuk ka pasur probleme serioze. Kanalet e drenazhimit kanë funksionuar dhe pista ka qenë e pastër duke mos krijuar pengesa në operim.

Për shkak të motit të keq në TIA u vonuan me rreth 2 orë 8 fluturime ndërsa u anuluan 2 fluturime. Po për shkak të motit të keq janë devijuar edhe 6 fluturime.

Ora 12:56
'Kemi frikë nga epidemia'/ Report Tv në familjen e përmbytur në Shkozë: Shtet, eja pastro fekalet! (VIDOE)

Disa familje janë përmbytur plotësisht në Shkozë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që përfshinë vendin mbrëmjen e djeshme dhe orët e para të ditës së sotme. Report Tv ishte në një familje në Shkozë ku tregoi nga afër gjendjen reale, ku uji përmbyti katin e parë të banesës duke shkatërruar gjithcka.

"Që mbrëmë jemi përmbytur, ka qenë uji deri në brez. I lutemi shtetit. Jemi përmbytur edhe njëherë tjetër dhe nuk kemi marrë dëmshpërblim. Falenderoj kryetarin e bashkisë dhe deputetin, por nuk kemi një bot të pastrojë fekalet dhe baltën. Jam shumë e shqetësuar.

Ne po presim, ishalla nuk mbytemi Kemi tërë natën me fshesën në dorë. Kemi frikë se do të na bjerë ndonjë sëmundje. E njëjta situatë është edhe te fqinjët. Bashkia na premtoi dëmshpërblimet dhe tha se do të sjellim botin, po presim tani.

Ujërat vijnë si pasojë e prishjes së kanalizimeve nga punimet që janë bërë. Buron uji si shatërvan, jemi tmerruar. Shtëpia është bërë e pabanueshme. Shteti të rregullojë kanalizimet te ura, jam e irrituar, jam mërzitur shumë" tha ajo.

Ora 12:55
Përmbytjet në Lezhë, prefekti për Report Tv: Nuk ka vend për alarm (VIDEO)

Në Kurbin vijon që të jetë një situatë problematike. Shumë banesa janë rrethuar nga uji dhe disa prej tyre janë përmbytur, një familje është evakuuar, ndërsa nën ujë janë edhe 350 hektarë. Në një lidhje telefonike për Report Tv, prefekti i qarkut të Lezhës Gjok Jaku u shpreh se gjendja nuk është alarmante dhe se nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së emergjencës.

"Sasia e reshjeve që ra ka qenë me itensitet të lartë dhe në bashkinë Lezhë ka qenë rreth 130 mm dhe dyfish në Kurbin. Territori i qarkut tonë është me histori risku. Një numër banesash në zonën e Sanxhakut kanë pasur prezencë uji.

Bashkë me kryetarin dhe një grup pune kemi hyrë në disa banesa dhe nuk ka probleme madhore. Mjetet e kullimit janë përqendruar. Nuk jemi në situatë alarmante, pasi ka rënie të nivelit të ujit. Torovica është një aks me risk, pasi ka pasur edhe viktima nga rrëshqitja e gurëve. E njëjta situatë është përsëritur edhe sot, por rruga është e hapur. Dëme kanë pësuar edhe disa biznese" tha ai.

A ka nevojë për shpalljen e një gjendje emergjence?  "Ju siguroj që dy vatrat që ne kishim mbrëmë në mesnatë deri në mëngjes që kërcënohej një familje, në të gjitha nuk ka qenë evakuimi i njerëzve, që pas këtyre orëve, nuk kemi situatë alarmante" tha prefekti.

Ora 12:06
UKT: Deri në mbrëmje do të ketë kufizime të furnizimit me ujë

​​​​​​Ujësjellësi i Tiranës njofton qytetarët se gjatë ditës së sotme do të ketë kufizime të pjesshme të furnizimit me ujë në disa zona të Tiranës. Shkak për këtë është bërë turbullira në ujëmbledhësin e Bovillës, si pasojë e reshjeve të dendura që kanë rënë gjatë natës. 

'Thatësira prej më shumë se pesë muajsh dhe intensiteti i lartë i reshjeve prej 115 mm, kanë shkaktuar këtë gjendje në ujëmbledhësin, prej të cilit furnizohet me ujë një pjesë e mirë e qytetit.

Në këto kushte, deri në stabilizimin dhe kthjellimin në ujëmbledhës, Ujësjellësi Tiranë u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes me përdorimin e ujit të pijshëm gjatë ditës së sotme.

Sipas inxhinierëve dhe specialistëve tanë në terren, furnizimi normal me ujë do të rinisë në orët e mbrëmjes. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve deri në stabilizimin e situatës së furnizimit me ujë' njofton Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Ora 11:29
Rrugët e bllokuara në qarkun e Gjirokastrës nga përmbytjet


Në qarkun e Gjirokastrës janë bllokuar disa rrugë si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga përmbytjet. Rruga Kolonjë -Golem është bllokuar, por edhe ajo që lidh Tepelenën me Kurveleshin.

Situata në qarkun e Gjirokastrës nga përmbytjet
1.Në bashkitë Libohovë,  Memaliaj, Dropull dhe Përmet Nuk raportohen probleme, situata në normalitet.

2. Në bashkinë Këlcyrë: Nuk raportohen problem, përjashtuar një rasti në familjen e Shkëlqim Telhajt nga fshati Kuqar Bashkia Këlcyrë si rezultat i shkarkesës elektrike ju dogj rrjeti elektrik i banesës si dhe pajisjet elektrike.

3. Në bashkinë Gjirokastër: Gjatë mbremjes së djeshme datë 23 shtator 2019, në territorin e bashkisë Gjirokastër ka pasur rreshje të shumta e për pasojë edhe disa probleme të krijuara nga këto rreshje, bllokime të disa grykë derdhjeve të përrenjeve, si tek hotel Qiqi, Petagogjike, ura e lumit si dhe rreth rotullimi i stadiumit nga ana e poshtme në lagjen Dunavat Kalaj.

Në zonën e qytetit nje banese ka pasur problem me futjen e ujit per shkak te catis se zbuluar te qytetares Aleksandra Qape në lagjen Palorto. Ne lagjen e Virojit ka pas probleme me  bllokimin e nje kanali i cili shkarkonte ujrat ne liqenin e Viroit  e per pasoje te mbushjes  se tije me inerte kane vershuar ne siperfaqe te vreshtave e ne afersi te banesave, kjo ka nevoje per nderhyrje dhe stabilizimin e tij per shmangjen e ngjarjeve te pa nevojshme.

Ne Njesin Administrative Lazarat ka basur bllokim te nje rruge qe lidh dy lagje kjo e ndodhur ne shtratin e perroit te Sopotit, si dhe djegjen e nje banese nga energjia elektrike. Ne njesin Administrative Picar problem ka qen rruga hyrse ne kete fshat si pasoj e gureve, renjeve te pemeve. Po punohet per rehabilitimin e demeve.  Rruga Kolonje -Golem e bllokuar. Ka nevoje per mjete.

Ne Njesin Administrative Cepo , problem eshte aksi rrugor Taronine -Fushebardhe si rezultat i rreshqitjes se nje masivi te kodres, ka na nevoje per mjet per zhvendosjen e ketij masivi dhe zhbllokimin e rrugese. Ne njesine administrative Lunxheri ka problem nga prurjet e inerteve ne rruge.

4. Në bashkinë Tepelenë: bllokimit të rrugës në Nj.Ad.Kurvelesh – Tepelenë si rezultat i rreshqitjes masive të dherave mbi rrugë. Për poroblemet e krijuara nga gjitha bashkitë kanë marrë masat për normalizimin e situatë ndërsa për problemet më madhore sic është rasti I bllokimit të rrugës në Nj.Ad.Kurvelesh do tiu drejtohemi Drejtorise së Përgjithshme të Emergjencave Civile

Ora 11:27
Fushë Kruja nën ujë nga përmbytjet (Situata përmes fotove)

Rreshjet intensive të shiut për orë të tëra kanë shkaktuar probleme në Fushë Krujë. Siç mund ta shihni edhe nga foto uji ka pushtuar tokat dhe rrethuar shtëpitë.

Ora 11:16
Stuhia në Durrës dëmton çadrat e tërmetit në stadium (VIDEO)

Reshjet e natës së kaluar në qytetin e Durrësit kanë dëmtuar çadrat e ngritura për të dëmtuarit nga tërmeti në stadiumin e Durrësit. Në këtë çadra nuk ka patur persona brenda.

Sipas shefit të emergjencave në Prefekturën e Durrësi, Artur Lekbello aktualisht çadrat janë ringritura ndërsa në të nuk ka banorë.
 

Ora 11:16
Veliaj: Natë sfiduese për Tiranën, me shi sa gjithë muajt e fundit bashkë


Prej mesditës të së hënës, Tirana është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura shiu, stuhi të forta, dhe rrufe. Në një kohë shumë të shkurtër, prej orës 12:00 të 23 shtatorit dhe deri në orën 6 të mëngjesit të sotëm, nga matjet e kryera rezulton se në kryeqytet ka rënë nje sasi e konsiderueshme shiu ne nje kohe te shkurter, plot 115 mml, sipas bashkisë.

Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj përmes një postimi në “Twitter” thotë se kjo sasi reshjesh është sa për të gjithë muajt e fundit bashkë në Tiranë, ndërkohë që bën apel për sa më shumë solidaritet.

“Mgjes! Ka qene 1 nate sfiduese per TR me shi, sa gjithe muajt e fundit bashke. Ne zona informale me ndertesa nen nivelin e kolektoreve kemi probleme me ujin. BashkiaTirane ne gatishmeri! Si per termetet, do t'ia dalim dhe kesaj here me shirat. Pa panik e me solidaritet”, shkruan Veliaj.

Era e fortë ka shkaktuar edhe rrëzimin e disa pemëve, por punonjësit e të gjithë ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës kanë qenë në terren gjatë natës, dhe situata mëngjesin e së martës paraqitet më e normalizuar. Sakaq, kryebashkiaku Veliaj thotë se po ndërhyhet në të gjitha lagjet e kryeqytetit.

“Shkollat jane hapur, Lana eshte ne shtrat dhe rruget qytetase jane te kalueshme, po heqim pemet e fundit nga stuhia. Ne zonat informale ekipet e emergjencave po pompojne ujin nga shtepite nen nivel te kolektoreve. Çeshtje kohe sa te mberrijme tek secila” shkruan ai.

Ora 10:53
U përmbytën, banorët në Fushë Krujë: E kaluam natën në rrugë! Jemi izoluar (VIDEO)

Në Fushë Krujë paraqitet situata më problematike nga përmbytjet, pasi mbi 30 banesa janë nën ujë në disa fshatra. Banorët bëjnë apel për ndihmë nga shteti, pasi janë në rrugë. "Kërkojmë ndihmë nga shteti, i bëjmë thirrje kryeministrit, deputetëve të gjithëve, u bë katër vite që përmbytemi. Që në orën 01:00 të natës kemi dalë nga shtëpia.

Kemi përfunduar si njerëz"thanë banorët. Disa nga banorët kanë hipur në katet e dyta të banesave, pasi të parat janë përmbytur. Ndërkohë që një pjesë tjetër e banorëve kanë dalë në rrugë. Uji ka arritur deri në 2 metra. Banorët që kanë mbetur në katet e dyta të banesave nuk dalin dot pa gomone. Përsa i përket energjisë është shkëputur.

Ora 10:47
Rreziku nga gurët në Torovicë, banorët: Po ra tërmet, këtu bëhet kërdia (VIDEO)

Banorët e Torovicës në Lezhë shprehen të shqetësuar, pasi nuk është marrë asnjë masë për rrezikun që vjen si pasojë e rrezikut të rënies së gurëve në këtë pjesë të aksit që ka qenë mjaft problematike, pasi dy vite më parë humbën jetën tre persona. "Asnjë pune nuk kanë bërë. Kemi frikë. Kanë rënë shumë herë gurët, na kanë thënë do të vijmë me ushtri, por nuk kanë ardhur. Kemi frikë, po ra tërmet, këtu bëhet kërdia" thanë banorët.

Ora 10:36
Trafik në autostradën Fushë Krujë-Milot nga përmbytjet

Përmbytja e autostradës Fushë Krujë-Milot në afërsi fshatit Luz ka sjellë trafik të rënduar në të dy krahët e këtij aksi. Trafiku është rreth 10 kilometra në secilin krah. Kalimi në autostradë bëhet me vështirësi si pasojë e prezencës së ujit ne rruge.

Ora 10:34
Reshjet dëmtojnë pompat, probleme në furnizimin me ujë të Durrësit dhe Shijakut


Ujësjellës Kanalizime Durrës ka bërë një reagim pas reshjeve të dendura gjatë natës së djeshme. Sipas njoftimit të UKD në dy stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Fushë Kuqe, ka pasur përmbytje të shumta.

Ujësjellës Kanalizime Durrës bën të ditur se për shkak të përmbytjeve do të ketë probleme në furnizimin me ujë të Durrësit dhe Shijakut.

Më problematike paraqitet situata në stacionin e pompave të Fushë Krujës, ku për shkak të përmbytjeve OSHEE ka ndërprerë energjinë elektrike deri në përmirësimin e situatës.

Situatë problematike paraqitet edhe në stacionet e tjera të pompimit, në Fushë Kuqe dhe Adriatik, ku energjia elektrike është ndërprerë për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet.

Ndër të tjera UKD kërkon mirëkuptimin e qytetarëve në këtë situatë dhe do të njoftojë në vazhdimësi për situatën.

Ora 10:08
Haki Çako për Report Tv: Probleme në Krujë dhe Kamëz nga përmbytjet, disa banesa në ujë

Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako në një lidhje telefonike për Report Tv deklaroi se strukturat janë në terren për të ndihmuar banorët që kanë probleme, sidomos në Krujë dhe Fushë Krujë.

"Situata është duke u normalizuar. Ka pasur prezencë të Emergjencave Civile gjatë gjithë natës në Kamzës, ku ka pasur një bllokim të kolektorit dhe shkarkimeve kryesore që bëjnë derdhjen, por është dashur ndërhyrja e mjeteve të Bordeve të Kullimit.

Ka qenë prezent e gjithë qeveria në drejtim të operacioneve, vijojnë akoma. Tani përqendrohen shkarkimet drejt derdhjeve dhe efektet si fryrja e lumenjve, si të Tiranës, Krujës dhe Fushë Krujës.

Ka shumë banesa që kanë pasur prezencë uji është ndërhyrë në shumë raste me mjetet e shpëtimit me forcat e bashkisë. FA me mjetet e veta ka qenë prezente dhe është. Do të dojë pak kohë sa të bjerë niveli.  Qarkullimi është normal nuk ka probleme" tha ai.  Përsa i përket dëmeve nga tërmeti, ai tha se "Jemi duke mbyllur konstatimet pas tërmetit, shumë shpejt do të bëjmë vlerësimet".

Ora 09:55
Qendra e Tiranës dhe periferia disa orë pa energji, probleme në rrethe


Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme edhe me energjinë elektrike në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Pa energji elektrike për disa orë ishte zona përreth Arenës Kombëtare, qendra e Tiranës tek Ministritë, por edhe disa zona periferike.

OSHEE e pyetur nga Report Tv njoftoi se 'Po Punohet për rregullimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë. Sapo kanë pushuar shirat ka nisur riparimi i defekteve'. Por në fakt sa herë që ka reshje shiu ka defekte të vazhdueshme. Çfare mungon ende për të shmangur këto defekte të vazhdueshme?

Ora 09:45
Bllokohet rruga Tepelenë-Kurvelesh, izolohen 2000 banorë

Bllokohet rruga Tepelene-Kurvelesh. 2000 banore te izoluar. Shirat e shumta gjate nates kane shkaktuar vershimin e inerteve nga lartesite duke shkaktuar bllokimin e ketij aksi.

Ora 09:44
Probleme me rrugët në Rrëshen dhe Krujë, rrezik nga gurët, Derveni nën ujë (VIDEO)

Krujë vijon që të jetë qyteti më problematik përsa i përket përmbytjeve. Edhe në Derven janë pushtuar nga uji disa banesa duke shkaktuar dëme të shumta. Ndërkohë që edhe rruga Rrëshen-Bukmirë dhe Balldre-Torovicë ka probleme të shumta nga rënia e gurëve. Lëvizja në këtë aks është e frikshme pasi rrezikojnë të bien gurë të mëdhenj duke përsëritur tragjedinë e dy viteve me parë ku humben jetën 3 persona.

Rruga Bukmirë - Rrëshen
Ora 09:36
Përmbyten tre shkolla në Tiranë, ministrja: Nuk do të ketë mësim (VIDEO)

Tre shkolla janë përmbytur në Tiranë si pasojë e reshjeve të shiut, ndërsa mësimi është pezulluar. 

"Për shkak të reshjeve të mbrëmshme, ishte mbledhur ujë në oborret e shkollës 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani”, shkollës 9-vjeçare “Yzberisht” dhe shkollës 9-vjeçare Lalm, në Tiranë.

Si pasojë, sot në këto shkolla nuk bëhet mësim. Ekipet e Bashkisë dhe Ministrisë janë duke punuar në terren. Dita e mësimit sot do të zëvendësohet në një ditë tjetër ndërsa po përpiqemi që këto shkolla të hapen nesër" shkruan ministrja Besa Shahini.

Mes tre shkollave që u përmbytën ishte edhe ajo “Sabaudin Gabrani”. Report Tv ishte në ambientet e shkollës, ku uji nuk arriti që të futet brenda, por oborri u përmbyt. Drejtoresha e shkollës "Sabaudin Gabrani" u shpreh se mësimin e pezulloi për të parandaluar ndonjë epidemi apo lagien e fëmijëve.

Gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku raporton se uji është tërhequr tërësisht dhe tani ujësjellës kanalizimi ka sjellë autobote për ta pastruar oborrin, ndërsa do të bëhet dhe dezinfektimi.

Ora 09:32
Nga veriu në jug, ARRSH: Rrugët ku duhet të keni kujdes


Si pasojë e reshjeve dhe përmbytjeve ka pasur probleme në disa akse rrugore, por aktualisht sipas ARRSH-së janë të kalueshëm. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton për situatën më të fundit në vend.

Rajoni Verior
Ka pasur reshje në të gjithë territorin, po pa shkaktuar probleme në qarkullim.
Të gjithë specialistët dhe kontraktorët janë në terren në gatishmëri për çdo situatë.

Rajoni Qendror
Ka pasur reshje të shumta gjatë gjithë natës.
Në segmentet e zonës së Dajtit nga reshjet ka rënie gurësh e dherash është punuar për pastrimin e tyre.
Rrugët dytësore dhe segmentet e Kamzës kanë pasur disa vështirësi në qarkullim (te nënkalimi i City Park).
Tani situata është e normalizuar. Grupet e punës janë përqendruar në Bubq - Ishem.
Në zonën e Ibës ka pasur rënie të dendura shiu kontraktori ka punuar për stabilizimin e situatës.
Në segmentet rrugore të zonës se Belshit, si rezultat i shirave të dendur në disa vende ka rënie gurësh. Kontraktori po punon për pastrimin e plotë të rrugës.
Në të gjitha akset e këtij rajoni qarkullimi kryhet normalisht.

Rajoni Jugor
Ka pasur reshje të shumta sidomos në qarkun e Gjirokastrës.
Në Dragot dhe pranë Ujit të ftohtë ka pasur vërshim ujërash dhe dherash, kompania e mirëmbajtjes ka punuar gjatë natës duke kthyer qarkullimin normal.
Aktualisht në Rajonin Jugor të gjitha akset janë me qarkullim normal.
Kontraktorët janë në gatishmëri për çdo situatë të përkeqësuar të motit. I bëjmë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve

Ora 09:24
'Pa fat' godina e Gjeologjikut/ Pas goditjes nga tërmeti, e përmbyt shiu, Shkreli: Restaurimi do nisë sa më parë (VIDEO)

TIRANE-Reshjet e dendura të shiut kanë depërtuar duke përmbytur edhe Fakultetin e Gjeologji-Minierave në Tiranë, që pak ditë më parë u godit nga tërmeti që solli shembjen e një pjese të ndërtesës. Report Tv sjell pamjet nga ambientet e brendshme të fakultetit që është pushtuar nga uji duke sjellë dëme të shumta.

Më shumë dëmtime ka pësuar kati i tretë, pasi është çarë suvaja dhe ka rënë tavani, por edhe dy të tjerë duke e bërë të pamundur zhvillimin e mësimit pak ditë nga nisja e vitit të ri akademik. Dekani Vasil Jorgji në një prononcim për Report Tv u shpreh se shiu ka dëmtuar jo vetëm ambientet, por edhe laboratorët.

"Kjo është një situata katastrofike. Ne kemi qenë me shumë fat, që qëlloi ditë e shtunë dhe nuk patëm punonjës dhe studentë pasi do të kishte shumë viktima (për rastin e tërmetit). Kjo që ndodhi tani që cfarë ra jashtë ra brenda do të fillojë menjëherë rikonstruksionin e godinës. Unë pres që të vijë grupi i ekspertëve.

Ndërsa zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli u shpreh se emergjenca do të ndërhyrjë menjëherë për restaurimin e godinës.

Kjo ishte pasojë e rrëzimit të kornizës së çatisë që mori edhe letrën serë për izolimin e çatisë. Ka bërë dëme të mëdha në auditorë dhe laboratorë, sidomos i mikroskopëve, por shyqyr që arriti përgjegjësi i laboratorit që i largoi. Godina nuk mund të kthehet më në gjendje e mëparshme. Në godinën tjetër të re, ku ka qenë Shkolla e Magjistraturës mund të bëhet mësim me turne" tha ai. Kujtojmë që një pjesë e ndërtesës së Fakultetit të Gjeologji Minierave në Tiranë u shemb nga lëkundjet e forta të tërmetit para tre ditëve.

 

Ora 09:18
Moti i keq, probleme në disa akse në Kukës, Valbona pa drita


Në Kukës reshjet e shiut vijojne me intesitet te ulet, prefekti Zenel Kucana ben te ditur se nuk paraqiten probleme te banorët. Sipas tij probleme ka ne disa rruge per shkak te reshqitjes se dherave si ne rrugen Kukes-Shishtavec, Bajram-Curr- Valbone dhe ne Lekbibaj. Ne keto rruge po behet pastrimi nga kompanite mirembajtese dhe nuk ka bllokim por rrezik per kalimin e mjeteve pasi reshjet vijojne. Pa energji eshte zona turistike e Valbones.

Ora 09:12
Përmbytjet/ Balluku dhe Lleshaj në Kamëz hapin pallatin e kulturës për strehim


Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë orëve të mbrëmjes, në zonën e Kamzës, ka pasur rrezik të shtuar për përmbytje. Autoritetet shtetërore kanë qenë të pranishme në terren për zgjidhjen e situatës. Në vendngjarje ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ndërkohë, Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të Kamzës të cilët kanë nevojë për strehim për shkak se banesa e tyre është e rrezikuar si pasojë e motit të keq t’i drejtohen Pallatit të Kulturës së Kamzës, i cili është kthyer në një qendër akomodimi.

Ora 09:10
Përmbytet Kruja, fshatrat nën ujë, izolohen disa familje (VIDEO)

Erërat e forta dhe shiu i dendur që kanë rënë gjatë natës dhe në orët e para të ditës së sotme kanë bërë që të përmbyten dhe bllokohen disa fshatra dhe rruga Fushë Krujë -Milot. Shumë familje janë të izoluara brenda dhe niveli i ujit. Konkretisht janë përmbytur fshatrat Luz, Mazhe, Mallkuc, Gjuricë, Bilaj, Murqinë, Hasan, Ura e Gjolës, etj.

Lumi Ishëm dhe kanali i Budullës kanë dalë nga shtrati gjatë natës duke sjellë përmbytjet. Janë rreth 50 banesa të rrethuara nga uji në Murqinë. Problem i madh është prurja e madhe e lumit dhe e kanalit të Budulluës, niveli i të cilëve po rritet ndjeshëm. Janë me qindra hektarë tokë të rrethuara nga uji. Fushë Krujë dhe fshatrat janë edhe pa energjie elektrike.

 

Ora 09:07
Përroi del nga shtrati, Laçi pushtohet nga balta (VIDEO)

Përroi që kalon përmes qytetit ka dalë nga shtrati duke përmbytur kështu qytetin mbrëmjen e djeshme, por fatmirësisht nuk shkaktoi probleme të mëdha, pasi në mëngjes uji është tërhequr.  Niveli i ujit ishte shumë i lartë.

Ndërtimet pa kriter, ngushtimi i përroit dhe mos ndërhyrja e bashkisë për rehabilitimin kanë bërë që të dalë nga shtrati dhe të sjellë përmbytje. Cdo vit si pasojë e daljes nga shtrati të përroit janë dëmtuar banesa dhe biznese, pasi ndërtimet pa leje nuk janë prishur. Para dy viteve rrjedha e përroit mori një makinë brenda së cilës ndodheshin babë e bir, të cilët humbën jetën.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bruno: 24/09/2019 12:09

    Autostrada eshte permbytur merni rrugen e vjeter. Ne rrugen e vjeter nuk ka rene shi ? Apo mos ka lidhje me standartet e ndertimit ?

    Përgjigju
  • Roni: 24/09/2019 11:43

    NUK KA ASGJE PER TU HABITUR,,,ME 20 MMMM SHI PERNBYTESH,,,,SEPSE JEMI NE VETE FAJTORET PER KETE ,,,KEMI DEMTUAR KANALET KULLUESE NE FSHAT DHE QYTET,,DUKE NDERTUAR SHTEPI KUTURU,,,MBI KANALE KULLUESE,;PO ASHTU NE QYTET ,,NDERTO PALLATE SHUME DUKE E PERQENDRUAR UJIN NE HAPSIRA TE VOGLA,,,DHE KEMI BLLOKUAR PUSETAT NEPER RRUGE ME MBETURUNA,,,DHERA,,,,DHE TANI HABITEMI PSE ME 20CM UJE BEHET DET TIRANA,,,DJE U PERMBYT KAMZA DHE DON BOSKO ZONA QE NUK DUHET TE KISHTE ASNJE PALLAT APO SHTEPI,,,PSE BUDALLA ISHTE ENVERI QE I LA TOKA BUJQESORE KETO......

    Përgjigju
    • Fredi: 24/09/2019 12:57

      Fiks, nuk i shtohet as i hiqet as I gjo ktij komenti. Për 30 vjet katnaria u derdh mbi qytete si ortek duke i kthyer në haure baj gash. 30 vjet katnari neper pushtete, ata, të afermit e femijet e tyre katnar.

  • www.youngtribune.com: 24/09/2019 11:06

    Kabul, Bagdad ? Jo jemi ne Shqiperi.

    Përgjigju
  • Kafsha: 24/09/2019 11:00

    Po të rrin në maj të malit si te parët e tyre nuk do I gjej gjo. Po zbriten në Fush-Pul-Kruj do I gjej. Fshatarët duhet te rrine ne fshatrat e tyre e jo të zbresin neper qytete. Për 30 vjet i kthyen qytetet tanë në haure baj gash!

    Përgjigju
  • Emi: 24/09/2019 10:50

    Ca banin tan veren per se nuk punoni si me i dal dimrite para. Na kena nje shtet si e ka menem ku me vjell e jo ku me punu per popullin.

    Përgjigju
    • Lushnjari lakër e presh myzeqeje: 24/09/2019 11:27

      Ore nuk e ka fajin shteti por popull qe eshte bere dembel. Pse nuk kishte nga keto gjera ne kohe të Enverit? Ai ia tregonte qejfin popullit në pune . E ngordhi në punë por ama në saj të punes , shteti i tij lulezonte. Thirri mendjes dhe mos rri gjith diten kafeneve por futju punes. Pune dhe vetem pune!

  • Vlora: 24/09/2019 09:44

    JASTEKET JUA BLEME FEMIJEVE PO TANI TU BLEJME NGA NJE KOMERDARE?

    Përgjigju
    • Selenicë: 24/09/2019 11:54

      Mendjen te skafet e komerdaret e ke o i gjorë..tër jetën llumë

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen